Tentoi vrasjen e biznesmenit, sillet në pranga një 32-vjeçar
Një shqiptar i dënuar për vrasje është ekstraduar dje nga Gjermania, pasi drejtësia shqiptare ka dhënë 10 vjet burg për të. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit bënë të ditur se nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana është kryer ekstradimi nga Frankfurti i Gjermanisë drejt vendit tonë i Altin Fehmi Kujovskës, 32 vjeç, lindur në Tiranë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin të datës 18 prill 2005, e ka dënuar këtë person me 10 vjet burg, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” e mbetur në tentativë dhe “armëmbajtjes pa leje”. I ekstraduari Kujovska, në bashkëpunim me një person tjetër të paidentifikuar, për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin me armë zjarri shtetasin Artan Lika. Ngjarja ka ndodhur me datën 28.07.2004, rreth orës 23:30, në rrugën “Qemal Stafa”, në lokalin e të dëmtuarit Artan Lika. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Wiesbaden, në datën 11.05.2010, u bë arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Altin Kujovskës. Nga shqyrtimi gjyqësor ka rezultuar se më datë 28 korrik 2004, rreth orës 23.30 në rrugën “Qemal Stafa”, Altin Kujovska, në bashkëpunim me një person tjetër të paidentifikuar ka tentuar të vrasë shtetasin Artan Lika, në lokalin e tij. Lika po qëndronte në verandën e lokalit të tij së bashku me tre persona. Në këtë moment, Kujovska së bashku me një person tjetër të paidentifikuar i është afruar në një distancë rreth 2 metra dhe ka qëlluar me armë automatike të dëmtuarin, duke i shkaktuar plagë të rënda. Pas kryerjes së krimit, autori, së bashku me bashkëpunëtorin janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Sipas dëshmisë së Likës, atë ditë rreth orës 11:30-12:00 ka qenë i shoqëruar me të dashurën e tij, Valbona Q. dhe po rrinin në një lokal tek liqeni. Në telefonin e Valbonës ka ardhur një mesazh nga një numër telefoni i panjohur me tekst: “Përse nuk e hap telefonin moj kuçkë”. Pas kësaj, ra telefoni i Valbonës dhe Lika e ka hapur duke e pyetur se kush ishte ai. “Në inat e sipër u shamë me njëri-tjetrin dhe unë e mbylla telefonin. Valbona më tha se mund të jetë ai, bëhet fjalë për një shok të saj që e ka pasur para dy vjetësh. Më pas shkova tek lokali im. Pas 30 minutash erdhi Altin Kujovska me një makinë “Benz 250”, të cilin e njoh si djalë lagjeje. Altini zbriti nga makina dhe më thirri, pasi u afrova, më tha se kishte bërë fjalë me dikë nga lokali im. Unë i thashë se kish bërë fjalë me mua dhe u ulëm pimë kafe bashkë me dy djem të tjerë, që kishin ardhur me makinë së bashku me Altinin. Pasi bëmë muhabet u ndamë paqësisht”, ka shpjeguar Lika në dëshminë e tij. Rreth orës 23:00 të po asaj dite, ai ishte ulur në verandën e lokalit me Afrim Haxhijahjen, Roland Spahon dhe Andi Aleksin. “Pashë që erdhi përballë tavolinës ku po rrija unë, Altin Kujovska. Nxori nga një qese një automatik të vogël, e drejtoi drejt meje. Distanca ka qenë 2 metra dhe ka qëlluar. Më pas, ai u largua me vrap, bashkë me personin që e shoqëronte dhe që nuk e njihja”, ka deklaruar Artan Lika. Mbi këto prova, gjykata ka vendosur dënimin me 10 vjet burg të Kujovskës, ndërkohë që ende deri më sot, nuk është identifikuar bashkëpunëtori i tij.
#