E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Laç, vritet simpatizanti i LSI në një qendër votimi, plagoset kandidati i PD

TIRANE- Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 janë të tetat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në vitin 1991. Shqiptarët vendosin me votë për ata që do na qeverisin në 4 vitet e ardhshme. Procesi i votimit ka nisur që në orën 7:00 të 23 Qershorit, për t’i dhënë popullit të drejtën të vendosë me votë për 140 parlamentarët e rinj. Simbolikisht kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi ka hapur qendrën e votimit tek Akademia e Arteve, aty ku edhe ka votuar.

3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës janë thirrur për të votuar. Procesi i votimit ka nisur normalisht në shumicën e qendrave të votimit, ndërkohë që në disa prej tyre ka patur vonesa dhe incidente të vogla.

Rreth orës 09:00 një ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë një qendre votimi në gjimnazin “At Shtjefën Gjeçovi” Laç, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Sipas policisë, një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur. Mësohet se i vdekur ka mbetur simpatizanti i LSI-së, Gjon Gjoni. Në këtë incident mbeti i plagosur edhe kandidati i PD-së, Mhill Fufi. Për ngjarjen ende asnjë i ndaluar, policia shoqëron 7 persona si dëshmitarë.

INCIDENTI NË LAC, SHOQËROHEN 7 PERSONA SI DËSHMITARË
Ora 12:42- Policia e Lacit bën me dije se ka shoqëruar 7 persona si dëshmitarë për ngjarjen e rëndë të mëngjesit të sotëm, ku mbeti i vrarë një simpatizant i LSI dhe u plagosën 3 të tjerë, njëri prej tyre kandidat i PD-së në Lac.

Sipas policisë, këta persona do të pyeten në lidhje me rrethanat e ngjarjes.

ZHBLLOKOHET SITUATA NË SANXHAK, PAS NDËRHYRJES SË RAMËS
Ora 12:25- Është kthyer drejt normalitetit procesi i votimit në 5 qendra votimi në Sanxhak të Lacit, pas ndërhyrjes së kryesocialistit Rama.

Në Sanxhak, komisionerët e PS u tërhoqën që prej mëngjesit pas kërcënimeve.

POLICIA E LACIT: VËRTETOHET SE ËSHTË QËLLUAR NGA 4 ARMË TË NDRYSHME
Ora 12:00- Ndërkaq në lidhje me incidentin e mëngjesit ku humbi jetën një simpatizant i PS dhe u plagos kandidati i PS, policia e Lacit bën me dije se në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja të ndryshme, çka vërteton se është qëlluar nga 4 armë të ndryshme.

LLALLA: AUTORËT E NGJARJES NË LAC DO VIHEN PARA DREJTËSISË
Ora 11:50- Në lidhje me incidentin e rëndë të ndodhur sot në Lac ka reaguar edhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Sipas tij, autorët e ngjarjes në Laç do të vihen para drejtësisë. 

I pyetur nga gazetarët në përfundim të votimit të tij, Llalla bëri të ditur se prokurorët janë në krye të punës dhe me kapacitet të plotë, ndërsa pohoi se është në dijeni të vrasjes së ndodhur në Laç, ku simpantizanti i LSI-së, Gjin Gjoni humbi jetën, ndërsa mbetën të plagosur kandidati i Partisë Demokratike dhe dy të plagosur, kandidati i PD-së, Mëhill Fufi dhe një i afërm i kandidatit të PD-së, Kastriot Fufi. 
“Prokuror të specializuar dhe nga më të mirët janë nisur drejt Laçit për të realizuar hetim të plotë e të thellë mbi ngjarjen. Do të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur autorët e ngjarjes në fjalë, për të bërë transparente në një kohë sa më të shpejtë edhe shkaqet e saj. Dua të garantoj se Prokuroria është në gadishmëri të plotë për të realizuar konform ligjit detyrën e saj”, përfundoi Llalla.

KANDIDATI I PS-së: SIMPATIZANTI I PD-së MË GODITI
Ora 11:30- Kandidati i PS-së në Korçë, Ilirjan Pendavini denoncon dhunën e ushtruar ndaj tij nga një simpatizant i PD-së. Në një lidhje telefonike me “News 24”, Pendavini tha se ishte goditur nga simpatizanti i PD-së, jashtë një qendre votimi në qytetin e Korçës.

