E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet super të monitoruara

Zgjedhjet në Shqipëri morën një vëmendje të veçantë nga media e huaj gjatë ditëve të fundit, kryesisht për shkak se mosrespektimi i standardeve ndërkombëtare mund të dëmtojë jo vetëm imazhin e Shqipërisë, por edhe imazhin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO. Jo vetëm agjencitë kryesore të lajmeve, por edhe gazeta nga vende të largëta si Norvegjia, dërguan korrespondentët e tyre në Tiranë për të mbuluar zgjedhjet. Dhuna parazgjedhore, dokumentet e identifikimit të votuesve, si dhe fakti se nëse zgjedhjet dalin me probleme, procesi i anëtarësimit në BE shtyhet edhe për shumë vite, janë shqetësimet kryesore të pasqyruara. "Nesër do të jetë një test kritik për Shqipërinë, i vetmi vend në Europën Juglindore që nuk ka zhvilluar ende asnjë palë zgjedhje të certifikuara si të lira dhe të ndershme nga OSBE. Pa certifikatën e OSBE, aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, thjesht do të harrohet, gjë që do ta lërë vendin shumë-shumë pas Kroacisë dhe Maqedonisë në këtë proces", - shkruan korrespondenti i "Financial Times" për Ballkanin, Kerin Hope. "Associated Press" vë theksin te premtimi i Kryeministrit Sali Berisha për zhvillimin e zgjedhjeve "të lira dhe të ndershme". "Deutsche Welle" kujton veçanërisht faktin se dhuna paraelektorale sakaq ka vënë në dyshim standardet ndërsa së paku teorikisht, 250 mijë shqiptarë me të drejtë vote nuk kanë shans të votojnë për shkak se nuk kanë as pasaportë dhe as kartë identiteti. Radio gjermane vlerëson se zgjedhjet do të "vëzhgohen imtësisht" nga mbi 500 vëzhgues të huaj, diçka e pazakontë kjo për një vend që pretendon të hyjë në Europë. Media ndërkombëtare vlerëson gjithashtu se problemet parazgjedhore sakaq rrezikojnë damkosjen e re të Shqipërisë si një vend pa kredenciale demokratike, ndërkohë që vetë nderi i NATO-s si aleancë e vendeve demokratike mund të dëmtohet në rast se anëtari i saj më i ri, dështon. Rrjeti televiziv evropian "Euronews" i kushton vëmendje edhe krizës ekonomike. Gazetari e injoron vlerësimin e qeverisë për rritje ekonomike prej 4.5 përqindësh për këtë vit dhe beson të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që parashikojnë rritje gati zero. "New York Times" i kushton vëmendje faktit se zgjedhjet e parregullta mund të shtojnë izolimin që Shqipëria po përjeton aktualisht si pasojë e mungesës së marrëveshjeve të lëvizjes së lirë me vendet e Bashkimit Europian.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›