E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Përkushtim që ky proces të finalizohet siç i kërkojnë standardet e zgjedhjeve të lira”

11-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri përshëndet raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë

Do të pranojmë rezultatin e zgjedhjeve, numërimi i votave do të finalizohet në mënyrë transparente”

Menjëherë pas publikimit të raportit paraprak të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, ku vlerësohej procesi zgjedhor i 8 majit si korrekt dhe transparent, shefi i qeverisë Sali Berisha ka deklaruar përmes një konference për shtyp nga selia e PD, se mazhoranca mbetet e zotuar të respektojë rezultatin zgjedhor të vendoreve të 8 majit.
Sipas kreut të qeverisë, mazhoranca mbetet e vendosur që procesi i numërimit të votave të finalizohet në mënyrë transparente dhe brenda standardeve ndërkombëtare. Berisha kujtoi se çdo votë do të marrë peshën që meriton në përputhje me ligjet e vendit. “Dua të theksoj se një fazë shumë delikate pasi mbetet një pjesë e rëndësishme për tu kompletuar. Në Tiranë është më vështirë për t’u numëruar sepse është dopio”, u shpreh Berisha. I pyetur nga mediat se nëse do ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve, kryeministri Berisha theksoi se duhet të pranohet verdikti i popullit cilido që të jetë ai. “Mbetem i vendosur të përshëndes të zgjedhurit sapo KQZ-ja të japë rezultatet”, theksoi Berisha. Më tej, kryeministri Berisha ka përshëndetur deklaratën e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit. “Shpreh vlerësimin tim të palëkundur për raportin e OSBE/ODIHR. Ky proces duhet të plotësohet me transparencë maksimale”, garantoi kryeministri Berisha. Kryeministri ka vlerësuar edhe kontributin e medias në këto zgjedhje. “Media ka raportuar vetëm të vërteta”, theksoi kreu i qeverisë.

Më pas kryeministri ju përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve.

Sa komodë jeni ju, gjithsesi në lidhje me raportin e OSBE ODHIR-it sot duke patur parasysh kontrastin mes një fushate jo shumë të qetë?
Në qëndrimin tim shumë të prerë, gjithnjë arbitri ndërkombëtar është ai vlerësimi i të cilit mbizotëron  për çdo zgjedhje. Ne kemi një traditë shumë të mirë, ne dhe çdo forcë politike, me ODHIR-in, ku probleme të caktuara në qoftë se gjykojmë se nuk kanë pasur pasqyrimin e drejtë ua shprehim me fakte dhe argumente, unë nuk kam ndonjë problem t’u them haptas tani të veçantë që nuk jam në dakord, unë jam  dakord me të gjitha çështjet që ata kanë ngritur dhe ngrenë, sikundër dua ta theksoj këtu, se një fazë shumë delikate, shumë e rëndësishme e zgjedhjeve është për t’u kompletuar, për të finalizuar numërimin në Tiranë, sepse në Tiranë është një dopio , është një qytet me distancë  disa herë më i madh se çdo qytet tjetër, përveç kësaj Tirana ka dy zgjedhje, krahas zgjedhjeve këshilli e kryetar, ka për minibashki dhe këshilltarë të minibashkive, pra faktikisht janë dy Tirana, dy Tirana pra bëjnë sa gjysma e Shqipërisë. Në këtë kontekst duhet të kompletohet me transparencë të plotë, sikundër kam besim te sistemi i shqyrtimit të ankesave që ka vendi tek KZAZ-të, nga të gjithë komisionerët pa përjashtim të PS dhe PD të cilës do force që janë aty, në tërësi në ndonjë rast të vogël e dëshmojnë njerzit e ligjit, siç keni konstatuar edhe ju tek KQZ-ja në gjykatë. Unë nuk kam asgjë specifike për të parashtruar këtu, vetëm vendosmëria ime dhe përkushtimi im që ky proces të finalizohet ashtu siç i kërkojnë standardet e zgjedhjeve të lira.

Cili është vlerësimi juaj për rezultatet paraprake në disa zona të Shqipërisë?
Mazhoranca, Qeveria, Kryeministri janë të detyruar të zbatojnë me përpikëri ligjin, të bëjnë gjithçka që procesi të zhvillohet në përputhje me shtetin ligjor, dhe institucioneve , ajo që unë nuk mund të marr përsipër kurrë është raporti i politikanëve që çdo forcë politike zgjedh me votën e shqiptarëve. Ajo është një palcë, palca e kulturës sepse në qoftë se je në politikë je natyrisht për të shfrytëzuar të gjithë potencialin për të realizuar idetë dhe programin që ti beson, je në mënyrë vendimtare për të pranuar verdiktin e popullit tënd e kombit tënd cilido të jetë ai. Mbetem shumë i vendosur të përshëndes sapo KQZ të jap rezultatin dhe ju e keni konstatuar që ne nuk japim rezultatet nga 2009 e këtej, nuk publikojmë asnjë rezultat jo se nuk kemi qendrat tona që përpunojmë të dhënat, i kemi për përdorim të brendshëm por që në mënyrë absolute ne nuk do ti lejojmë vetes të parakalojmë institucionet zyrtare të cilat tani falë teknologjisë në dhënien e të dhënave janë pothuaj në kohë reale. Unë pres të finalizohen rezultatet dhe të bëj përshëndetjen, zgjedhësit i përshëndeta por të përshëndes të zgjedhurit. Prit mos u ngut, mos më bëj të komentoj votën unë jam i durueshëm të pres, nuk shprehem sepse më duhet pastaj të komentoj votën. Se do të jetë blu Shqipëria, do ta shpallim pasi të shpall rezultatin KQZ.

A keni një koment për vonesat e komisionerëve në qendrat e numërimit?
Në mënyrë absolute komisionerët tanë, kanë marrë porosi të prerë dhe kategorike që të bëjnë maksimumin për të kompletuar një minutë e më parë. Nuk dua të bëj komente, por e vërteta është që ka një zonë në Tiranë që ju mund të shkoni aty dhe të shihni sesi bllokohet zona 8. dhe bllokohet, unë me media e kam ndjek. E vërteta është që në Durrës ka pasur një moment në të cilën dikush që s’duhet të futej dhe që u fut me qëllime të këqija, u krijua një ndërprerje sepse s’mund të shkoj kush të bëj presione numëruesve, përkundrazi porosia jonë është që ata të bëjnë maksimumin. Dhe u them se të gjithë komisionerët po bëjnë maksimumin, a mund të kishte më shumë qendra këto janë çështje të KQZ, njerëzit janë të lodhur të rraskapitur nuk mund t’i qortojë, edhe kur vendosin të bëjnë një pushim dhe një pushim do ta bëjnë. Unë e kam gjykuar këtë mënyrë numërimi si një arritje të shkëlqyer të Shqipërisë, por dua të them këtu në të ardhmen do të donte që të përcaktoheshin disa rregulla që lejojnë një numërim më të shpejtë. P. sh.:, jo qendra me 50 mijë zgjedhës, mund të përgjysmohen qendrat tani. Ju ftoj të imagjinoni një qendër me 50 mijë zgjedhës, numëro kryetarin, numëro këshilltarin, kryetarin , etj. Kjo është sa e  vërtet aq edhe e mundshme, ndaj dhe KQZ i shqyrton në tërësi dhe është një proces që ka funksionuar në mënyrë të plotë. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›