Rusmajli: Socialistët po sabotojnë procesin e integrimit
Në lidhje me kërcënimin e fundit që PS ka bërë për braktisjen e procesit zgjedhor, deputeti Ilir Rusmajli e cilësoi këtë gjë të paimagjinueshme për Shqipërinë e Nato-s, ku sipas tij socialistët nuk janë duke parë hallin për zgjedhjet që vijnë, por janë duke sabotuar procesin e integrimit, sepse janë të sigurt se do të humbasin zgjedhjet. Në këtë drejtim Rusmajli theksoi se kartat e identitetit kanë më tepër elemente sigurie sesa kartëmonedhat shqiptare.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Ilir Rusmajli ka akuzuar kampin rozë për mosrespektim të rregullave të lojës, mes Partisë Socialiste dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Njëri ngre topin e tjetri përpiqet ta zhysë. Prokuroja nuk ka funksion të vesh kilota e të dal të luaj futboll, por ka një tjetër funksion. Edhe Rama nuk e ka këtë funksion, të vesh kilota e të dal të luajë futboll. Nuk kërkoj që socialistët të mbështesin Berishën në betejën politike, nuk e pranoj dot këtë qëllim. Por, ata nëse nuk kanë besim tek Prokurorja është mirë të kërkojnë largimin e saj. Është momenti që njerëzit të zhveshin kilotat e të veshin kostumin institucional. Unë nuk dal me kilota në fushë, mbaj kostumin institucional, nënvizoi Rusmajli. Deputeti Rusmajli ka akuzuar kryesocialistin Rama se tirada e pseudoakuzave është shenja më e qartë e frikës së tij për humbjen në këto zgjedhje. Sipas tij, PD fiton në zgjedhjet e qershorit sepse ka përballë një forcë politike që ka lënë komandantin në shtëpi dhe është futur në fushën e betejës pa gjeneralin e vet dhe ndër të tjera sipas tij të majtët kanë futur në stolin e rezervave ekipin e tyre të parë. Ekipi i parë është tepër i rëndësishëm, por Rama ka zgjedhur për motive të karrierës së vet politike të dal në fushën e lojës me pionierët, ku gara nuk është e barabartë. Një tjetër arsye është edhe fakti se kampi socialist paraqitet në panik të plotë, veçoi Rusmajli. Sipas tij, investimet në fshatrat e qytetet e Shqipërisë janë meritë e kësaj qeverie dhe jo meritë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke veçuar faktin edhe të unazës së madhe të Tiranës, ku përmendi faktin se qeveria është e gatshme të ndërtojë këtë pjesë të kryeqytetit, por nga ana tjetër është krybashkiaku ai nga frika dhe paniku nuk kërkon të bashkëpunojë, nuk do se do ta mbajë peng të vesit të vet.