Shkrehje armësh në lokal, plagosen 3 vetë në Plazh
08/02/2010 Njëri prej tyre azerbajxhanas. Mendohet që autori kishte në shënjestër njërin
DURRES- Tre shtetas në Durrës kanë marrë plagë të rënda në kohën që po dëfrenin në një lokal. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.40 në Plazhin e Durrësit në një nga lokalet pranë stacionit “Hekurudha”. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes, por nuk ka mundur as të kapë dhe as të identifikojë autorin e krimit. Të shtënat në lokal kanë shkaktuar panik si brenda në lokal edhe jashtë tij, pasi asokohe rrugët dhe lokalet kanë qenë të mbushura me kalimtarë e pushues.
Të plagosurit
Tre shtetasit e plagosur kanë qenë të moshës 50 deri në 55 vjeç, por nuk është thënë asgjë nëse ata apo ndonjëri prej tyre ka qenë objekt i krimit. Brenda në lokalin ku ndodhi ngjarja ka pasur shumë qytetarë dhe kjo mund të ndihmojë grupin e hetimit për të krijuar një ide më të plotë rreth autorit që ka mundur të largohet pa u kapur. Të shtënat kanë plagosur tre persona, të cilët kanë marrë plumba në këmbë dhe në bark. Ata janë dërguar në spitalin rajonal dhe dy prej tyre kanë kaluar në sallën e ndërhyrjeve kirurgjikale, por mjekët kanë deklaruar se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka bërë rrethimin e zonës si dhe ka ngritur postblloqe, ndërkohë që personeli i shërbimit dhe disa qytetarë janë detyruar të japin shpjegime për sa kanë parë lidhur me ngjarjen. Lokali që është bërë objekt i aktit kriminal është ndër më të frekuentuarit në fundjavë. Në vendngjarje janë sekuestruar shumë gëzhoja pistolete, armës me të cilën është shtënë në lokal. Burime nga vendi i ngjarjes thonë se personi ka qëndruar në derën e lokalit dhe ka drejtuar armën nga tavolina ku ishin ulur tre burrat e moshës së mesme. Ndonëse nuk ka një konfirmim zyrtar thuhet se njëri nga tre të plagosurit ka qenë objekt atentati, por që i ka shpëtuar plumbit vdekjeprurës. Policia nuk ka bërë të ditur emrat e të plagosurve, pasi ata krahas trajtimit mjekësor që u është afruar po pyeten lidhur me motivet e kësaj ngjarje. Qyteti i Durrësit është trazuar shpesh herë gjatë një muaji nga atentate, plagosje dhe vrasje, një pjesë e të cilave vijojnë të mbesin enigmatike lidhur me autorët dhe motivet. Ka të mundur që personi që ka shtënë të ketë qenë i mbuluar edhe nga dy të tjerë jashtë lokali, të cilët e kanë ndihmuar të largohet me automjet në drejtim të Plepave.
Dy nga të plagosurit janë shtetas shqiptarë, i treti nga Azerbajxhani. Nuk dihet pse është gjetur aty dhe as çfarë bënte. Një nga shqiptarët ndodhet në gjendje të rëndë me plumb në bark.