E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, pistoletë dhe automatik për policët

21/03/2009  Lejimi i punonjësit në objektet zgjedhore

Kur në qendrën e votimit rrezikohet rendi ose zhvillimi i rregullt i votimit, ose kur gjatë procesit të numërimit të votave KZAZ-ja konstaton se në ambientin e VNV-së janë të pranishëm dhe persona të tjerë, u kërkon atyre që të largohen. Në rast refuzimi KQV-ja në njërin rast dhe KZAZ-ja në rastin e dytë marrin vendim për njoftimin e punonjësit të policisë dhe mban shënim në librin e protokollit. Vendimi për kërkimin e ndihmës për vendosjen e rendit u paraqitet me shkrim organeve të Policisë së Shtetit dhe përmban përshkrimin e shkurtër të shkaqeve dhe të rrethanave. Me marrjen e vendimit, kryetari, zëvendëskryetari ose çdo anëtar i KZAZ-së ose KQV-së thërret menjëherë policinë dhe njofton KQZ-në për incidentin e ndodhur. Sapo forcat e policisë paraqiten në vendin e numërimit të votave, KZAZ-ja (dhe në qendrën e votimit KQV-ja) u dorëzon atyre menjëherë përpara ndërhyrjes kopje të vendimit për thirrjen e policisë për të ndërhyrë, të firmosur dhe vulosur nga komisioni. Me rivendosjen e rendit në vendin e numërimit të votave, KZAZ-ja (ose në qendrën e votimit KQV-ja) me vendim u kërkon forcave të policisë që të largohen.

Qarkullimi me mjete policie

Qarkullimi i forcave të policisë që janë ngarkuar me detyra zgjedhore bëhet vetëm me mjete policie dhe vetëm në rast se kërkohet ndërhyrja e tyre. Mjetet e përdorura prej policisë me targa civile duhet të kenë shenja dalluese që tregojnë se ato janë të ngarkuar me detyra në funksion të zgjedhjeve. Në rast se KQZ-ja vlerëson se veprimtaria e forcave të policisë ose të ushtrisë mund të dëmtojë apo të pengojë administrimin ose zhvillimin e zgjedhjeve të lira, ajo ka të drejtë të kërkojë informacione. Institucioni përkatës është i detyruar të paraqesë menjëherë informacion për veprimet e kryera dhe marrjen e masave për zbatimin e ligjit. Ndërsa KQZ-ja dërgon në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit listën e plotë të objekteve zgjedhore dhe adresat e sakta të vendndodhjes së tyre, kjo e fundit është e detyruar t’i paraqesë KQZ-së listën e punonjësve të ngarkuar me detyra gjatë zgjedhjeve.

Vendqëndrimi

Udhëzimi përcakton se forcat e policisë që ngarkohen me detyra gjatë zgjedhjeve, me përjashtim të atyre që merren me ruajtjen e objekteve zgjedhore, në 24 orët para ditës së zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve qëndrojnë brenda komisariateve ose në vende dislokimi larg qendrave të banuara. Asnjë person i armatosur, duke përfshirë edhe forcat e policisë dhe ushtarakët, nuk lejohet të qëndrojë apo të hyjë në ambientet zgjedhore.

KQZ përcakton detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë gjatë periudhës zgjedhore

Detyrimet dhe ndalimet e punonjësve gjatë transportimit të materialeve

Punonjësit e forcave të Policisë së Shtetit të ngarkuara me detyra zgjedhore përveç uniformës dhe dokumentit të identifikimit janë të detyruara që gjatë ushtrimit të detyrës mbajnë armatim personal brezi (pistoletë). Ato janë të detyruara të mbajnë edhe automatik në rastet kur ngarkohen me ruajtjen e objekteve zgjedhore gjatë natës dhe gjatë shoqërimit të kutive të votimit nga qendra e votimit në vendin e numërimit të votave. Përjashtohen rastet kur janë ngarkuar të ruajnë godinën ku është caktuar vendi i numërimit të votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë javën e ardhshme udhëzimin ku do të përcaktohen detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë gjatë periudhës së zgjedhjeve për Kuvendin 2009.

Shoqërimi i kutive

KQZ-ja përmes udhëzimit detajon edhe procedurat që ndiqen nga punonjësi i Policisë së Shtetit gjatë shoqërimit të materialeve zgjedhore pas mbylljes së procesit të votimit. Kryetari i KQV-së njofton komisariatin e policisë dhe KZAZ-në, duke i kërkuar të dërgojë në KQV punonjësin e policisë që do të shoqërojë kutitë e votimit dhe kutinë e materialeve zgjedhore. Punonjësi i policisë paraqitet në kohën e caktuar nga KQV-ja dhe pret në hyrje të saj derisa të dalin anëtarët dhe sekretari së bashku me kutitë e votimit dhe kutinë e materialeve zgjedhore. Shoqërimi i kutive tё votimit dhe i kutisë së materialeve zgjedhore nga KQV-ja në VNV-në bëhet me automjet, në të cilin ndodhen anёtarёt e KQV-së, sekretari i KQV-sё dhe një punonjës i Policisë së Shtetit. Gjatë shoqërimit kutia dhe materialet e tjera zgjedhore administrohen vetëm prej kryetarit, zëvendëskryetarit dhe anëtarëve të KQV-së. Punonjësi i forcave të policisë nuk ka të drejtë në asnjë rast të posedojë apo të ketë kontakt me materialet e mësipërme. Ai garanton shoqërimin dhe mosprekjen e kutive të votimit nga të tretët dhe për çdo parregullsi të konstatuar gjatë procesit të shoqërimit nga KQV-ja në vendin e numёrimit tё votave përpilon një raport shërbimi si dhe informon njëkohësisht eprorin e tij dhe ky i fundit njofton shefin e komisariatit të policisë dhe kryetarin e KZAZ-së. Pas procesit të dorëzimit të materialeve zgjedhore punonjësi i policisë firmos procesverbalin e marrjes në dorëzim sipas modelit të miratuar nga KQZ-ja, merr një kopje të procesverbalit dhe largohet menjëherë nga ndërtesa e KZQV-së.

