Zgjedhjet presidenciale në SHBA - McCain apo Obama?
Presidenti amerikan, George Bush, nuk do të largohet nga posti deri më 20 janar 2009, por gara për pasardhësin e tij, që ka filluar kohë më parë, tani ka hyrë në fazën përfundimtare.
Partitë e mëdha, ajo Demokratike dhe Republikane, kanë emëruar tashmë zyrtarisht kandidatët e tyre në konventat përkatëse. Kur mbahen zgjedhjet? Dita e zgjedhjeve presidenciale është 4 shtatori. Kush do të zgjidhet? Presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, do të mbahen zgjedhje dhe për të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe për një të tretën e Senatit. Kush merr pjesë në garë? Partia Demokratike ka zgjedhur Barack Obamën si kandidatin e saj - kandidati i parë me ngjyrë që emërohet nga partitë e mëdha. Partia Republikane ka emëruar John McCain, veteran i luftës në Vietnam. Nëse fiton, ai do të bëhej Presidenti më i moshuar që do të bënte betimin për mandatin e tij të parë. Zgjedhjet po ashtu janë për t'u përmendur dhe për faktin se kush nuk kandidon - është hera e parë që nga viti 1928 kur as Presidenti, as zëvendëspresidenti aktual, nuk e kërkuan kandidimin nga partia e tyre. Cila parti ka më shumë gjasa për të fituar? Shumica e votuesve nuk kanë opinione pozitive për Presidencën e Bushit. Ky fakt dhe gjendja e vështirë ku ndodhet ekonomia amerikane, duket se i jep një avantazh të madh demokratëve. Në një studim të Qendrës Hulumtuese Pew për projektimet afatgjata, të botuar në tetor të vitit 2007, thuhet se mbështetja për z. Bush gjatë katër vjetëve të fundit kishte rënë nga 50 për qind, në 30 për qind.
Në të thuhet se avantazhi i demokratëve mbi republikanët, jo vetëm që është shumë i madh se katër vjet më parë, por është më i madhi i regjistruar gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Cilat janë çështjet kryesore të fushatës? Gjendja e ekonomisë është problemi më shqetësues për votuesit amerikanë. Iraku po ashtu një çështje tjetër madhore, që i ndan kandidatët kryesorë. Z. Obama është për tërheqje të shpejtë të trupave amerikane, kurse z. McCain parashikon një tërheqje graduale me stabilizimin e situatës në vend.
Përmirësimi i kujdesit shëndetësor është një objektiv madhor për demokratët, për republikanët ndërkohë është imigracioni. Çështjet sociale, si aborti apo martesa e homoseksualëve, duket se janë më pak të rëndësishme për votuesit nga ç'ishin në zgjedhjet e fundit në 2004-ën. Çfarë ndodh tani? Pas konventave të dy partive, nis fushata e vërtetë elektorale. Mes zhvillimeve më të rëndësishme do të jenë debatet televizive në 26 shtator dhe 7 e 15 tetor. Kandidatët, me gjasë, do ta përqendrojnë fushatën e tyre në shtetet kryesore që janë të pavendosur për të votuar për njërin apo tjetrin kandidat. Cilët janë këto shtete? Gjatë viteve të fundit, shumica e shteteve në bregdetin lindor dhe atë perëndimor të SHBA-së kanë votuar për demokratët dhe pjesa më e mirë e atyre që mbeten, për republikanët. Megjithatë, ka disa shtete që mund të anojnë si nga njëri kah, ashtu dhe nga tjetri. Mes tyre janë: Florida, Ohio dhe Pensilvania dhe shtete më të vogla si Colorado, Iowa, Michigan, New Mexico, Nevada, Virginia dhe Wisconsin. Z. Obama beson se mund ta sfidojë z. McCain në disa shtete që kanë qenë të sigurta për Republikanët gjatë viteve të fundit, si Karolina e Veriut. Z. McCain beson se mund të fitojë në shtetin e Oregonit, që më parë ka votuar për demokratët. A fiton kandidati që merr më shumë vota? Jo