E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet zhvendosen në Jug

Mijëra hektarë toke bujqësore mbulohen nga uji në Fier e Korçë. Rrezikohen banesa
Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në disa zona të vendit, kryesisht në Jug dhe Juglindje. Sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore janë mbuluar nga uji, ndërkohë që situata ka alarmuar shtabet e emergjencave.
Fier
Intensiteti i shirave të dy ditëve të fundit ka rritur sasinë e prurjeve në të gjithë lumenjtë e Qarkut të Fierit dhe ka shkaktuar dalje nga shtrati të tyre. Rreziku më i madh që paraqitet është shpërthimi i digës së rezervuarit të Strumit, në komunën me të njëjtin emër në rrethin e Fierit. Prurjet në këtë rezervuar kanë qenë të mëdha dhe niveli i ujit ka kaluar me disa metra mbi kuotën normale. Kjo ka bërë që banorët e zonës të ndihen të rrezikuar. Ndërkaq, specialistë të emergjencave civile në prefekturë që nga mëngjesi i së enjtes janë të instaluar në këtë digë. Sipas kryetarit të Komunës Strum, Safet Ruko, u pa e domosdoshme hapja e një porte, pasi rrezikohej të ndodhet një katastrofë e madhe për shkak të përmbytjeve që mund të shkaktonte shpërthimi i digës. Ndërkohë, qindra hektarë tokë bujqësore në Qarkun e Fierit janë gdhirë të përmbytura mëngjesin e së enjtes. Bëhet fjalë për toka të mbjella me kultura bujqësore, në 90 për qind të rasteve me grurë. Komunat më problematike janë ato të Frakullës, Cakranit, Mbrostar Urës, Libofshës. Banorët ankohen se shkak për situatën është firma kontraktuese italiane që punon në rrugën Levan–Damës. Sipas tyre punonjësit e firmës nuk kanë hapur kanale për kullimin e ujërave në vendet kryesore të rrugës. Nga ana tjetër menaxheri i projektit shprehet se: “Janë banorët ata që nuk na kanë lejuar që të punojmë, pasi pretendojnë se nuk janë paguar për shpronësimin e tokave. Por kjo nuk na takon ne, pasi nuk varet nga ne”. Dje, përfaqësuesi i firmës bashkë me kryetarin e Komunës Frakull, Viktor çervenaku, ka vënë disa makineri për të hapur një kanal për të kulluar ujërat që kanë përmbytur tokat bujqësore të mbjella me grurë. Ndërkohë, edhe një segment prej 100 metrash i autostradës Fier-Lushnjë është i përmbytur.
Korçë
Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në tokat bujqësore edhe në Qarkun e Korçës. Qindra hektarë ndodhen nën ujë në shumë nga komunat e zonës fushore, ndërsa vetëm në pjesën e fushës së Maliqit, përmbytjet kanë prekur të paktën 1000 hektarë, duke dëmtuar të mbjellat. Situata paraqitet më problematike në fushën e Maliqit, por dhe në fshatrat e Komunës së Libonikut që përfshihen nga ish-këneta. Fermerët ankohen se tokat janë dëmtuar shumë dhe vetëm në sezonin e verës kur të kullojë toka dhe të thahet uji mund ta shfrytëzojnë atë për mbjelljet e reja. Përmbytjet e fundit kanë prekur disa fshatra edhe në Komunën e Vreshtasit ku sipërfaqet e mbuluara nga uji dhe tokat bujqësore kanë dalë jashtë përdorimit. Sipas drejtorit të shërbimeve pranë Komunës së Libonikut, Neim Bame, ku janë përmbytur më shumë se 300 ha, shkak për përmbytjet ka qenë jo vetëm shtimi i prurjeve nga shiu dhe shkrirja e dëborës, por edhe mungesa e ndërhyrjes në kanalet kulluese. Sipas Bames, një pjesë e fajit për bllokimin e kanaleve u takon edhe vetë fermerëve, sepse nuk është ndërhyrë në kohë për të bërë pastrimin dhe thellimin e tyre. Ndërkaq, dëmtimi i një argjinature të lumit Devoll, në Komunën Pojan, rrezikon daljen e lumit nga shtrati dhe shtimin e përmbytjeve në fshatrat Sheqeras dhe Pojan. Deri më tani nuk raportohen dëme në banesa, por vetëm në sipërfaqet bujqësore të zonës. Sipas kryetarit të Komunës së Pojanit, Vasillaq Cinoku, në këtë zonë në rast se nuk ndërhyhet me mjete në pjesën ku është dëmtuar argjinatura e lumit, banesat e dy fshatrave rrezikohen seriozisht. Ai deklaron se është sinjalizuar për këtë situatë bordi i kullimit dhe shtabi i emergjencave dhe pritet të mbërrijnë mjete për kryerjen e thellimit të kanaleve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›