E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, sot përfundon afati për regjistrimin e kandidatëve në KQZ

TIRANË- Data e sotme, 28 mars, është afati i fundit ligjor për regjistrimin e kandidatëve të partive për kryetarë bashkish dhe komunash, që do të konkurrojnë në zgjedhjet vendore të 8 majit.
Gjatë ditës së sotme pritet që dy partitë kryesore në vend, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste të regjistrojnë kandidatët e koalicioneve të tyre brenda këtij afati, që skadon në orën 24:00 të ditës së sotme.
Një ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD-së miratoi dhe shpalli listën e plotë të kandidatëve të përzgjedhur që do të konkurrojnë për 383 njësitë vendore në shkallë vendi.
Ndërkohë që PS pritet të mbledhë sërish sot gjatë orëve të mesditës kryesinë e saj ku do të zyrtarizohen dhe kandidatët socialistë në këto zgjedhje.
Për zgjedhjet vendore, do të konkurrojnë 56 subjekte politike, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione- koalicioni i djathtë "Aleanca për Qytetarin", i kryesuar nga PD në pushtet dhe që përfshin 22 parti dhe koalicioni i majtë "Aleanca për të Ardhmen", i drejtuar nga PS, që përfshin 23 parti.
11 subjekte të tjera zgjedhore kanë vendosur të konkurrojnë të vetme në zgjedhjet e 8 majit, mes të cilave dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që pak ditë më parë refuzoi të jetë pjesë e koalicionit të majtë, pasi siç u përfol, aleatja e saj, Partia Socialiste, nuk mbështeti rikandidimin e Vasil Bollanos në krye të bashkisë së Himarës.
Ndërkohë, zyrtarisht fushata zgjedhore pritet të hapet më datën 8 prill.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›