Zyrtare, BE-ja fton Shqipërinë të bëjë aplikimin para qershorit
Bashkimi Evropian u dha fund kritikave të mosbesuesve, sipas të cilëve, Shqipëria nuk duhet të aplikojë për fitimin e statusit kandidat për në BE gjatë presidencës çeke, pra para 30 qershorit. Gjatë një konference për shtyp dhënë dje nga ministri i jashtëm çek, si dhe nga homologu i tij suedez, Karl Bild, i cili merr presidencën pas qershorit, u bë e ditur se Shqipëria mirëpritet të bëjë aplikimin përpara qershorit. Ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarcenberg, u shpreh për median se Çekia është e lumtur se Shqipëria po bën aplikimin gjatë presidencës së saj. Ai tha se ndoshta procesi do të marrë pak më shumë kohë për dhënien e statusit për shkak procedurash. “Ne jemi shumë të lumtur që Shqipëria po aplikon gjatë presidencës sonë. Atëherë ndoshta procesi do të marrë pak kohë dhe gjatë presidencës suedeze që është po kaq mikpritëse sa presidenca jonë, unë jam i sigurt se Karl Bild do t’ju mbështesë po aq sa ju mbështes dhe unë”, - deklaroi Shvarcenberg. Pasuesja e Çekisë, Suedia, inkurajoi Shqipërinë të bëjë sa më shpejt aplikimin për të fituar kohë. “Dhe unë sigurisht e konfirmoj këtë gjë”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bild, duke konfirmuar deklaratën e homologut të tij çek. Ai u shpreh se fitimi i statusit do të kërkojë pak kohë për shkak të procedurave të vetë BE-së. “Dua të them se jeni gjithnjë të mirëpritur gjatë presidencës çeke si gjatë asaj suedeze. Por duhet kuptuar se pastaj do të pasojë një proces i gjatë, me përgatitjen e opinionit nga Komisioni dhe eventualisht me politika vendimmarrëse shtesë. Aplikimi dhe kalimi nga Këshilli tek Komisioni është shumë teknik dhe mund të marrë pak kohë gjithashtu”, - u shpreh Karl Bild.
Në deklaratën për mediat, ministri i Jashtëm çek, Shvarcenberg, inkurajoi Shqipërinë, duke thënë se momenti më i përshtatshëm për të dorëzuar aplikimin do të ishte brenda mandatit të presidencës çeke. Për Malin e Zi, që ka aplikuar për statusin kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, Shvarcenberg tha se Këshilli do t’i japë dritën jeshile Komisionit gjatë kësaj presidence që të fillojë me përgatitjen e opinionit. Ndërsa për Shqipërinë, çekët pranuan se nuk kanë dashur që vendi të aplikojë më parë, pasi për ta do të kishte qenë më e vështirë të mbronin dy vende njëherësh. I pyetur për procesin e zgjedhjeve në Shqipëri në muajin qershor, Shvarcenberg u shpreh se në rast se procesi mbyllet normalisht, atëherë rekomandimi për Shqipërinë do të rritet. “Ndoshta do të ketë zgjedhje të suksesshme dhe, nëse dëshmohet se do të zhvillohen me sukses të plotë, ky do të jetë rekomandimi më i mirë për Shqipërinë dhe për këtë gjë nuk ka asnjë dyshim”, - deklaroi ministri i Jashtëm çek, Shvarcenberg.