domosdoshmërisht. Teknikisht, votuesit nuk marrin pjesë drejtpërsëdrejti në zgjedhjen e Presidentit. Ata zgjedhin ‘zgjedhës-persona’ që angazhohen të mbështesin një kandidat të caktuar - dhe këta janë ata që e zgjedhin Presidentin. (Ka gjithsej 538 zgjedhës dhe shtetet e mëdha kanë më shumë se shtetet e vegjël). Në të gjitha shtetet, me përjashtim të shtetit Maine dhe të Nebraskës, fituesi i votës popullore merr gjithë votat e kolegjit elektoral në atë shtet edhe nëse avantazhi i tij është shumë i vogël. Kështu që mund të ndodhë që një kandidat të marrë më shumë vota nga kolegji elektoral sesa kandidati rival, por në shkallë kombëtare të marrë një përqindje më të vogël të votës popullore. A ka kandidatë nga parti të treta? Kandidati i pavarur, Ralph Nader kandidon edhe në këto zgjedhje, si në ato pararendëset në vitin 2000 dhe 2004. I akuzuar nga disa demokratë se ndau votën e qendrës së majtë në vitin 2000 duke i lejuar fitoren George Bushit, nuk pritet që ai të jetë faktor i rëndësishëm në garën e 2008-ës. Ka edhe një kandidat nga e djathta, Bob Barr që përfaqëson në garë Partinë Libertariane.
John McCain
McCain për veten: 'Konservator me gjykim të shëndoshë'
Hero lufte, pa dorashka dhe disident politik. Kështu është përshkruar senatori republikan, John McCain. Veteran i luftës në Vietnam që i mbijetoi burgimit pesëvjeçar si hero lufte, z. McCain është ngjitur në shkallët e hierarkisë së politikës në Amerikë dhe është bërë një zë i fuqishëm në çështjet ushtarake dhe ato të politikës së jashtme. Nëse kandidatura e tij për Shtëpinë e Bardhë, i vetëcilësuar si 'konservator me gjykim të shëndoshë', do të kishte sukses, ai do të bëhej Presidenti më i moshuar që do të bënte betimin në këtë post për mandatin e parë. Pasi ka siguruar me efektivitet kandidimin e Partisë Republikane për garën e 2008-ës, tani për të pengesa e vetme është rivali demokrat, Barack Obama.
Përfaqësues i vijës së ashpër në fushën e politikës së jashtme, z. McCain është një nga mbështetësit më të fuqishëm të luftës në Irak dhe ka mbështetur përforcimin e trupave amerikane atje nën drejtimin e gjen. David Petraeus. E megjithatë, ai e ka përshkruar ish-ministrin e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, me peshë në administratën e parë të Presidentit Bush, si "një nga ministrat më të dobët të mbrojtjes në histori" dhe ka kritikuar mënyrën se si e ka trajtuar konfliktin administrata e Bushit. Z. McCain ka kundërshtuar haptazi transportimin e të dyshuarve për terrorizëm në burgje sekrete në vende ku përdoren metoda më të ashpra të marrjes në pyetje dhe përdorimin e torturës. Ai ka qenë ndër përkrahësit e legjislacionit që ndalon trajtimin mizor, çnjerëzor dhe degradues të të dyshuarve për terrorizëm.
Konservator fiskal
Ai nuk i ka shmangur mosmarrëveshjet me Partinë Republikane dhe në fushën e politikës së brendshme. Fillimisht, kritikoi planet e Presidentit George Bush për uljen e taksave, duke deklaruar para Senatit në vitin 2001 se nuk ia lejonte ndërgjegjja që të mbështeste një zvogëlim taksash nga i cili, në pjesën më të mirë, do të përfitonin "ata me më shumë fat në mesin tonë, në kurriz të amerikanëve të shtresës së mesme". Ai thotë se është konservator fiskal dhe se beson në një buxhet të balancuar. Z. McCain po ashtu ka ngjallur dhe zemërimin e shumë konservatorëve socialë me pikëpamjet e tij, relativisht liberale, për martesat mes homoseksualëve, abortin dhe për reformën e imigracionit.