“Një simpatizant i PD-së po debatonte me disa djem simpatizantë të PS-së. Unë u afrova për t'i ndarë, u thashë nuk duhet të bëni debate para zgjedhjeve dhe ai më goditi. Ishim jashtë qendrës së votimit. Tani jam në komisariat duke bërë denoncimin e duhur”,- deklaroi Pendavini.
Sipas kandidatit të PS-së, përfaqësuesit e PD-së po ushtrojnë dhunë psikologjike ndaj votuesve në qendrat e votimit.

PEQIN, ARRESTOHET NJË PERSON I ARMATOSUR, KËRCËNONTE VOTUESIT
Ora 10:50– Policia e Peqinit arrestoi shtetasin Gazmend Sinani, i cili dyshohet se kërcënonte me armë votuesit. Pas kontrollit në makinën e tij, tip ‘Mitsubishi’ targa TR5511, policia gjeti 2 armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga Sinani për të kërcënuar qytetarët me qëllim që të votonin për subjektin politik që ai u diktonte. 

KORÇE, ARRESTOHET KOORDINATORI I LSI-se
Ora 10:47 –Policia e Korçës ka vënë në pranga koordinatorin e LSI-së, Pajtim Myrtollari, pasi dyshohet se jepte para në këmbim të votës. Sipas policisë, Myrtollari u kap në flagrancë me 11 zarfe me 5 mijë lekë secili, të cilat dyshohet se u jepeshin votuesve në këmbim të votës.

MANJANI: NGJARJA NË LAÇ, TENSION I PASTËR POLITIK I PD
Ora 10:40- Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani në një prononcim për "News 24", komenton situatën e krijuar në Laç. I ndodhur në këtë qytet, Manjani e cilëson ngjarjen si tension të pastër politik, të krijuar nga Partia Demokratike.

“Sot është dita e votës, të japim ndëshkimin e parë me votë. Ngjajra e sotme është tension politik i pastër i PD. Viktima ka qënë emigrant dhe simpatizant I LSI, kishte ardhur për të votuar”, sqaroi Manjani.
Ndër të tjera ai nuk nguroi të ftojë laçianët të marrin pjesë në votime, pa pasur frikë.

KREU I PS, RAMA NISET DREJT LAÇIT
Ora 10:33- Pas incidentit të rëndë ku një simpatizant i LSI-së humbi jetën në Laç, si dhe u njoftua për kërcënime me armë të komisionerëve në disa qendra votimi, edhe kreu i PS-së Edi Rama është nisur drejt Laçit.

Mësohet se ishte parashikuar që kreu i PS-së të votonte në Tiranë rreth orës 10:00.

LAÇ, GJONÇAJ: KOMISIONERËT PO KËRCËNOHEN ME ARMË
Ora 10:30- Rreth orës 10:30 minuta është mbledhur edhe KQZ-ja për problemet e evidentuara deri më tani. Përfaqësuesi ligjor i PS, Genc Gjonçaj ka bërë me dije se situata në Laç paraqitet problematike.

Sipas tij, KZAZ në Laç ka administruar prova për kërcënime ndaj komisionerëve të PS në Sanxhak. 
"Persona me armë e maska kërcënojnë komisionerët. Çuditërisht vetëm anëtarët e PD nuk u larguan”, thotë Gjonçaj.

Ai ndër të tjera i kërkon kryetares së KQZ-së Lefterie Lleshi të marrë masa për këtë situatë.

POLICIA E LEZHËS: NË LAÇ, U PLAGOS EDHE KANDIDATI I PD MEHILL FUFI
Ora 10:00- Në lidhje me incidentin e rëndë në Laç, ka dalë në një konferencë për shtyp edhe policia e Lezhës. Drejtori i policisë Arben Hajdarmata bën me dije se në këtë ngjarje viktima është simpatizanti i LSI-së Gjon Pjetër Gjoni dhe një ndër të plagosurit është kandidati i PD-së, Mëhill Fufi.
I plagosur ka mbetur edhe një i afërm i kandidatit të PD-së, Kastriot Fufi.

