E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ratifikohet marrëveshja për bashkëpunim ndërkufitar me Maqedoninë e Malin e Zi

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ratifikoi dje dy marrëveshje të bashkëpunimit ndërkufitar me Maqedoninë e Malin e Zi. Dje ky komision ratifikoi marrëveshjen e financimit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Komisionit të Komunitetit Evropian për programin ndërkufitar me Maqedoninë, nën instrumentin e ndihmës së paraaderimit (IPA). Sipas relacionit bashkangjitur këtij projektligji, programi i bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë do të zbatohet deri në vitin 2013. Objektivi kryesor i programit është nxitja e marrëdhënieve ndërkufitare, fuqizimi i stabilitetit rajonal dhe rritja e mirëqenies në interes të përbashkët të të dyja vendeve. Po dje Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ratifikoi marrëveshjen e financimit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Komisionit të Komunitetit Evropian për programin ndërkufitar me Malin e Zi, nën instrumentin e ndihmës së paraaderimit (IPA). Sipas relacionit bashkangjitur këtij projektligji, programi i bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Mali të Zi do të zbatohet deri në vitin 2013. Programi ndërkufitar mbulon një territor prej 11.681 km2. Gjatësia e vijës kufitare ndërmjet të dyja vendeve është 210 km, nga të cilat 172 km janë kufij tokësorë dhe 38 km janë kufij ujorë të detit Adriatik, liqenit të Shkodrës dhe lumenjve malorë.

Fermerët e Elbasanit do dëmshpërblehen për misrin e skaduar

Të paktën 266 fermerë të qarkut të Elbasanit, të cilët u dëmtuan financiarisht nga fara e skaduar e misrit, të blerë nga kompania “Agroblend”, pritet të dëmshpërblehen plotësisht brenda ditëve të ardhshme. Drejtori i Bujqësisë së Qarkut të Elbasanit, Shkëlqim Elezi, tha dje për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se "po vazhdon verifikimi i parcelave, të cilat janë mbjellë me misër, fara e të cilit rezultoi e skaduar". Sipas tij, nga të dhënat e deritanishme rezulton se në Qarkun e Elbasanit janë mbjellë me misër 82 hektarë tokë, ndërkohë që numri i fermerëve është 266. "Me ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, shpërndarësit ekskluziv “Agroblend”, tregtarëve që tregtonin këtë farë si dhe përfaqësuesve të Entit Shtetëror të Farërave dhe Fidanëve, u vendos që të gjithë fermerët të dëmshpërblehen në masën e plotë", - theksoi Elezi. Në qarkun e Elbasanit, - vijoi ai, - janë ngritur katër komisione që po kryejnë matjet fizike dhe në përfundim të këtij procesi sqaroi Elezi "të gjithë fermerët e dëmtuar do të dëmshpërblehen me farë misri, duke iu referuar rendimentit mesatar të një viti më parë".

Ai shtoi se sipërfaqja prej 82 hektarë misër përbën vetëm 4 për qind të sipërfaqes totale të misrit të mbjellë këtë vit në qarkun e Elbasanit. Tashmë pritet që në ditët në vijim të kompania franceze "Aliseo" të sjellë kontingjentin e misrit, i cili do t'i shpërndahet fermerëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›