Kërcënime mbi votuesit, pranga Shullazit dhe 11 “miqve” të tij
Tiranë Vetëm pak muaj pas lirimit nga burgu e pak ditë pas përballjes me gjykatën, Emiljano Shullazi është arrestuar sërish ditën e djeshme. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se së bashku me Shullazin, në pranga kanë rënë dhe 11 persona të tjerë, të cilit ishin bashkë me të dhe të armatosur në momentin e arrestimit. Rreth orës 19:00 të ditës së djeshme, pas informacioneve të marra në rrugë operative, policia e Tiranës ka bërë të mundur realizimin e një operacioni policor, në kuadër të të cilit u arrit sekuestrimi i disa armëve si dhe kapja e 12 personave në komunën Farkë. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se Shullazi dhe grupi i tij ushtronin presion dhe kërcënime mbi votuesit, duke i detyruar ata për të votuar subjekte të caktuara politike. “Personat u kapën në afërsi të ‘Liqenit të Thatë’ në Komunën Farkë, duke qarkulluar me dy automjetet të tipeve Benz dhe BMW. Pas një kontrolli të imtësishëm, të ushtruar në automjetin e blinduar të tipit Benz me targa Tr.4018 J, mjet që drejtohej nga shtetasi Emiljano Shullazi, i cili ishte i veshur me jelek anti-plumb u gjendën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 armë zjarri të tipit pistolete; 3 radio dhënëse – marrëse; 2 armë të ftohta thikë; një sasi lëndë narkotike, canabis sattiva, si dhe 2 automjete të tipit benz dhe BMW” – bën të ditur zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini. Ndërkohë, nga burime konfidenciale mësohet se Shullazi, së bashku me personat e tjerë të cilët u arrestuan bashkë me të gjatë ditës së djeshme, kanë qëndruar për disa orë në zonën e Farkës, ku dyshohet se kanë bërë presion mbi votuesit. Vetëm pak javë më parë, Emiljano Shullazi është ndaluar nga Policia e Tiranës, pasi në ngarkim të tij deputetët e Partisë Socialiste depozituan një kallëzim penal, ku e akuzonin këtë të fundit për prishje të një mitingu që po zhvillohej në Njësinë 7. Sipas tyre, Shullazi kishte hyrë në ambientet e brendshme të lokalit ku po zhvillohej takimi dhe kishte dëmtuar foninë. Por Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e Emiljano Shullazit, pasi, sipas saj, Prokuroria e Tiranës nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme për akuzat e ngritura ndaj Shullazit. Vetëm pak ditë pas lirimit Shullazi arrestohet sërish i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe i dyshuar për implikim në procesin e votimeve.
Të arrestuarit
1. Emiljano Shullazi, 32 vjeç, banues në Tiranë
2. Altin Masha, 33 vjeç, banues në Tiranë
3. Arbër Cara, 21 vjeç, banues në Kavajë
4. Elton Cara, 25 vjeç, banues në Kavajë
5. Albert Laçi, 26 vjeç, banues në Kukës
6. Julian Kallaku, 21 vjeç, banues në Tiranë
7. Aleksandër Algeri, 23 vjeç, banues në Tiranë
8. Klajdi Gjeci, 24 vjeç, banues në Tiranë
9. Dorian Kalaja, 32 vjeç, banues në Tiranë
10. Luçiano Idrizi, 21 vjeç, banues në Kavajë
11. Ilir Shullazi, 35 vjeç, banues në Krujë
12. Franc Hasalliu, 20 vjeç, banues në Durrës