Ndoshta ndryshimi i tij më i madh me administratën e z. Bush qëndron në çështjen e ndryshimeve klimatike. Z. McCain thotë se do të nënshkruajë një traktat të ri për ndryshimet klimatike, me kusht që ai të nënshkruhet dhe nga Kina e India.
Qëndrim bipartizan
Z. McCain nuk ka pasur aspak drojë të punojë ngushtë me kolegët tij demokratë në Kongres për të përmbushur synimet e veta. Ai ka bashkësponsorizuar legjislacionin që kërkoi të prezantonte tregtimin e karbonit dhe vendosjen e sasive të detyrueshme të sasisë së dioksidit të karbonit që mund të emetohej në SHBA, në bashkëpunim me senatorin demokrat Joe Lieberman. Ai po ashtu bashkësponsorizoi një projektligj bipartizan për imigracionin në vitin 2007, i cili, po të miratohej, do t'u kishte ofruar amnisti imigrantëve ilegalë në Amerikë. Pikëpamja e tij se të huajt që punojnë pa dokumentacion të rregullt në Amerikë duhet të futen në rrugën drejt nënshtetësisë, nuk përputhet me atë të shumë prej kolegëve të tij republikanë. Bashkë me demokratin Russ Feingold, në vitin 2002 ai ishte autori i një projekti të madh që synonte të reduktonte ndikimin e financave dhe grupeve të lobimit në zgjedhjet amerikane.
E shkuara ushtarake
Z. McCain u apelon shumë votuesve për shkak të karakterit të tij, që është formuar nga shumë vitet e shërbimit në Flotën Detare amerikane. Biri i një admirali të lartë, z. McCain u diplomua në Akademinë Amerikane të Marinës në vitin 1928 dhe nisi një karrierë 22-vjeçare si pilot në Flotën Detare. I dislokuar në Vietnam, ai i shpëtoi vdekjes për pak në korrik të vitit 1967 kur, teksa përgatitej të nisej me një mision bombardimi, një raketë goditi rezervuarin e karburantit të avionit të tij, që u përfshi nga flakët. Gjatë incidentit humbën jetën 134 ushtarë. Tre muaj më vonë avioni i tij u godit teksa fluturonte mbi veriun e Vietnamit. Ai vetë, u kap nga luftëtarët vietnamezë, por e refuzoi ofertën e tyre për ta liruar më shpejt për shkak të postit të lartë që mbante i ati. Kështu z. McCain u mbajt i burgosur për mbi pesë vjet. Gjatë burgosjes u rrah dhe abuzua shpesh. Nga kjo, ai nuk mundet edhe sot ta lëvizë lirisht njërin krah. Pas kthimit në SHBA ai vazhdoi karrierën ushtarake dhe shërbeu si ndërlidhës i Flotës Detare në Senat deri në daljen në pension, në vitin 1981.
Karriera politike
Pikërisht në këtë moment, z. McCain u vendos në Arizonë për të nisur karrierën politike. Ai fitoi në zgjedhjet për në Kongres në vitin 1982 dhe katër vjet më vonë siguroi një vend në Senat. Z. McCain u përball me z. Bush, por pa sukses për kandidaturën e republikanëve për garën presidenciale të vitit 2000. Fillimisht, stili i tij i drejtpërdrejtë i siguroi mbështetje dhe fitore të papritur në zgjedhjet paraprake në New Hampshire.
Por më vonë gjatë fushatës, ai u dëmtua nga një seri sulmesh dhe u armiqësua me pjesëtarë me influencë të klerit të djathtë. Z. Bush fitoi kandidimin e republikanëve dhe z. McCain u kthye në Senat, ku shërbeu si anëtar i Komisionit të rëndësishëm të Forcave të Armatosura. Që nga ajo kohë, ai i ka ashpërsuar pikëpamjet e veta në disa çështje sociale, si aborti, por megjithatë ende shihet me dyshim nga të krishterët evangjelistë.
