E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikonte drogë me ambulancë, arrestohet

Një shofer autoambulance është vënë në pranga si shpërndarës droge. Ka qenë një operacion i Drejtorisë së Policisë së Korçës dhe strukturave rajonale të antidrogës që ka mundur të zbulojë pas një periudhe survejimi mënyrën se si shoferi i spitalit me mjetin e autoambulancës përfitonte nga shërbimet për të bërë edhe transportimin dhe më pas shitjen e lëndëve të forta narkotike. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Pogradecit, ku 42-vjeçari Ilmi Lipo është vënë në pranga nga ana e policisë, pasi është mbajtur nën vëzhgim dhe është kapur në momentin e shitjes. Sipas të dhënave zyrtare nga ana e policisë, shoferi është kapur në kushtet e flagrancës, ndërsa ka qenë duke shpërndarë drogë. Policia ka thënë se ai është arrestuar në orën 04.00 të mëngjesit, kur me mjetin e punës ka qenë duke shitur në qytet doza të shumta heroine. Nga veprimet e policisë rezultoi se 42-vjeçari kishte mundur të shiste brenda natës gjatë lëvizjes me autoambulancë plot 20 doza me lëndë narkotike të llojit heroinë, të cilat janë kapur më pas dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës. Bashkë me shoferin e autoambulancës, policia ka mundur të arrestojë edhe blerësin e kësaj sasie droge, sapo ai ka marrë në dorëzim dozat me lëndë narkotike të bëra gati në 20 qese. Burimet zyrtare të drejtorisë së policisë kanë bërë të ditur se kanë arrestuar bashkë me shoferin Lipo edhe 22-vjeçarin nga qyteti i Pogradecit, Marenglen Kovaçi. Ky i fundit ka deklaruar se heroinën e kishte siguruar nga shoferi i autoambulancës. Sipas policisë, shoferi Ilmi Lipo, duke përfituar nga detyra e tij kryente paralelisht edhe shpërndarjen e lëndës narkotike me mjetin e punës. Nga hetimet e para, të cilat nisën pas kapjes së 42-vjeçarit, ka rezultuar se ai e siguronte drogën nga rrethe të tjera. Dyshohet se Lipo e merrte drogën nga Tirana dhe më pas e çonte atë në qytetin e tij me makinën e punës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që, nga ana e tij, kjo të jetë kryer edhe herë të tjera gjatë shërbimeve jashtë rrethit. Ky nuk është rasti i parë, kur makinat e institucioneve shtetërore përdoren për trafik droge

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›