E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selami: Politika është pjekur, Shqipëria do ta kalojë këtë test

Ish-kryetari i Partisë Demokratike në vitet e para të pluralizmit, Eduard Selami, flet për procesin e sotëm zgjedhor në Shqipëri. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", ai analizon rëndësinë që kanë këto zgjedhje për qytetarët dhe të ardhmen europiane të vendit.

Zoti Selami, a do të jetë Shqipëria në gjendje të zhvillojë zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare. Është një mundësi sigurisht, por a mendoni se është edhe një sfidë për anëtaren më të re të NATO-s?

Mendoj se Shqipëria do ta kalojë këtë sfidë me shumë sukses. Siç e dini, jam një optimist i pandreqshëm. Unë kam qenë optimist edhe për zgjedhjet e mëparshme dhe më vjen shumë mirë që Shqipëria e kaloi atë test dhe arriti në këtë pikë. Siç e përmendët edhe ju, anëtarësimi në NATO është një fitore e jashtëzakonshme për të gjitha forcat politike dhe për shqiptarët. Jam mjaft optimist dhe kam bindjen se këto zgjedhje do të jenë të parat që nuk do të kontestohen, kundërshtarët do të urojnë fituesin dhe të dy bashkë do të shtyjnë punët më tej në drejtim të përparimit të suksesshëm europian.

Zoti Selami, sistemi i ri zgjedhor që ka zbatuar Shqipëria është ende i paprovuar, por po kritikohet për pasojat e tij. Një prej kritikave ka të bëjë me faktin se dy liderët kryesorë të partive politike i kanë shtuar së tepërmi kompetencat e tyre. Aq sa deputetët do të jenë të kufizuar deri diku për shkak të besnikërisë që do të kenë ndaj udhëheqësve. Do doja të dija mendimin tuaj për këtë?

Është një shqetësim i drejtë. Megjithatë, kam qenë në disa vende si vëzhgues ndërkombëtar. Nuk mendoj se një sistem është absolutisht prioritar ndaj një tjetri. Me të drejtë ju shtruat shqetësimin se ky sistem që quhet proporcional shton merakun për rritjen e fuqisë të liderit partiak, por, nga ana tjetër, krijon premisa për një stabilitet politik. Si të thuash, këto të dyja balancojnë njëra-tjetrën. Nuk mendoj se ky sistem është një tregues për të vërtetuar lirinë e zgjedhjeve. Koha do ta tregojë, shqetësimi është i drejtë, por mendoj se nuk duhet mbivlerësuar. Këtë sistem, në mënyrë të njëjtë, e kanë shumë vende dhe si kundërpeshë, si një njeri që i ka parë edhe nga afër këto gjëra, mendoj se stabiliteti politik mund të jetë një kompensim shumë i mirë për këtë sistem. Koha do ta provojë.

Duke u rikthyer te procesi zgjedhor, sigurisht që ka rëndësi se si do të shkojë. Nuk duhet të harrojmë se një pjesë e problemeve të mëparshme mund t‘i faturohen mungesës së përvojës. A mendoni se pas kaq vitesh këto probleme mund të shmangen qoftë edhe për faktin se kushtet në Shqipëri janë më të mira?

Po, mendoj se ky është një vlerësim i saktë. Disa nga problemet që kanë pasur zgjedhjet e mëparshme lidhen me mungesën e traditës, me faktin se Shqipëria ishte një nga vendet më të terrorizuara të komunizmit. Mendoj se pas 20 vitesh, shqiptarët kanë mësuar, shoqëria shqiptare është shumë më e emancipuar, klasa politike është pjekur. Po të vihet re ka ikur ai fanatizmi, ka ikur ai agresivitet, tashmë shikon me shumë kënaqësi që ngjan si një vend i denjë për anëtar të NATO-s. Aty ku kandidatët dalin, shtypi ju jep mundësi për t‘u njohur, japin alternativat e tyre dhe mendoj se kjo provë është kapërcyer. Unë kam shumë besim që nesër (sot) do të jetë prova finale dhe kjo provë do të kapërcehet me sukses. Besoj se këto do të jenë zgjedhjet e para, të lira e të pakontestueshme dhe që do ta afrojnë Shqipërinë me integrimin europian.

Flitet për imazhin dhe rëndësinë që kanë këto zgjedhje për vendin. Çfarë prisni ju të ndryshojë konkretisht?

Mendoj se ka ardhur koha për t‘u parë në një mënyrë tjetër çështja e imazhit. Demokracia ka nevojë për pjesëmarrjen e njerëzve dhe ne do ta marrim në dorë vetë këtë gjë. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë në radhë të parë, si të thuash, në epërsinë tonë si qytetar dhe klasë politike. Mendoj se, nëse imazhi është i rëndësishëm, duhet që kjo të jetë një hap shumë i madh përpara, me pjesëmarrjen e të gjithëve. Qytetarëve në radhë të parë, por edhe të gjitha institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit dhe aktorëve politikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›