Zgjedhjet në Shalë, Kolegji rrëzon ankimimin e PD-së

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në komunën Shalë të Shkodrës duke lënë kështu fitues të jetë kandidati i PS-së.
Në seancën e sotme Kolegji e ka cilësuar si të pabazuar në ligj kërkesën e Partisë Demokratike për të ripërsëritur zgjedhjet në këtë komunë duke lënë kështu në fuqi vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve i cili shpalli fitues me 2 vota kandidatin e opozitës.
Sipas kërkesës së përfaqësuesve të PD-së, në zgjedhjet e fundit më 21 gusht në qendrën 0119, kishin votuar dy banorë të komunës që nuk ishin në listën e zgjedhësve por që kishin marrë pjesë në votim me vendim gjykate.
Partia Demokratike paraqiti pranë Kolegjit, kërkesën ankimore për pavlefshmëri në komunën Shalë, ku pas numërimit të votave në KQZ, kandidati i PS-së u shpall fitues me 2 vota më shumë se ai i i së djathtës.
Në zgjedhjet e zhvilluara në 21 gusht në komunën Shalë, Partia Socialiste arriti që të fitonte me kandidatin e saj Balë Vuksani me 644 vota, kundrejt 642 votave të Dedë Tonaj nga koalicioni i djathtë. Kështu me përfundimin e ankimimit për këtë zonë, pritet që KQZ-ja, të shpallë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 8 majit në vend.