Policia me plan operativ për Vidovdanin

Policia e Kosovës ka përgatitur planin operacional me rastin e shënimit të Vidovdanit, ditë kjo në të cilën serbët mblidhen në Gazimestan për të festuar humbjen e Betejës së Kosovës 622 vjet më parë.
Derisa kanë mbetur edhe tri ditë deri te mbajtja e manifestimit “Vidovdan”, zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se tashmë kanë përgatitur planin operacional për sigurinë e pjesëmarrësve dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë.
Sabrie Kamberi, zyrtar për informim e Policisë së Kosovës, ka thënë për Kosovapress se plani operativ është përgatitur nga drejtoritë rajonale të Prishtinës dhe Mitrovicës për manifestimin i cili mbahet më 28 qershor në manastirin e Graçanicës dhe Gazimestan.
“Normalisht që përgjegjësitë do të bien te drejtoritë rajonale të Prishtinës dhe Mitrovicës pasi që edhe manifestimi do të zhvillohet në këto dy rajone. Secila drejtori dhe shtyllë do të zhvillohet në kuadër të Policisë së Kosovës në bazë të këtij plani i kanë të qarta detyrat e tyre janë të mobilizuar në mënyrë shumë të përkushtuar dhe profesionale”, ka thënë Kamberi.
Duke pasur parasysh se në shënimin e kësaj dite viteve të kaluara serbët kanë provokuar shqiptarët me parulla çetnike, madje janë shënuar edhe incidente, Kamberi thotë se policia nuk pret të ketë ndonjë incident.
“Ne presim që pjesëmarrja do të jetë po sikurse vitet e kaluara dhe kjo na ndihmon shumë edhe për arsye të mobilizimit tonë për atë ditë janë bërë të gjitha përgatitjet sa i përket fushës së sigurisë nga ana e policisë. Do të ketë patrullime shumë më të shpeshta pastaj njësitë e trafikut do të bëjnë përcjelljen e kolonave pasi që pritet të vijnë edhe pelegrin nga shtetet fqinje dhe vazhdimisht do të bëhet përcjellja e këtyre kolonave nga njësitë e trafikut rajonal dhe nuk presim të ketë diçka që del jashtë suazave”,ka thënë Kamberi.
Ndonëse ende nuk dihet numri i saktë i zyrtarëve policorë që do të angazhohen për ruajtjen e rendit, Kamberi thotë se Policia e Kosovës nuk do të hezitojë ndaj atyre që shkelin rendin.
“Sigurisht që jemi të gatshëm për çdo lloj veprimi dhe parashihet edhe në plan, konkretisht për çdo lloj situate se si duhet të veprohet”, ka thënë Kamberi.
Vitin e kaluar disa dhjetëra autobus dhe makina kishin sjellë disa mijëra serbë në Gazimestan për të marrë pjesë në festën që ata e quajnë Vidovdan, e cila përkon me 622 vjetorin e Betejës së Kosovës.
Betejën e humbur të Kosovës, serbët e ardhur nga Serbia, por edhe nga vise të ndryshme të Kosovës, e shënojnë me ritet e tyre fetare të festës së Vidovdanit.
Festa e Vidovdanit, që për serbët do të thotë pasqyrim i popullit serb dhe dëshmi e asaj se kush çka ka qenë, sivjet shënon edhe 622-vjetorin e Betejës së Kosovës, ku ishte vrarë sulltan Murati i Turqisë, por nga e cila betejë Serbia kishte dalë e humbur nga ushtria turke. (KosovaPress)