Po sipas policisë, në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të kalibrit të ndryshëm dhe një armë zjarri. Ende nuk ka asnjë të dyshuar, por hetimet vijojnë të jenë intensive. “Fakti që është plagosur një kandidat mund të ketë lidhje me zgjedhjet”, tha drejtori i policisë.

LAÇ, PS TËRHEQ KOMISIONERËT NGA 5 QENDRA VOTIMI
Ora 09:43- Sërish probleme në Laç. Raportohet se Partia Socialiste ka tërhequr komisionerët nga 5 qendra votimi. Sipas PS, ka njerëz me armë që qarkullojnë në qendrat e votimit në Sanxhak.

KREU I LSI META NISET DREJT LAÇIT
Ora 09:30- Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Laç, mësohet se drejt këtij qyteti është nisur kreu i LSI-së Ilir Meta. Lajmi bëhet i ditur nga LSI e Laçit.

Deri më tani, policia ka mbledhur në vendngjarje 15 gëzhoja dhe ka shpallur në kërkim dy persona si të dyshuar për ngjarjen

TË SHTËNA NË NJË QV NË LAÇ, 1 i VDEKUR, 3 TË PLAGOSUR
Ora 08:57- Incident i rëndë në një qendër votimi në qytetin e Laçit. Raportohet se ka pasur të shtëna armësh në një qendër votimi, ndërsa dyshohet se si pasojë e të shtënave ka mbetur i vdekur një person dhe tre të tjerë janë plagosur. 

Policia bën me dije se incidenti ka ndodhur pranë ambienteve të qendrës së votimit tek gjimnazi ‘At Shtjefen Gjeçovi’. 
Siç raporton korrespondenti Pjetër Gjini, i vrarë ka mbetur shtetasi Gjon Pjetër Gjoni 53-vjeç, simpatizant i Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

Po sipas të njëjtave burime mësohet se në këtë qendër votimi ka pasur konfrontime fizike me mjete të forta, mes viktimës Gjioni dhe disa personave të tjerë, ndërsa më pas një prej tyre ka shtënë me armë. Bëhet me dije se simpatizanti i LSI-së kishte shkuar për të votuar. Ndërkaq hetimet kanë nisur për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Drejt Laçit janë nisur edhe forcat RENEA. (Ne foto, viktima Gjon Gjoni)

GJIROKASTËR, KOMISIONERI KONFRONTOHET FIZIKISHT ME NJË VOTUES
Ora: 08:54 - Një komisioner në një nga qendrat e votimit të qytetit të Gjirokastrës ka patur një konfrontim fizik me nja votues. Siç raporton gazetarja Eri Baco, shkak i ngjarjes ka qenë tentativa e votuesve për të shoqëruar familjarët e tyre gjatë votimit. Komisionerët nuk kanë lejuar votimet familjare dhe për pasojë njëri prej tyre është konfrontuar edhe fizikisht me njërin prej votuesve.

NUK KA FILLUAR VOTIMI NË NJË QV NË TIRANË
Ora 08:35- Edhe në Tiranë raportohet të mos ketë nisur votimi në qendrën e votimit 1976, që i përket Njësisë Bashkiake Nr.9. Shkak për mosnisjen e procesit të votimit janë bërë problemet me vulën, e cila nuk ka bojë.

LIBRAZHD, NË TË GJITHA QV MUNGOJNË KOMISIONERËT E PR
0ra 08:29- Në Librazhd mësohet se mungojnë në të gjitha qendrat e votimit komisionerët e Partisë Republikane. Raportohet gjithashtu se, në qendrën e votimit në Stëblevë nuk ka filluar ende procesi, pasi mungojnë komisionarët e PR dhe PD.

TIRANE, VOTUESI I PARE KAPET ME DY FLETE VOTIMI
Ora 08:20 - Nis me një incident votimi tek Njësia Numër 5, në kryeqytet në qendrën e votimit 1344/3. Personi që u paraqit i pari për të votuar mori dy fletë votimi, por u kap në kohë, duke mos mundur t’i hidhte ato në kuti. Ndërkohë banorët e kësaj njësie ankohen se procesi po ecën ngadalë dhe se kanë rreth 20 minuta në pritje për të votuar.

