E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria merr vendim, pasaportat me logon e Skënderbeut



Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme që dizenjo e dokumenteve të identitetit të jetë figura e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Duke e vlerësuar këtë figurë si përfaqësuesen më dinjitoze të kombit shqiptar, kryeministri theksoi se ky simbol është gjetja e duhur për t’u vendosur në dokumentet e reja të shqiptarëve, sipas standardeve europiane. “Dua të veçoj vendimin për miratimin e dizenjos së dokumenteve të identitetit, letërnjoftimeve dhe pasaportave. Skënderbeu është ai që i ka frymëzuar dhe frymëzon më shumë se kushdo tjetër shqiptarët drejt Europës. Nuk mund të ketë personalitet tjetër që të ketë mbajtur shpirtin e një kombi, siç e ka mbajtur ai gjallë shpirtin e kombit shqiptar”, - është shprehur Berisha. Në fjalën e tij, duke prekur tërthorazi debatin e fundit mbi figurën e Skënderbeut, Berisha tha se Skënderbeu diti të krijojë shtet atëherë kur të tjerët nuk kishin. “Në tërësinë e tij, ai përbën, sipas të gjithë historianëve, rastin më të pashembullt. Ai pati shtet, kur të tjerët nuk kishin shtet, kur shtetet e rajonit kishin rënë njëri pas tjetrit. Bizanti vetë ishte shembur. Kështu që kam shumë kënaqësi të vendosim sot, të kemi në dokumentet e reja, dokumentet që na bashkojnë, të standardeve europiane, Skënderbeun në çdo faqe të tyre”, - është shprehur kryeministri gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›