Obama shpërfill Bashkimin Europian
Nuk merr pjesë në takimin tradicional BE-SHBA
Një zënkë diplomatike sapo ka zënë fill, pas vendimit të Presidentit amerikan për të mos marrë pjesë në takimin BE-SHBA, që do të zhvillohet në Spanjë. Bëhet fjalë me prishjen e një tradite. Kjo lëvizje e kreut të Shtëpisë së Bardhë shihet si një sfidë ndaj Europës dhe si një shenjë se tashmë Obama, ndryshe nga viti i kaluar që ishte i pari i presidencës së tij, do t’u përkushtohet më shumë çështjeve të problemeve në shtëpinë e tij, që do të jenë të dorës së parë, krahasuar me ato ndërkombëtare. Liderët europianë ishin të bindur se Obama do të merrte pjesë në takimin që do të zhvillohej në Madrid në muajin maj, por dje Departamenti i Shtetit tha se Obama nuk do të merrte pjesë. Një këshilltar i Obamës tha se Obama kishte bërë shumë udhëtime në Europë brenda një viti dhe se ekzistonte një konfuzion në lidhje me funksionimin e organizatës së BE-së me ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, dhe se ky ishte një faktor që ndikoi në vendimin e Obamës. Për më tepër, liderët europianë kanë mësuar për mospjesëmarrjen e Obamës në takim përmes shtypit. Zëdhënësi i Kryeministrit spanjoll shprehu zhgënjim për një vendim të tillë. “Unë mendoj se administrata amerikane duhet të jetë e ndërgjegjshme për atë çka është Europa. Ajo është një fuqi ekonomike dhe me rol shumë të madh në botën në të cilën jetojmë”, ka thënë zëdhënësi i Zapateros. Por në Bruksel vendimi i Obamës është komentuar si një përplasje axhendash. Por ka pasur edhe nga ata që e kanë cilësuar këtë veprim të Obamës si “një zile” që duhet të tërheqë vëmendjen e kancelarive europiane.
#