PUKË, NUK KA NISUR VOTIMI NË FSHATIN BREGË
Ora 08:00- Probleme edhe në Pukë me qendrat e votimit. Bëhet me dije se nuk ka nisur ende procesi i votimit në fshatin Bregë të komunës Rrapë. Shkak për këtë është bërë ngatërrimi i kapakut të kutisë së votimit.
Raportohet ndërkaq se, KZAZ Nr. 8 po merr masat për ndryshimin e kutisë.

KAVAJË, MUNGOJNË VULAT, NUK KA NISUR VOTIMI NË 2 QV
Ora 07:50- Në qytetin e Kavajës raportohet se nuk ka nisur ende votimi në dy QV, pasi mungojnë vulat e sigurisë. Qendrat e votimit janë 21 dhe 91. Ndërsa në qytetin bregdetar të Durrësit, procesi ka nisur normalisht në të gjitha qendrat dhe qytetarët po u drejtohen kutive të votimit.

KORÇË, NDËRPRITET PROCESI I VOTIMIT NË DY QENDRA VOTIMI
Ora 07:30- Raportohet se në Korçë është ndërprerë votimi në dy qendra, kjo për shkak të afërsisë së posterave të partive politike.
Votimi është ndërprerë në qendrat 36 dhe 48.

VOTON E PARA KRYETARJA E KQZ-SË, LEFTERIE LLESHI
Ora 07:10- Menjëherë pas votimit kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi i bëri apel të gjithë shqiptarëve t’i drejtohen qendrave të votimit, pasi vota e tyre vlen, sic tha ajo.

“I ftoj shqiptarët të paraqiten të votojnë pasi është përgatitur e gjithë infrastruktura zgjedhore që të votojnë të lirë dhe në fshehtësi. Motoja jonë është: Vota jote vlen, votoni”, tha ajo.
Një apel tjetër kryetarja Lleshi e bëri për të gjithë komisionerët zgjedhorë, të cilët I ftoi të bëjnë detyrën duke iu përmbajtur kodit zgjedhor.
“Komisionerët të kryejnë detyyrën sipas kodit zgjedhor, të jenë jashtë ndikimeve politike’, shtoi ajo. 

RRETH 3 MILIONË E 271 MIJË E 885 ZGJEDHËS JANË THIRRUR PËR TË VOTUAR
Pritet që rreth 3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës të ushtrojnë të drejtën për të votuar, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik.
Nga këta për herë të parë votojnë 165 mijë zgjedhës të rinj të grupmoshave 18, 19 dhe 20 vjeç . Po ashtu drejt kutive, në të gjithë Shqipërinë do të shkojnë edhe 560 mijë pensioniste nga të cilët 750 zgjedhës konfirmon Ministria e Brendshme nuk janë përfshirë në lista për shkak të moshës mbi 100 vjeç në datën e votimit dhe se të cilët nuk janë paraqitur pranë zyrave të gjendjeve civile. Por ndryshe nga këta, 380 persona të moshës 100-vjeçare të tjerë, të cilëve u ishin bllokuar emrat për shkak të moshës me kërkesë të posaçme rifituan të drejtën e votës.

Në orën 7:00 të kësaj të diele hapën 5508 qendra votimi, të cilat, pritet të qendrojnë të hapura deri në orën 19:00, sipas orarit zyrtar. 19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në burgje për 5000 të dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në qeli.

Subjektet politike janë grupuar në dy koalicione: "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe "Aleanca për Shqipërinë Europiane", e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, ku pritet të votojnë 785 mijë persona kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë, ku pritet të votojnë 77 mijë.

Në këtë proces zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të gjithë piramidën elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i vëzhguar nga ndërkombëtarët dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas janë rreth 8 mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me rëndësinë që procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga ndërkombëtarët si tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.

Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 qendrat e votimit në të gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200 policë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve printoi në Slloveni rreth 3 milionë e 337 mijë e 385 fletë votimi, ashtu siç e parashikon kodi, 2% më shumë se numri i zgjedhësve. Kryetarja e këtij komisioni u bëri apel komisionerëve në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë.

