E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, pushime në radhë duke pritur dokumentet

PROBLEMET/ Vonesa nga ambasada greke, por edhe nga pasaportat biometrike


FIER - Qindra emigrantë jo vetëm të qytetit të Fierit, por edhe nga zona të largëta të këtij rrethi, të cilët punojnë në shtetin grek, i gjen çdo ditë pranë sporteleve të filialit të Postës Shqiptare. Sipas tyre, ata kërkojnë marrjen e dokumenteve të legalizimit, procedurë e cila kryhet nga ambasada greke.


Por ata kthehen mbrapsht pasi marrin përgjigje negative nga nëpunësit këtij shërbimi postar. Të revoltuar, pasi akuzojnë edhe shtetin që i mashtron me afatet e marrjes së këtij dokumenti, emigrantët largohen për t'u kthyer përsëri të nesërmen.


Ky ritual i lodhshëm ka qysh më datën 13 gusht që po ndodh. Drejtuesit e këtij filiali kur i pyet për këtë problem e heqin përgjegjësinë nga vetja duke akuzuar palën e ambasadës greke për këto vonesa. Në fakt, bëhet fjalë për dokumentet që çohen për legalizim në Ambasadën Greke.


Ky shërbim kryehet nga Posta Shqiptare, ashtu si dhe legalizimi që kryhet nga Ministria e Jashtme. Mësohet se janë rreth 1000 emigrantë, të cilët presin çdo ditë në këto sportele për të marrë këtë dokument të firmosur, që për ta është shumë i rëndësishëm. Pala shqiptare që kryen këtë shërbim është Ministria e Jashtëme.


Pas kësaj, certifikatat ose dokumente të tjera duhet të firmosen dhe legalizohen më pas edhe nga Ambasada Greke. Por sipas nëpunëses së shërbimit postar, zyra e legalizimit pranë Ambasadës Greke po krijon vonesa dhe ka ngadalësi në firmosjen dhe vulosjen e këtyre dokumenteve. Kjo vonesë vjen, me sa duket, nga punonjësit e kësaj zyre, të cilët kanë marrë lejen vjetore.


Kështu, edhe ato dokumente që mbërrijnë në postë janë të paktë e si rrjedhojë shkaktohet një vonesë në largimin e emigrantëve për në vendet e punës në shtetin grek. "Kam më shumë se 10 ditë që e kam kryer shërbimin pranë kësaj poste, - thotë qytetari Aleks Shahini.


- Më duhet të largohem patjetër. I kaluam pushimet vetëm në zyrat e Fierit. Si mua ka shumë të tjerë. Ju e shikoni edhe vetë se sa njerëz kanë ardhur deri tani dhe janë larguar pa dokumentin nga ambasada greke".


Të gjithë këta qytetarë kanë derdhur detyrimin në bankën përkatëse në favor të Ambasadës Greke për të kryer këtë shërbim. Por pavarësisht pagesës, emigrantët vijojnë të mos e marrin shërbimin e kërkuar duke rrezikuar vendet e tyre të punës në shtetin fqinj.


Elbasan, në pritje të pasaportës


Me dhjetëra emigrantë kanë qëndruar për orë të tëra para sportelit të shpërndarjes së pasaportave, e vendosur në Komisiariatin e Elbasanit. Ndërsa prisnin thirrjen e emrit, ata tregojnë se kanë kaluar tashmë më shumë se dy javë nga aplikimi për pasaportat biometrike dhe ende nuk i kanë marrë.


Të ardhur nga komuna të ndryshme të rrethit të Elbasanit, emigrantët janë të detyruar të presin emrin për pasaportën. Shumë prej tyre nisen gjatë këtyre ditëve me shpresën se do të arrijnë ta marrin para se të nisen në vendet ku jetojnë e punon.


Ylli Toçi, një prej tyre, thotë se duhet të niset të mërkurën. Ai jeton në komunën Shushicë dhe tregon se bashkë me familjen ka aplikuar 3 javë më parë. "Sot kam ardhur të tërheq pasaportat pasi nesër më duhet të nisem për në Greqi. Shpresoj të më thërresin emrin shpejt. Kam disa orë që pres bashkë me bashkëshorten. Do të ishte mirë tani, por ne jemi mësuar të presim.


Kur aplikova u vonova gjithashtu, pasi nuk kishte rrjet interneti". Luan Boshku është një tjetër emigrant. Ai ka aplikuar në komunën Bradashesh. "Në komunë nuk kishte radhë. Fatmirësisht kemi aplikuar pa probleme, por këtu nuk e di sa mund të presim.


Ai përgjegjësi ka marrë emrat. Nuk e di ende nëse pasaporta ime është prodhuar. Dokumentet janë të rëndësishme për ne, pasi nuk është se kemi shumë kohë në dispozicion. Duhet të kthehemi në punë". Si Luani e Ylli presin shumë të tjerë, mes të cilëve gra e fëmijë.


Temperaturat e larta e kanë bërë më të vështirë pritjen. Por gjithashtu, askush nga ata nuk largohet. Të ikin e të vijnë disa herë nga vendet e banimit, nuk e kanë me lerverdi. Burime nga komisariati bëjnë të ditur se në funksion të shpërndarjes janë vendosur turne shtesë.


Komisariati bën vetëm verifikimin, ndërsa me prodhimin merret firma sipërmarrëse. Ndërkohë në zyrën e aplikimit ka rënë disi fluksi i madh i ditëve të para. Sipas operatorëve, tashmë ngarkesa nuk është aq e madhe dhe nuk aplikojnë më shumë se 100 persona. Në ditët e pikut aplikimet kanë arritur 300-400 vetë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›