E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faktori bullgar në bisedimet për emrin e Maqedonisë

TIRANE - Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, duhet t’ia kenë prishur humorin e festës së fitores së zgjedhjeve parlamentare të 5 qershorit qëndrimi i ri, që shpalli Presidenti i Bullgarisë, Georgi Purvanov, mbi të drejtën e shtetit bullgar, që të dëgjohet edhe zëri bullgar në tratativat e stërzgjatura mes Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë. Në një konferencë shtypi, në Ljubjanë më 6 qershor, gjatë vizitës në Slloveni, presidenti bullgar shpalli për herë të parë publikisht interesin e drejtpërdrejtë të shtetit bullgar për formulat e kompromisit për emrin, që do të dalë nga bisedimet mes Athinës dhe Shkupit. Në shprehjen e qëndrimit të shtetit bullgar, Purvanov parashtroi tri elemente, të cilat në një mënyrë ose tjetër, nuk mund të mos merren në konsideratë, si nga diplomacitë e dy shteteve, që po rropaten prej 18 vjetësh për të gjetur ombrellën e përbashkët të një emri të pranueshëm, ashtu dhe nga institucionet ndërkombëtare, të angazhuara direkt ose indirekt për zgjidhjen e konfliktit për emrin, që nga OKB-ja e deri tek NATO dhe BE-ja. Në këtë mënyrë, nga Sofja zyrtare bëhet i pranishëm një faktor bullgar në bisedimet për emrin e Maqedonisë, pavarësisht se ndodhet jashtë tavolinës dypalëshe-Athinë-Shkup dhe pa kërkuar pjesëmarrje në të.
Presidenti bullgar u shpreh qartë se Sofja e konsideron të papranueshëm një emër gjeografik për Maqedoninë. Emra si "Maqedonia e sipërme" apo "Maqedonia Veriore" duhet të komentohen në kontekstin gjeografik se edhe Maqedonia e Pirinit, që është territor bullgar, është pjesë e Maqedonisë së sipërme apo e Maqedonisë së Veriut, - theksoi Purvanov. Kjo do të thotë se për diplomacinë dhe shtetin bullgar, emërtimi gjeografik i shtetit të Maqedonisë, që ka kryeqytet Shkupin, do të implikonte pretendime territoriale për pjesë të territorit bullgar, që është Maqedonia e Pirinit. Ridel në skenë i njëjti argument, që ka pasur vazhdimisht Greqia kundër emrit kushtetues të Shkupit, se ai emër implikon pretendime territoriale ndaj Greqisë. Në këtë mënyrë tani bëhen dy shtete, si Greqia, ashtu dhe Bullgaria, të cilat shprehen se nuk mund të pranojnë një emër të Shkupit, i cili do të hapte rrugën për pretendime territoriale ndaj tyre. Qëndrimet e Greqisë dhe të Bullgarisë puqen edhe në faktin se si njeri, ashtu dhe tjetri shtet, ndonëse nga pikënisje të ndryshme, nuk e njohin as kombin dhe as identitetin maqedonas të shtetit me kryeqytet Shkupin.
Elementi i dytë ka të bëjë me faktin se Presidenti i Bullgarisë ngriti problemin që emërtimi gjeografik do të krijojë shqetësim në opinionin publik bullgar. Ai deklaroi se një çështje, që mund të ngrihet është se çfarë do të thotë popullsia bullgare, që jeton në zonën e Maqedonisë së Pirinit. Ky është një mesazh se diplomacia dhe shteti bullgar e konsiderojnë çështjen e emrit një çështje të ndjeshme kombëtare të opinionit publik bullgar. Ajo, që derivon nga një premisë e tillë, është se diplomacia bullgare, jo vetëm do të ndjehet e detyruar ta marrë në konsideratë opinionin publik të vendit të vet, por edhe mund ta konsultojë atë opinionin publik për efektet e një emri, që mund të marrë Maqedonia.