Kosto e këtyre zgjedhjeve është llogaritur nga KQZ rreth 744 milionë lekë. Kësaj vlere iu shtuan dhe rreth 3 milionë euro të tjera, të cilat i janë paguar kompanisë spanjolle Indra pavarësisht se dy projektet pilote për numërimin elektronik në Fier dhe identifikimit elektronik të kartave të identitetit në Tiranë dështuan.

JA KU DO VOTOJNË LIDERËT POLITIKË
Pritet që sot të votojnë edhe krerët më të lartë të shtetit, por edhe kryetarët e partive kryesore në vend. Kështu, mësohet se Presidenti i vendit Bujar Nishani pritet të votojë në orën 10.00 ne Qendrën e Votimit 1766/2 në shkollën e mesme “Andon Zako Cajupi” në Tiranë. Kreu i së djathës, Sali Berisha do të votojë në qendren e votimit ngritur tek “Liceu Artistik” rreth orës 10.00, pasi në këtë orar pritet edhe takimi i zotit Berisha me kryesuesin e delegacionin AD KOK të Parlamentit Europian, Eduard Kukan.

Ndërsa lideri i së majtës, Edi Rama pritet të votojë në shkollën “Pjetër Budi". Pasi të hedhin votën e tyre, drejtuesit politikë, pritet të bëjnë edhe deklaratat e para në lidhje me procesin e zgjedhjeve. Kreu i LSI pritet të votojë në Njësinë 5 në kopshtin numër 10 te ish-blloku, kreu i FRD Bamir Topi pritet të votojë në shkollën "Servete Maçi" në Tiranë. Kurse kreu i AK Kreshnik Spahiu pritet të votojë në orën 9.00 në shkollën "Pjetër Budi”.

PROCESI
Zgjedhjet do të nxjerrin 140 deputetë, të cilët do të zgjidhen me sistemin proporcional rajonal.
- Vendi është ndarë në 12 qarqe dhe votat do të përllogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit qark.
- Të regjistruar si subjekte elektoralë janë 66 parti dhe dy subjekte të pavarur.
- Subjektet politike jane grupuar në dy koalicione: "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe "Aleanca për Shqipërinë Europiane", e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën.
- Rajoni i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë.
- Zgjedhjet administrohen nga KQZ dhe 89 komisione të zonave të administrimit zgjedhor(KZAZ).
- Në të gjithë Shqipërinë do të funksionojnë gjithsej 5508 qendra votimi.
- Për zgjedhjet e reja janë regjistruar rreth 3.271.885 zgjedhës, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik ose 120.845 zgjedhës më shumë se në zgjedhjet parardhëse.
- Rreth 150.000 është numri i votuesve që votojnë për herë të parë.
- Për procesin do të prodhohen gjithsej rreth 3.337.388 fletë votimi.
- Dokumenti që do të përdoret nga zgjedhësit ditën e votimeve është pasaporta ose letërnjoftimi elektronik.
- Numërimi i votave do të bëhet në 89 vendet e numërimit të votave (VNV), nga grupet e numurimit të votave (GNV).
- Kostoja financiare e zgjedhjeve llogaritet në rreth 744 milionë lekë.
- Mbi 9 mijë vëzhgues, vendas dhe të huaj, do të monitorojnë zgjedhjet në ditën e votimeve dhe pas tyre.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Kukan: Dhuna në zgjedhje e papranueshme, duhet hetuar Sequi: Dhuna e papranueshme, do shkoj personalisht në zonat ku ka incidente Korçë, dhunohet kreu i forumit rinor të PD në Libonik Manjani: Ngjarja në Laç, tension i pastër politik i PD Shpërthimet në Vlorë, Malaj: Palët të distancohen nga çdo akt dhune Shpërthen makina e sekretarit të PS në Vlorë. Tepelena: Ngjarja politike Verdikti 2013, pritshmëritë në mandate sipas qarqeve REUTERS: Vritet aktivisti në zgjedhjet e Shqipërisë të vëzhguara nga Perëndimi VIDEO: Shqipëria vendos sot. Hapen qendrat e votimit, kryetarja e KQZ: Votoni!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›