'Fitorja në Irak, e arritshme'
Në fushën e politikës së jashtme, z. McCain ka mbështetur qëndrimin e z. Bush për Lindjen e Mesme dhe Irakun. Ai ka theksuar vazhdimisht nevojën për dislokimin e trupave shtesë në Irak për të ndihmuar që t'i jepet fund dhunës dhe ka mbështetur operacionin e fundit të shtimit të trupave në Bagdad. Por ai ka kritikuar ushtarakë dhe zyrtarë të lartë të Pentagonit për taktikat e luftës atje. "Kemi bërë shumë gabime të mëdha në këtë luftë dhe historia do na gjykojë për to", - tha ai gjatë një fjalimi në nëntor të vitit 2006. "Situata në Irak është e rëndë. Por unë besoj se fitorja është ende e arritshme. Dhe jam i sigurt se disfata jonë atje do të ishte katastrofë jo vetëm për Shtetet e Bashkuara".
Z. McCain është po ashtu mbështetës i një qëndrimi të ashpër ndaj Iranit. Gjatë fushatës në muajin prill të vitit të shkuar, ai këndoi 'Bomb Iran' ('Bombardoni Iranin') nën tingujt e një kënge të grupit Beach Boys, titulli i së cilës rimonte me deklaratën e tij, 'Barbara Ann', dhe me këtë tërhoqi shumë kritika. Por ai i injoroi kritikat dhe tha se e kishte kënduar për të argëtuar njerëzit.
Barack Obama
Parulla e z. Obama është 'Change' - 'Ndryshim'
Senatorët e Shteteve të Bashkuara nuk konsiderohen zakonisht si "Rock star"-ë apo me epitete të tjera që u shkojnë më shumë për shtat këngëtarëve e aktorëve. Por Barack Obama nuk është senator i zakonshëm dhe shumë pak prej kolegëve të tij adhurohen si ai nga publiku i gjerë. Z. Obama është amerikani i parë me ngjyrë që kandidohet për Presidencën nga dy partitë e mëdha amerikane në historinë e Amerikës. Nëse mund republikanin John McCain në zgjedhjet e nëntorit, ai do të bëhet Presidenti i parë me ngjyrë në vend. Senatori siguroi kandidimin e demokratëve pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me ish-zonjën e parë të Amerikës, Hillary Clinton - garë kjo që u ndoq me gojë hapur nga amerikanët që nga janari, deri në qershor të këtij viti. Duke folur pasi u bë e qartë se kishte fituar, z. Obama foli për një "moment vendimtar për kombin tonë". "Unë qëndroj para kësaj sprove me përulësi dhe i ndërgjegjshëm për kufizimet e mia", - tha ai.
"Por përballem me të edhe me besim të pakufizuar në kapacitetin e popullit amerikan".
I preferuar i medias
Z. Obama, 47, u bë figurë e njohur në skenën kombëtare e ndërkombëtar pas një fjalimi që ndezi Konventën Kombëtare të Demokratëve në vitin 2004. Biri i një keniani dhe një amerikaneje të bardhë nga Kansasi, z. Obama tregoi historinë e jetës së tij në një fjalim që reflektonte idealet tradicionale të Amerikës, besimin tek vetja dhe aspirimin për të arritur më shumë. "Me shumë punë dhe këmbëngulje im atë fitoi një bursë për të studiuar në një vend magjik, në Amerikë, që konsiderohej si fanar i lirisë dhe mundësive për shumë nga ata që kishin ardhur këtu para tij", - tha ai. Pas fitores së zgjedhjeve për në senat disa muaj më pas, ai u bë një nga të preferuarit e medias dhe një nga figurat më të dukshme të Uashingtonit me botimin e dy librave bestseller. Z. Obama fitoi mbështetjen e prezantueses së famshme televizive, Oprah Winfrey, e cila jo vetëm i kërkoi atij të hidhte kandidaturën për garën e demokratëve në programin e saj, por u shfaq dhe gjatë fushatës për ta mbështetur. Pothuajse 30,000 vetë morën pjesë në një miting në fushatën e z. Obama në Karolinën e Jugut në vitin 2007, ku znj. Winfrey e përshkroi kandidatin demokrat jo thjesht si orator, por si orator të së vërtetës. Ai po ashtu ka thyer rekordin për mbledhjen e fondeve duke përdorur internetin për të mbledhur donacione të vogla nga shumë mbështetës të vegjël tij dhe nga donatorë të pasur. Si senator, ai ka reputacionin e një liberali të patundur, por në të njëjtën kohë ka punuar së bashku me kolegë republikanë për çështje si ndërgjegjësimi dhe parandalimi i AIDS-it. Fëmijëri nëpër botë, z. Obama mban emrin e të atit, një bariu në Kenia, por që fitoi bursë për të studiuar në Hawai.
