E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet serbe, Prishtina: Vendimi, në momentin e duhur

Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë vendim të prerë se si do të sillet në rastin e paralajmërimit të Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në dy komuna të Kosovës, më 16 gusht. Zëdhënësi Memli Krasniqi tha se qeveria do të marrë një vendim adekuat rreth këtyre zgjedhjeve të paralajmëruara në momentin më të përshtatshëm. Ndërkohë, partitë politike konsiderojnë se Beogradi nuk ka kurrfarë mandati që të organizojë zgjedhje të lira në territorin e Kosovës, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme.

LDK

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se askush nuk ka autoritet të ndërhyjë në Kosovë dhe të menaxhojë apo organizojë procese zgjedhore. Ndaj, ai pret nga qeveria dhe institucionet e pranisë ndërkombëtare të reagojnë dhe mos të lejojnë mbajtjen e tyre. Haziri thotë gjithashtu se institucionet paralele në Kosovë duhet të shkrihen përgjithmonë, kurse komuniteti serb të integrohet në kuadër të sistemit legal të Republikës së Kosovës.

"Strukturat paralele në Kosovë, të cilitdo vend qofshin, të cilësdo parti, duhet të shpërbëhen në tërësi, duhet të shkrihen, duhet të eliminohen, sepse nuk i ndihmojnë procesit, e aq më shumë që shteti serb, fqinji verior i Kosovës, po vazhdon të sjellë në Kosovë probleme të tilla. Kosova ka kapacitete për t‘i refuzuar ato", shtoi Haziri. Ai pret që autoritetet ndërkombëtare, të pranishme në Kosovë, kësaj radhe të mos lejojnë ndërhyrjen e Serbisë dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

AAK

Një qëndrim edhe më të ashpër kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë e mban Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se lejimi i mbajtjes së këtyre zgjedhjeve nënkupton lejim të shkeljes në sovranitetin e shtetit të Kosovës.

"Këto zgjedhje shkelin sovranitetin e Kosovës, janë në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat në Kosovë. Janë në kundërshtim me jetën demokratike në Kosovë, ndaj institucionet e vendit e kanë për obligim të reagojnë, në mënyrë që të mos lejojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve ilegale, qofshin të parakohshme apo të rregullta", u shpreh ai.

Serbët

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliq, thotë se autoritetet në Beograd kanë konstatuar se për Komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës duhen organizuar zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi është vërejtur se këto komuna nuk po funksionojnë. Për Prishtinën, Beogradi parashikon të mbajë zgjedhje në Graçanicë, vendbanim ky i populluar me shumicë serbe, kurse për Pejën në Gorazhdec. Veliq nuk pajtohet me institucionet e Kosovës, se këto zgjedhje do të prodhonin struktura paralele.

"Nuk pajtohem që këto janë struktura paralele. Sigurisht që zgjedhje të tilla duhet të mbahen. Institucionet formohen që t‘u dalin në ndihmë qytetarëve serbë në realizimin e të drejtave të tyre", tha Veliq.

Qëndrimi

Ndërkohë, mungesa e qëndrimit të qartë të qeverisë së Kosovës mendohet se mund të jetë e ndërlidhur me konsultimet shtesë që u duhen autoriteteve vendase me ato ndërkombëtare. Sidoqoftë, Serbia edhe në të kaluarën ka organizuar zgjedhje në Kosovë, pavarësisht kundërshtimit të autoriteteve kosovare, përderisa prania ndërkombëtare në vazhdimësi është deklaruar se nuk i organizon, por as nuk i pengon zgjedhjet e tilla. Kësaj radhe bëhet fjalë për zgjedhje të jashtëzakonshme, që Beogradi po organizon për dy komuna në Kosovë. Me mbështetjen e Beogradit, serbët lokalë kanë organizuar institucione paralele, siç është ai i Kuvendit të komunave serbe të Kosovës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›