Ruajtja e objekteve

Selia e KZAZ-së ruhet nga punonjësit e Policisë së Shtetit sapo në të mbërrijnë materialet e votimit deri datën e zgjedhjeve. Ruajtja do të bëhet prej orës 20:00 deri në orën 8:00 të ditës së nesërme. Pavarësisht kësaj ai nuk e kryen shërbimin e ruajtjes së selisë së KZAZ-së gjatë kohës kur kjo e fundit është në punë. Shërbimi i ruajtjes fillon menjëherë me paraqitjen e kërkesës së kryetarit të KZAZ-së. Policia organizon gjithashtu ruajtjen e qendrave të Votimit gjatë natës, para ditës së votimit, duke filluar nga mbërritja në KQV të materialet zgjedhore derisa KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit. Ndërsa ambientet e vendit të numërimit të votave ruhen prej orës 18:00 të ditës së zgjedhjeve deri në shpalljen e rezultatit nga KZAZ-ja. Punonjësi i policisë qëndron jashtë ambienteve të vendit të numërimit të votave, sipas caktimit të bërë nga KZAZ-ja.

Projektvendimi

Përcaktohet modeli i vulës së KQV-së

Bazuar në Kodin Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyrimin të dërgojë te KQV-të vulat së bashku me materialet e tjera zgjedhore. Modeli i vulës për KQV-të i propozuar nga Drejtoria e Logjistikës në KQZ-së është bazuar në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 390, datë 6.08.1993 “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare” dhe VKM-së nr.164 datë 18.03.1995 “Për disa ndryshime të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 390, datë 6.08.1993 “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”. Sipas variantit të propozuar, vula ka një diametër 38 mm¹, në qendër është stema e Republikës së Shqipërisë, teksti mbi stemë në formën e harkut është: “Republika e Shqipërisë” dhe poshtë saj po tekst: “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”. Nën stemë në pjesën e fundit të vulës është shënuar: “Komisioni i Qendrës së Votimit”, kodi identifikimit: KQV dhe në fund sërish tekst: “Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, 28 qershor 2009”. Sipas nenit 99 të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja dërgon në selitë e KZAZ-ve jo më vonë se 3 ditë para datës së zgjedhjeve materialet zgjedhore, të ndara në kuti të veçanta për çdo qendër votimi, mes të cilave edhe vulën e KQV-së. Ndërsa neni 103 i tij përcaktohet se në pjesën e pasme fletët e votimit vulosen me vulën e KQV-së dhe me vulën e kryetarit të KQV-së. Vula e KQV-së përmban tekstin “komisioni i qendrës së votimit” dhe numrin e qendrës përkatëse të votimit. Vula e kryetarit të KQV-së përmban tekstin “kryetari” dhe një numër serial pesëshifror. Vula e kryetarit të KQV-së përdoret vetëm për vulosjen e fletëve të votimit dhe për asnjë dokument tjetër zgjedhor.

Shmangen çrregullimet

Sistemi i vjetër unik i numërimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë sistemin unik pa bërë ndryshime të numeracionit që i takon çdo njësie të qeverisjes vendore. Përmes projektudhëzimit “Për numërtimin e zonave të qendrave të votimit në mënyrë unike në shkallë vendi”, propozohet që të aplikohet sistemi i vjetër, pavarësisht ndryshimeve që janë bërë në Kodin Zgjedhor. “Duke qenë se sistemi i miratuar më parë nga KQZ-ja është në përdorim për zgjedhjet e Kuvendit 2009, ndryshimi i tij do të sillte çrregullime. Propozojmë që KQZ-ja të miratojë sistemin unik pa bërë ndryshime të numeracionit që i takon çdo njësie të qeverisjes vendore”, - thuhet në relacionin e projektit. Në vitin 2003 me vendim nr. 38, datë 1.04.2003 KQZ-ja miratoi sistemin unik të numërtimit në rang vendi për zonat e QV-ve, ku përcaktohej veç numërtimit për zonat e QV-ve dhe mënyra e veprimit kur kishte zhvillime të reja në zonat e QV-ve. Numërtimi është bërë me numër katërshifror dhe mbështetej në zonat zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin 2001, duke filluar nga zona zgjedhore nr.1 në Veri dhe në mënyrë progresive vazhdonte deri te zona zgjedhore nr. 100 në Jug. Kur kishte ndryshime, përdorej një numër pesëshifror sipas rregullave të caktuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›