Atje ai u takua dhe u martua me nënën e z. Obama që në atë kohë jetonte me prindërit në Honolulu. Kur ishte fare i vogël, i ati i tij pati shansin që të studionte në Harvard, por familja nuk kishte para për ta shoqëruar. Më vonë i ati i z. Obama kthye vetëm në Kenia, ku punoi si ekonomist për qeverinë dhe çifti u divorcua. Kur Obama ishte 6 vjeç, nëna e tij u martua më një indonezian dhe familja u vendos në Xhakartë. Dhe pse i ati dhe njerku i tij ishin myslimanë, z. Obama është i krishterë dhe ndoqi shkolla laike e të krishtera gjatë katër vjetëve të qëndrimit në Indonezi, vend ky me shumicë myslimane. Më vonë, ai u kthye në Hawai për të jetuar me gjyshërit dhe për të ndjekur shkollën. Z. Obama studioi shkenca politike në Universitetin e Columbias në New York dhe u vendos paskëtaj në Çikago ku punoi për projekte në ndihmë të komuniteteve. Në vitin 1988 ai u largua për të ndjekur studimet juridike në Harvard, ku u bë presidenti i parë afrikano-amerikan i revistës ligjore “Harvard Law Review”. Pas Harvardit, z. Obama u kthye në Çikago ku punoi si avokat mbrojtës për përfaqësues të shtresës më të pambrojtur në komunitetet e qytetit për çështje ligjore rreth banimit apo të diskriminimit të tyre në punë.
Ai është i martuar me Michelle, një avokate dhe çifti ka dy vajza, Malia dhe Sasha.
Raca
Senatori ishte ndjekës i rregullt i një kishe në Çikago për pothuajse dy dekada, por u largua prej saj në maj të vitit 2008 pasi predikimet kontraversiale të priftërinjve të saj pushtuan titujt kryesorë të gazetave. Njëri prej tyre, Jeremiah Wright, u citua të kishte thënë se sulmet e 11 shtatorit ishin të pritshme dhe se Zoti duhet ta mallkonte Amerikën për trajtimin "më pak se njerëzor" të amerikanëve me ngjyrë. Z. Obama paskëtaj u desh të merrej drejtpërsëdrejti me çështjen e racës dhe i bëri thirrje SHBA-së që ta tejkalonte historinë e saj të gjatë të pabarazisë racore. "Zemërimi është real; është i fuqishëm; dhe të urosh që ai të largohet vetë, do të thotë ta zgjerosh hendekun e keqkuptimit që ekziston mes racave", - tha ai. Z. Obama ishte kritik i hershëm i luftës në Irak dhe ka folur haptazi kundër saj disa muaj para pushtimit në mars 2003. Gatishmëria e tij për të folur me udhëheqësit iranianë pa parakushte, është kritikuar si e pakujdesshme nga rivali i tij republikan. Z. Obama shpesh me humor ka thënë se njerëzit e quajnë gabimisht "Alabama" apo "Yo Mama". Por tani që statura e tij po merr përmasa të reja në mes të fushatës frenetike, duket se nuk ka shumë gjasë që njerëzit t'ia shqiptojnë më emrin gabim