Zgjedhjet serbe në Kosovë, agresion ndaj shtetit
Gashi ka përmendur edhe EULEX-in, për të cilin ka thënë se është një instrument i përkohshëm në ndihmë të institucioneve të Kosovës, dhe se, sipas tij, ndihma e faktorit ndërkombëtar nuk duhet të jetë objektiv politik i një partie, por vetëm mjet që mund të përdoret përkohësisht.
Gashi shprehet se marrëveshja me Serbinë nuk ka qenë transparente, edhe pse sipas ligjit çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të ratifikohet në Kuvend nga dy të tretat e deputetëve.
“Ligjet në funksion dhe kushtetua obligojnë institucionet e Kosovës që çdo marrëveshje ndërkombëtare të kalojë nëpërmjet Kuvendit dhe të ratifikohet, në qoftë se ratifikohet, dhe po ashtu ka rezoluta të Kuvendit të Kosovë të cilat e detyrojnë përfaqësuesen në bisedime me Serbinë që t’i raportojë Kuvendit, këto janë rezoluta në fuqi dhe LDK-ja kërkon që të respektohen këto rezoluta”, ka thënë ai.
Ndërsa, për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosova, Gashi ka pohuar se është agresion ndaj territorit të vendit.
“Është detyrë kushtetuese dhe ligjore e institucioneve të Kosovës që të shtrijë autoritetin në tërë territorin e Kosovës dhe përballen me çfarë forme të agresionit që mund të ushtrohet ndaj territorit të Kosovës, në këtë rast kjo mund të konsiderohet si një agresion i territorit të Kosovës në kuptimin e organizimit të zgjedhjeve nga një shtet brenda territorit të Kosovës”, ka thënë ai.
Gashi këto i ka folur në një konferencë për media ku ka shpalosur programin e LDK-së nga fusha e qeverisjes dhe shtetit ligjor.
Sipas këtij programi, thuhet se meqë ka papunësi strukturore, ngecje në zhvillimin ekonomik, korrupsion të lartë dhe krim të organizuar, mungesë të shtrirjes së autoritetit të shtetit në tërë territorin e vendit, ekzistim të strukturave paralele dhe kriminale, duhet që patjetër të ketë qeverisje demokratike dhe legjitime, sundim të ligjit dhe të rendit me qëllim të forcimit të shtetit të Kosovës.
LDK-ja, në bazë të këtij programi, shprehen të vendosur për luftimin e pakompromis të kriminalitetit, korrupsionit, krimit të organizuar, krimit ekonomik, trafikimit të qenieve njerëzore, eliminimit të strukturave paralele, dhe formave dhe llojeve të tjera të kriminalitetit, dhe që sipas kësaj partie, kjo arrihet vetëm me njerëz që kanë duar të pastra dhe që janë të përgjegjshëm.
LDK-ja, gjithmonë duke iu referuar programit që kanë shpalosur të premten, synon që sistemi i drejtësisë dhe i sigurisë në Kosovë të jetë funksional, profesional, i depolitizuar, i integruar dhe i shtrirë në tërë territorin e vendit, në përputhje me standardet evropiane në fushën e ligjit dhe të sigurisë. Në fushën e gjyqësisë, thonë se do të angazhohen për ngritjen dhe profesionalizimin e gjyqtarëve dhe garantimin e mirëqenies dhe të sigurisë së tyre. Ndërsa në fushën e sistemin të hetimit dhe të prokurorisë, do të angazhohen për reformimin e vazhdueshëm të organit të akuzës dhe fuqizimin e saj, si parakusht për luftimin efikas dhe efektiv të kriminalitetit.
Gjithashtu thuhet se janë të përkushtuar për një prokurori të pavarur dhe të paanshme, pastaj do angazhohet që forcat e sigurisë të shndërrohet ne ushtri të Kosovës si dhe janë përkrahës të mbështetjes dhe zhvillimit të një shërbimi të inteligjencës profesional dhe të depolitizuar. /Kosovapress/