Fratini zëmërohet me BE-në: Liberalizoni vizat me Ballkanin
Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, ka mbetur i zhgënjyer nga takimi i ministrave të Jashtëm të të gjithë BE-së. Në përfundim të takimit të tyre në Bruksel, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian vlerësuan se për sa i përket liberalizimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, rruga do të jetë e vështirë. Në deklaratën e tij për shtyp, ministri i Jashtëm çek, Karel Shvarcenberg, tha se “brenda vendeve të bllokut ka dallime të shumta për sa i përket këtij regjimi”. Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, komentoi nga Brukseli letrën e dërguar pak ditë më parë BE-së për lehtësimin e regjimit të vizave për qytetarët e rajonit, duke argumentuar se Bashkimi Evropian ka një problem. Sipas tij, BE-ja nuk është e aftë të sigurojë unitet në politikën drejt Ballkanit Perëndimor. “Një herë një shtet bllokon diçka, herën tjetër, një tjetër”, - tha Fratini, duke shprehur keqardhje për shkak të praktikës së tillë. Ai argumentoi se vendimet e Bashkimit Evropian nuk duhet të bllokohen në tërësi për shkak të problemeve specifike të shteteve individuale. Sllovenia dhe Italia janë shprehur pro vazhdimit të mbështetjes së tyre për Ballkanin në rrugën e tij drejt integrimit evropian dhe të angazhuar për liberalizim sa më të shpejtë të regjimit të vizave për qytetarët e rajonit. Katinka Barish, zv.drejtore për Qendrën e Reformës Evropiane me seli në Londër, tha se rezistenca e treguar së fundmi nga blloku për sa i përket zgjerimit me vendet e Evropës Lindore, është e rrezikshme. Barish sqaron se shumica e këtyre vendeve janë prekur nga kriza ekonomike dhe do të ishte shumë më e lehtë për ta nëse do të kishin si guidë perspektivën për anëtarësim në bllok. “Qeverive evropiane, -paralajmëron ajo, - u mungon vizioni”. “Ata duhet të përmbyllin një marrëveshje xhentëlmenësh për të mos vendosur veton ndaj zgjerimit e për më tepër duhet të lejojnë vazhdimin e aplikimeve për anëtarësim të të gjitha vendeve të Ballkanit”, - tha Barish. Sipas saj, një alternativë tjetër joevropiane për këto vende do të shtynte rajonin drejt paqëndrueshmërisë politike, kaosit ekonomik dhe zhgënjimit të shumë popujve.
Senatori De Gregorio: Italia, mbështetje Shqipërisë për anëtarësim në BE
“Shqipëria e ka merituar NATO-n, por sfida tjetër do të jetë Bashkimi Evropian, ku Italia do ta mbështesë pa rezerva”. Kështu deklaroi dje senatori italian, Serxho de Gregorio. Senatori, kryetar i delegacionit italian në Asamblenë e NATO-s, vizitoi Shqipërinë, ku u takua me zyrtarët më të lartë të vendit. Ai garantoi se Italia do të japë mbështetje maksimale për Shqipërinë, si për integrimin në BE, ashtu edhe për liberalizimin e shpejtë të vizave. Një rikonfirmim i tillë për politikën shqiptare, pak ditë nga samiti i Strasburgut, vjen nga delegacioni italian në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. “Reformat janë hapi tjetër. Ky rezultat i Shqipërisë në NATO i paraprin aksesit për në BE, ku ju do të gjeni te Italia mbështetje të sigurt. Do të ndërmarrim çdo hap diplomatik dhe politik që kjo të ndodhë në kohë dhe sipas rregullave të unionit, por progresi është i dukshëm”, - u shpreh Serxho de Gregorio. Shqipëria, brenda pak javësh do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe këtë qëndrim ia shprehën Berishës edhe politikanë të rëndësishëm që ndodheshin në delegacionin e Serxho de Gregorios. Ish-Kryeministri Lamberto Dini dhe ish-kryetari i senatit, Franko Martini, vlerësuan reformat e Shqipërinë në takimin me Kryeministrin Berisha. Ata deklaruan se Shqipëria do të jetë një vlerë më shumë në NATO, si dhe do të kontribuojë për më shumë siguri në rajon.
Turku betohet mbi Kushtetutën e Shqipërisë
Ministri i ri i Kulturës, Adrian Turku, u betua dje mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë se do të respektojë ligjin gjatë detyrës së tij. Ceremonia e betimit u zhvillua dje në Pallatin e Brigadave. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit nga sekretari i përgjithshëm i institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, me dorë në Kushtetutën e Shqipërisë, Turku bëri betimin përpara Presidentit të Republikës. Kreu i shtetit, Bamir Topi, pasi i dorëzoi dekretin ministrit të ri të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i shprehu urimet më të mira për të përmbushur me sukses detyrën e lartë. Adrian Turku vjen në këtë detyrë pas shkarkimit të ish-ministrit Ylli Pango për thyerjen e detyrimeve të tij si ministër. Në ceremoninë e betimit të Turkut morën pjesë deputetët e Elbasanit, Dashnor Sula dhe Aurel Bylykbashi, prefekti Shefqet Deliallisi, rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, shkrimtari Fatos Kongoli dhe artisti Alfons Balliçi, si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit.