E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Rama: Kam humbur, por dua autopsi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pranon se ka humbur zgjedhjet e 28 qershorit, teksa u shpreh se nuk kërkon të ndryshojë rezultatin, por kërkon autopsinë e zgjedhjeve. Rama deklaroi dje pas tryezës në Presidencë se shkoi në tryezë me kundërshtarin e tij politik, për të nxjerrë vendin nga kriza përmes dialogut. "E sqarova Berishën se ne nuk kemi punë me vendimin e gjykatave dhe nuk bëjmë përpjekje për të përmbysur rezultatin, por duam realizimin e autopsisë së zgjedhjeve të vdekura, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të mos jenë të tilla", - u shpreh Rama. Kreu i PS-së vuri në dukje se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa për transparencë të zgjedhjeve dhe se lënia e kutive jashtë objektit të hetimit parlamentar do të ishin shkelje e parimit për të nxjerrë në dritë të vërtetën e 28 qershorit. Kreu socialist duket i gatshëm për të vazhduar dialogun, por sipas tij, kjo nuk mund të zgjasë për shumë kohe, sepse thellimi i krizës bëhet edhe më tepër problematik në interes të shqiptarëve. Rama gjeti rastin të falënderojë faktorin ndërkombëtar, si dhe të shprehë konsideratën për Presidentin e Republikës, i cili po bën përpjekjen e tij për të zgjidhur krizën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›