35 organizata biznesi kërkojnë miratimin e ligjit “Për Gjykatën Administrative”
Koalicioni në përkrahje të Gjykatës Administrative, ku bëjnë pjesë 35 organizata biznesi, i ka bërë thirrje dje Kuvendit të miratojë sa më parë ligjin për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Administrative. Këtë kërkesë e bënë dje gjatë një takimi që zhvilluan me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, drejtuesit e Dhomës së Tregtisë së Tiranës, të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës Britanike, të Konfindustrisë dhe biznesit të vogël diskutuan për përpjekjet e tyre për miratimin sa më parë në Parlament të ligjit “Për Gjykatën Administrative”. Duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm këtë ligj, kryetarja e Kuvendit shprehu jo vetëm mbështetjen ndaj këtij ligji, por ajo tha se ky ligj është në rend të ditës së punës së Parlamentit dhe do të votohet në momentin e parë të konfigurimi i Parlamentit të plotësohet, pasi për këtë ligj kërkohen tre të pestat e votave, pra kërkon dhe votat e opozitës. Përfaqësuesit e koalicionit, duke qenë të ndërgjegjshëm se ky ligj kërkon një shumicë të cilësuar, shprehën shqetësimin e tyre për pamundësinë e miratimit të këtij ligji, të cilin e cilësuan si një ligj thelbësor të reformës në Drejtësi dhe një ligj nga i cili nuk përfitojnë vetëm bizneset, por të gjithë qytetarët. Duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një Gjykatë Administrative, përfaqësuesit e koalicionit thanë se ngritja e kësaj gjykate do të përmirësojë ndjeshëm edhe klimën e biznesit në Shqipëri e do të nxisë më tej investimet e huaja.
28 Tetor 2009