E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, apel votuesve: Merrni pjesë në zgjedhje

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u bëri thirrje dje gjithë shqiptarëve të marrin pjesë në zgjedhje dhe të japin kontributin e tyre për të realizuar zgjedhje sipas standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Meta theksoi se këto janë zgjedhje historike për Shqipërinë. Ai u shpreh se është rasti që standardet e zgjedhjeve të na rendisin si anëtarë dinjitozë të NATO-s dhe aspirantë për në BE. Kreu i LSI-së u takua dje me delegacionin e parlamentarëve europianë dhe amerikanë, që janë në Shqipëri për monitorimin e zgjedhjeve dhe shprehu vlerësimin për angazhimin e tyre maksimal për të mos lejuar asnjë parregullsi. Ai sqaroi se LSI-ja ka ngritur një Network të posaçëm për ndjekjen, monitorimin dhe denoncimin e parregullsive ku përfshihen rrjeti i vëzhguesve dhe komisionerëve, si dhe grupet e posaçme të ngarkuara për këtë qëllim, në bashkëpunim me konsulentët dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë. Meta u bëri thirrje gjithë strukturave të LSI dhe çdokujt tjetër të angazhuar në procesin zgjedhor të veprojnë me përgjegjësi të lartë qytetare dhe të kuptojnë rëndësinë historike të zgjedhjeve. Për të ruajtur standardet e kërkuara, Meta u bëri thirrje votuesve të denoncojnë çdo parregullsi në procesin e votimit, te përfaqësuesit dhe vëzhguesit e LSI dhe ata ndërkombëtarë, që janë aty për të ruajtur të drejtën e votës së lirë, për të ruajtur rregullsinë dhe standardet e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›