Venecia: Ndryshimet kushtetuese dobësuan kryeprokurorin
Komisioni i Venecias i cilëson amendamentet kushtetuese të miratuara në prill 2008 në përgjithësi në përputhje me standardet evropiane. Por ai vëren dy defekte, të cilat duhej të ishin diskutuar dhe parë më mirë. Tre reporterët e këtij komisioni, italiani Sergio Bartole, britaniku Jeffrey Joëell dhe estonezi Oliver Kask, arrijnë në përfundimin se “pjesa më e madhe e amendamenteve mund të vlerësohen si përmirësime apo qartësime të tekstit ekzistues”. Por, sipas tyre, nenet 104 mbi votëbesimin dhe nenin 149 mbi Prokurorin e Përgjithshëm duheshin parë më mirë. Sipas tyre, “amendamenti në fjalë për më tepër duket me keqardhje një hap prapa, duke e bërë këtë institucion më pak të pavarur”.
Komisioni i Venecias gjykon se neni 149, ai për vendosjen e mandatit për Prokurorin e Përgjithshëm rrezikon ndërhyrjen në paanshmërinë e kreut të akuzës, sidomos për periudhën kur ai vendos të rizgjidhet. Venecia sugjeron për këtë shembullin e Ukrainës, një mandat nga 5-7 vjet për Prokurorin e Përgjithshëm. Gjithashtu Komisioni i Venecias e cilëson rritje të kompetencave të ekzekutivit nenin 149 në lidhje me mocionin e votëbesimit për kryeministrin. Sipas Venecias, “ky ligj mund të konsiderohet dhe si forcim i ekzagjeruar të pozitës së kryeministrit. Zgjidhja e mëparshme dukej më e balancuar, sepse presidenti mund të kishte mundësinë të vendoste nëse do të ishin më pozitive zgjedhjet e reja apo një qeveri e re”.