Elementi i tretë dhe sigurisht më i rëndësishmi, është paralajmërimi me kortezi diplomatike, që bëri Presidenti i Bullgarisë, kur deklaroi se "Ne bullgarët do të gjejmë një mënyrë për të shprehur qëndrimin tonë në këtë çështje". Me këtë jepet një sinjal i qartë se diplomacia bullgare do të jetë aktive dhe do të shfrytëzojë tërë hapësirat, që disponon në arenën rajonale dhe ndërkombëtare, në drejtim të mbrojtjes së qëndrimit dhe të interesave të saj për emrin e ardhshëm të Maqedonisë. Në planin diplomatik duket se kemi një implikim rajonal të çështjes së emrit, përderisa del një shtet fqinj i Maqedonisë dhe i Greqisë, i cili afishon tani të drejtën e tij për t'u dëgjuar në formulimet e emrit, që dy palët do të mund të bien dakord. Në fakt Bullgaria është shteti i parë, që e ka njohur emrin kushtetues Republika e Maqedonisë. Por, largimi nga ky emër ka ndezur shqetësimin e Sofjes për emrin e ri, që do të bihet dakord. Në qarqet diplomatike, që merren me çështjet e Ballkanit, ka qenë e njohur prej kohësh se diplomacia dhe shteti bullgar kishin paraqitur rezervat e tyre për formula të ndryshme, që qarkullonin gjatë ecurisë se bisedimeve mes Athinës dhe Shkupit për emrin. Por është hera e parë, që në nivelin më të lartë të shtetit, gjykohet të dalë presidenti dhe të paraqesë këto rezerva. Detaj jo i parëndësishëm është edhe fakti se Presidenti Bullgar e ngre këtë çështje, një javë pasi është takuar dhe ka zhvilluar bisedime në Sofje me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.
Analiza diplomatike, që mund të bëhet nga kjo paraqitje publike e Presidentit, për të drejtën e marrjes parasysh të faktorit bullgar në përcaktimin e emrit të Maqedonisë, evidenton dy çështje.
Së pari, që çështja e emrit të Maqedonisë, sipas burimeve diplomatike të mirëinformuara po lëviz diçka nga vendi, për shkak të presionit të fortë të SHBA-së dhe të BE-së dhe Bullgaria e sheh të nevojshme t'u kujtojë dy shteteve fqinj se nuk mund të neglizhojnë në hapat e tyre të fundit interesin e saj për emrin e ri.
Së dyti, fakti që presidenti bullgar e vlerësoi se është momenti ta paraqesë në publik ekzistencën e faktorit bullgar, do të thotë se deri tani interesi bullgar për emrin me sa duket nuk ka gjetur konsiderimin e duhur dhe Bullgaria sinjalizon një fazë të re të veprimit të saj diplomatik, ku mund të parashikohen hapa të ndryshme të saj. Nuk duhet harruar se Bullgaria, ashtu si Greqia është anëtare e NATO-s dhe e BE-së, dhe ashtu si Greqia, edhe ajo gëzon të drejtën e vetos së bllokimit apo të vonimit të procesit të integrimit europian dhe atlantik të Maqedonisë. Sado e largët mund të duket një alternativë e tillë, në qarqet diplomatike është e njohur se mesazhe për atunë e Bullgarisë në çështjen e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë i janë dërguar herë pas here Shkupit.
Qëndrimi i ri i Bullgarisë për çështjen e emrit të Maqedonisë natyrisht që e bën më të komplikuar klimën dhe rrethanat rajonale të bisedimeve për emrin. Pavarësisht se Sofja e ka deklaruar shpeshherë se çështja e emrit është dypalëshe dhe se ajo do të mbështesë "miqtë tanë Maqedoninë dhe Greqinë", siç u shpreh Purvanovi, të gjejnë një kompromis, e vërteta është se qoftë Athina, qoftë Shkupi, nuk mund të mos e mbajnë shënim këtë sinjal të ri, që vjen nga një shtet i rëndësishëm fqinj me ta. Është jashtë çdo dyshimi se Sofja nuk besohet se do të kërkojë të jetë pjesë e bisedimeve dypalëshe mes Athinës dhe Shkupit për emrin. Por duke paraqitur një qëndrim publik, ajo u bën të njohur dy shteteve ballkanike, që po bisedojnë, ashtu dhe krejt rajonit, se ekziston një faktor bullgar për konsiderim dhe Bullgaria nuk mund të pranojë emra dhe referenca, që mund të shërbejnë, qoftë edhe në mënyrë virtuale, si bazë për pretendime për territoret e saj.
Është interesant të nënvizohet se Bullgaria, që është shtet anëtar i NATO-s dhe i BE-së, i jep rëndësi të veçantë masave profilaktike kombëtare dhe shtetërore ndaj mundësive, qoftë dhe teorike, të pretendimeve të shteteve të tjera ndaj integritetit të saj territorial. Në këtë kuadër del një mësim i rëndësishëm aktual se anëtarësimi në NATO dhe në BE nuk do të thotë dobësim apo shuarje e detyrës shtetërore për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të territoreve kombëtare. Është një mësim i rëndësishëm edhe për shtetet e tjera të Ballkanit, ku brilantina e integrimit euroatlantik ka trullosur disa grupe levantinësh, që i bëjnë hosanara iluzioneve të federatave të integruara ballkanike dhe neglizhimit të interesave kombëtare. Interesat kombëtare janë mbi ideologjitë dhe mbi format shoqërore të regjimeve, qofshin socialiste, qofshin kapitaliste.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›