E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fleta e votimit, si do të votojnë shqiptarët

Në zgjedhjet për Kuvendin, në qendrën e votimit vendoset vetëm një kuti votimi. Fleta e votimit përmban siglat dhe emrat e koalicioneve që garojnë për në zgjedhje dhe partive që bëjnë pjesë. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën e votimit shënon në krah të emrit të partisë a koalicionit shenjën "x" ose "+", apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij. Votuesi ka mundësinë të zgjedhë një subjekt politik të shënuar në fletën e votimit. Vota e dhënë për këtë subjekt është automatikisht votë edhe për koalicionin ku bën pjesë ky subjekt politik. Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi, pasi del nga dhoma e fshehtë, e hedh fletën e votimit në kutitë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit. Sakaq, sfida elektorale mes partive politike po shndërrohet dalëngadalë në garë numrash. Pozicioni i subjekteve zgjedhore në fletën e votimit është bërë objekt i spoteve publicitare dhe posterave të afishuara në çdo kënd rruge. Në modelin zyrtar të fletës së votimit, të miratuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i parë është pozicionuar ai i "Aleancës për Ndryshim". Subjekti që kryeson fletën e votimit është Aleanca Demokratike e Neritan Cekës (PAD), që mban numrin një. Pas saj, brenda koalicionit demokrat vijnë subjektet e tjera: Bashkimi Liberal Demokrat i Arian Starovës ka numrin dy; Lidhja Demokristiane Shqiptare e Nikollë Lesit ka numrin tre; Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë mban numrin katër; Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Evropian ka numrin pesë. Më tej, në fletën e votimit qytetarët do të mund të shohin në numrin gjashtë Partinë Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet; Partia Balli Kombëtar mban pozicionin e shtatë; Partia Balli Kombëtar Demokrat përkon me numrin tetë; Partia Demokracia e Re Evropiane ka numrin nëntë. Partia Demokratike, forca kryesuese e koalicionit të së djathtës, ka numrin 10 në fletën e votimit. Pas saj vjen Partia e të Drejtave të Mohuara e Re që mban numrin 11; Partia Forca Albania ka numrin 12; Partia Lëvizja e Legalitetit mban numrin 13; Partia Ora e Shqipërisë e Zef Shtrefnit ka numrin 14. Dy partitë që mbyllin listën e koalicionit "Aleanca për Ndryshim", në fletën e votimit janë Partia për Drejtësi dhe Integrim që përkon me numrin 15 dhe Partia Republikane Shqiptare që ka numrin 16. Pas koalicionit kryesor të së djathtës, vjen grupimi politik "Poli i Lirisë". Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit mban numrin 17 në fletën e votimit; Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar ka numrin 18; Partia Demokristiane e Shqipërisë me kryetar Nard Ndokën mban numrin 19; Partia e Reformave Demokratike Shqiptare ka numrin 20. Në pozicionin e 21-të është rreshtuar Partia Konservatore Shqiptare dhe në atë të 22-të ndodhet Partia Rruga e Lirisë. Grupimi i tretë politik që radhitet në fletën e votimit është "Aleanca Socialiste për Integrim". Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut ka numrin 23; Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës mban numrin 24; Partia e Gjelbër është pozicionuar në vendin e 25. Brenda këtij koalicioni ndodhen edhe tri parti të tjera: Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve që është pozicionuar në vendin e 26. Ata që do të duan të votojnë për Partinë Socialiste e Vërtetë 91 e gjejnë në fletën e votimit me numrin 27 ndërsa Partia Toleranca e Re e Shqipërisë mban numrin 28. Koalicioni i fundit që është radhitur në fletën e votimit është "Bashkimi për Ndryshim". Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mban numrin 29; Partia Demokracia Sociale ka numrin 30; Partia G99 është radhitur në vendin e 31 e ndjekur nga Partia Socialdemokrate në të 32-in. Partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste, mban vendin e 33-të në fletën e votimit. Zgjedhësit në ditën e votimit do të shohin se Partia Ligj dhe Drejtësi, e drejtuar nga Spartak Ngjela, mbyll fletën e votimit duke qenë në pozicionin e 34-t.

Ministria:

Kartat? Zyrat janë të

hapura deri në 19:00

Ministria e Brendshme bëri dje me dije se qendrat e shpërndarjes së kartave të identitetit do të jenë të hapura nga ora 09:00 deri në 19:00. Ashtu siç paralajmëroi disa ditë më parë, Ministria e Brendshme theksoi se zyrat e tërheqjes së kartave do të qëndrojnë të hapura deri në momentin kur do të mbyllen qendrat e votimit. Personat që ende nuk kanë tërhequr kartën e identitetit dhe nuk disponojnë një pasaportë, kanë të drejtë sot për të shkuar në qendrat e shpërndarjes të tërheqin kartën dhe më pas të votojnë.

Nëpërmjet një komunikate zyrtare, Ministria e Brendshme sqaroi se afati për tërheqjen e kartave të identitetit është caktuar deri në orën 19:00 të ditës së diel. Janë gjithsej mbi 1.4 milionë shqiptarë që kanë aplikuar për të marrë kartën e identitetit dhe kanë ngelur prej tyre vetëm 160 mijë persona, të cilët nuk kanë tërhequr ende kartat. Përpos tyre janë edhe mbi 250 mijë persona të cilët nuk kanë as pasaportë dhe as kartë identiteti, duke u përjashtuar në mënyrë kategorike nga votimi ditën e sotme. Por ajo që ngelet për t‘u parë është fakti se nëse do të ketë apo jo sot në qendrat e votimit persona të cilët do të paraqiten për të votuar pa pasaportë dhe pa kartën e identitetit. Pak orë para hapjes së qendrave zgjedhore, ministria njoftoi se kërkon që të gjithë qytetarët të cilët nuk i kanë marrë kartat, të shkojnë dhe të pajisen me to, për të pasur mundësi që deri në minutat e afatit të fundit të shkojnë për të votuar. Në këtë deklaratë, ministria u kërkon gjithashtu të gjithë qytetarëve të marrin pjesë në votime. "Për t‘u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë aplikuar dhe nuk e kanë tërhequr ende letërnjoftimin, gjithashtu dhe për t‘ua mundësuar të drejtën e votës deri në minutën e fundit, zyrat e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike do të funksionojnë edhe të dielën gjatë gjithë ditës, nga ora 09:00 e mëngjesit deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë kohën dhe lehtësitë e krijuara, të tërheqin letërnjoftimet për të cilat kanë aplikuar dhe të ushtrojnë të drejtën e ligjshme për të votuar", tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Vlen të theksohet se karta e identitetit ose pasaporta janë dy dokumentet e vetme të vlefshme në votime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›