Komisioni i Zgjedhjeve shpërndan bazën materiale në 12 qarqet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati dje një ditë intensive për të bërë të mundur që materiali zgjedhor të mbërrinte në çdo qendër votimi dhe çdo grup të numërimit të votave. Shpërndarja e materialeve ka nisur që të premten nga KQZ për tek Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Nga KZAZ materiali shpërndahet për në qendrat e votimit. Bëhet fjalë për 66 KZAZ të shpërndara në të gjithë vendin, 4751 qendra votimi, 380 grupe të numërimit të votave. Janë 3084067 zgjedhës dhe kjo shifër korrespondon me numrin e fletëve të votimit, plus 2 për qind më shumë të kësaj shifre. Grupet e numërimit të votave janë pajisur me kamera, të cilat do të shoqërojnë gjithë procesin e numërimit. Kjo do të ndihmojë që përmes një sistemi kompjuterik, KQZ të shpallë në kohë rezultatin zgjedhor. Zëdhënësi i KQZ, Leonard Olli, konfirmoi masat e KQZ-së për të shpërndarë në kohë materialin zgjedhor. "KQZ ka marrë të gjitha masat dhe për fat të mirë në raport dhe me zgjedhjet e mëparshme ne jemi në kohën e duhur, i kemi përgatitur të gjithë bazën zgjedhore dhe për fatin se fletët e votimit erdhën në kohën e duhur, pra, nuk na ka shkaktuar vonesë. Kjo bazë materiale zgjedhore shkon në çdo KZAZ, dhe aty vijnë dhe merren në dorëzim nga çdo komision qendre votimi", u shpreh Olli. Sipas Kodit Zgjedhor, përcjellja e materialeve zgjedhore drejt QV-ve, bëhet jo më vonë se 15 orë para hapjes së procesit të votimit, që është ora 07:00 e ditës së diel. Në materialet zgjedhore përfshihen fletët e votimit sipas numrit të zgjedhësve për çdo QV, vula e KQV-së, procesverbalet e QV-së, lënda e posaçme për timbrimin e zgjedhësit dhe aparatin verifikues të saj, etj. Megjithëse nuk kanë munguar probleme të shfaqura në disa KZAZ. Për shembull në Korçë humbi vula e një qendre votimi, e cila u zëvendësua direkt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Probleme u vërejtën edhe në Tiranë në Bashkinë e Kamzës, ndërsa pasdite u raportua se u dogjën gjatë rrugës materialet zgjedhore për një fshat në Pukë. Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve në Pukë i ka nxjerrë të pavlefshme të gjitha materialet e dëmtuara dhe i ka kërkuar KQZ-së zëvendësimin e tyre me materiale të reja, përfshi dhe fletët e votimit. Në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Këshilli i Ministrave ka vënë dy helikopterë për çdo rast të mundshëm ndërsa KESH ka mundësuar gjeneratorët për funksionimin e kamerave. Ndryshe nga sa është thënë, pritet që procesi i numërimit të votave të jetë i vështirë. Kjo për shkak se zbatimi i sistemit të ri të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmban në vetvete një humbje të madhe të kohës. Fleta e votimit duhet të vendoset në objektivin e kamerës dhe të lihet para saj për aq kohë sa të duket në monitor nga palët e interesuara. Një veprim i tillë do të bëhet për çdo fletë votimi dhe kjo pritet të shkaktojë shumë vonesa. Gjithsesi rezultatet paraprake do të jepen përmes "Exit-poll", të cilat do të publikohen pas mbylljes së orarit zyrat të votimit.