E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Aspirata e shqiptarëve po bëhet realitet

21/03/2009  Konferenca e Shoqatës së Atlantikut të Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka deklaruar në konferencën e 13-të kombëtare të Shoqatës Kombëtare të Atlantikut të Veriut se vetëm pak vjet më parë askush nuk do të guxonte të mendonte se edhe Shqipëria do të përfshihej në kremtimet e 60-vjetorit të themelimit të NATO-s si anëtare me të drejta të plota e saj. “Askush nuk do të guxonte të mendonte se edhe Shqipëria, vendi që përmendej kryesisht për trafiqet, korrupsionin dhe paaftësinë për t’u përballur me krimin e organizuar, do të përfshihej në kremtimet e 60-vjetorit të themelimit të Aleancës si anëtare me të drejta të plota e saj, si shtet me dinjitet të barabartë mes partnerëve tanë. Sot të gjithë ne mund të dëshmojmë se aspirata e qytetarëve shqiptarë për një Shqipëri në Evropë po bëhet realitet dhe po kurorëzohet me përmbylljen e fazës së parë të procesit të integrimit euroatlantik”, - ka thënë kryediplomati Basha. Ai theksoi se muajin e ardhshëm Shqipëria do të jetë vend anëtar i NATO-s dhe vend i asociuar i Bashkimit Evropian. “Më 1 prill hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit e Shqipërisë me BE-në. Po të konsiderojmë këtu edhe pavarësinë e Kosovës, mund të themi pa frike se kjo është koniunktura më e favorshme historike që ka përjetuar ndonjëherë kombi ynë”, - theksoi ai.

“Tashmë jemi në një fazë të avancuar të dialogut për liberalizimin e plotë të vizave në zonën ‘Shengen’ për qytetarët shqiptarë dhe në një bashkëpunim konstant me institucionet evropiane për të koordinuar aplikimin e shpejtë për vend anëtar në Bashkimin Evropian.”

“Pavarësia e Kosovës, Samiti i Bukureshtit dhe Samiti i ardhshëm të Starsburg-Kehlit përbëjnë tre gurët kilometrikë të rrugës së pakthyeshme të Ballkanit Perëndimor drejt paqes, stabilitetit dhe vlerave të Evropës së lirë dhe demokratike.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›