Procesi “Gërdeci”, Ylli Pinari, akuza ndaj ushtrisë për tragjedinë
TIRANË - Ish-drejtori i “MEICO”-s, Ylli Pinari, e ka hedhur dje të gjithë përgjegjësinë mbi ushtrinë në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Gjatë dëshmisë së tij Pinari fajësoi Forcat e Komandës së Bashkuar (FKB) si përgjegjëse për tragjedinë që ndodhi më 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec. Pas Pinarit foli ekonomistja e MEICO-s, Matilda Tasho. Sipas Tashos, nuk ka qenë detyrë e ndërmarrjes transporti i arsenaleve të armëve, e aq më pak ruajtja e fabrikës. “MEICO është strukturë civile, ruajtja e fabrikës dhe transportimi i armëve janë detyra të ushtrisë”, - tha Tasho. Deklaratat e bëra ditën e djeshme në procesin me 29 të pandehur, bien ndesh me deklaratat e ushtarakëve dhënë ditë më parë në gjykatë. “Ushtria shqiptare ka transportuar municione drejt punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec jo mbi bazën e një grafiku të përcaktuar, por mbi bazën e urdhrave verbale të kompanisë ‘MEICO’, që drejtohej nga Ylli Pinari”, - ka bërë të ditur ditë më parë në seancën e Gjykatës së Tiranës, Lavdërim Çota, ish-shefi i Brigadës Logjistike në Komandën Mbështetëse në vitin 2007.
Pinari
Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, fajësoi Forcat e Komandës së Bashkuar (FKB) për menaxhimin e keq të Gërdecit, duke mos fshehur përgjegjësinë e tyre për tragjedinë që ndodhi më 15 mars të vitit 2008, ku nga shpërthimi i barutit humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. Në dëshminë e tij, Pinari bëri përgjegjëse Komandën e Forcave të Armatosura për transportin, ruajtjen e pikës së demontimit të predhave në Gërdec. Pinari deklaroi se MEICO nuk ka lidhur asnjë kontratë qiraje me kontraktorin SAC, por kontrata me këtë të fundit është lidhur nga ish-reparti ushtarak i Gërdecit. "Një gjë e tillë nuk u bë në Gërdec, ku në MEICO nuk ekziston asnjë shkresë e kërkuar verbalisht apo zyrtarisht asnjë sipërfaqe për depozitim municioni apo ruajtje, pasi detyra e MEICO-s përfundonte në dorëzimin e kamionit të municionit te firma blerëse. Zënia e sipërfaqes nuk është bërë nga MEICO, pasi ajo nuk kishte asnjë funksion në ngarkim, aq më pak në produkte. MEICO ka filluar të dorëzojë municione pas lidhjes së kontratës", - tha Ylli Pinari, ish- drejtori i MEICO-s. Gjatë seancës, Pinari, pati replika me juristen e MEICO-s, Marsida Leka, ish-vartësen e tij, në kohën që ishte drejtuesi i ndërmarrjes.
Ish-ekonomistja
Matilda Tasho, ish-ekonomiste në kompaninë “MEICO”, ishte dëshmitare në procesin ndaj të pandehurve që akuzohen për tragjedinë e Gërdecit. Ai tha se ka pasur mangësi në zbatimin e urdhrave, duke shtuar edhe faktin tjetër se vetë urdhrat ishin të paligjshme. Tasho foli për urdhrin 2044 të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke e cilësuar atë haptazi të paligjshëm në tri pika. Për këtë fakt ajo tha se ia kishin vënë në dijeni edhe Ylli Pinarit. Por, sipas saj, ai, edhe pse kishte premtuar ndryshme, nuk i kishte bërë asnjëherë. Ashtu si edhe Pinari, dëshmitarja ia ka vënë fajin për ruajtjen dhe transportin e municionit ushtrisë. Sipas saj, e gjithë përgjegjësia ka qenë e ushtarakëve dhe se ishin ata që duhej të përgjigjeshin për transportin e municionit dhe për zbatimin e urdhrave të ministrit. Sa për shoqërinë “MEICO”, që merrej me transportin e municionit, ekonomistja tha se ka zbatuar urdhrat që vinin nga Komanda.
Trafiku i drogës
Dëshmia e gjermanes: Erdhëm në Shqipëri të transportonim piktura
TIRANË - E dënuar me 11 vjet heqje lirie për bashkëpunim në trafikimin ndërkombëtar të 40 kilogramëve heroinë, gjermania Rexhina Kiashek dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda si e pandehur për llogari të procesit ndaj fierakut Zaim Tafa, edhe ky i akuzuar për të njëjtën çështje, por që po gjykohet veçmas grupit. E moshuara, e cila ndodhet në paraburgim së bashku me të shoqin, Franc Kiashek, deklaroi se nuk e ka takuar kurrë Zaim Tafën dhe nuk e njeh atë. Ajo pohoi se kishte ardhur në Shqipëri për të transportuar piktura, dhe jo drogë. “Unë vendosa një njoftim në gazetë ku kërkoja punë. Me kontaktoi Daniel Englert, i cili me tha se do të më paguante 300 euro dita që të vija në Shqipëri e të transportoja piktura. Danielin deri në atë moment nuk e njihja. Në këtë pagë sigurisht përfshihej edhe im shoq. Pasi ramë dakord bashkë me Francin erdhëm për herë të parë në Shqipëri. Danieli na kishte thënë në telefon të udhëtonim nëpërmjet Italisë, e nga Bari erdhëm në Tiranë, ku e lamë që do të takoheshim me të në Aeroportin e Rinasit. Nuk e di se nga erdhi Danieli, se linjë nga Gjermania nuk kishte, por pasi e takuam, u nisëm nga Durrësi drejt Lushnjës”, - tha e pandehura.
Tre shtetasit gjermanë janë dënuar nga Krimet e Rënda me 49 vite për kapjen e sasisë më të madhe të heroinës në Shqipëri. Ndërkohë që i akuzuari kryesor, shqiptari Zaim Tafa, pasi u arrestua gjatë të njëjtit operacion, u la i lirë nga Gjykata e Lartë sepse siç u shpreh kolegji nuk gjendej asnjë provë që e implikon atë në këtë çështje.
Plagosi gruan
Dorëzohet pas 6 orësh 80-vjeçari i armatosur
POGRADEC - Negociatorët e RENEA-s kanë mundur të bindin një 80-vjeçar të dorëzohet në Pogradec, pasi për 6 orë me radhë ai kërcënonte me armë. Rexhep Karaji u rrethua dje nga policia lokale në banesën e tij, pasi kishte qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij 72-vjeçare, Fetije Karaji. Pasi ka qëlluar gruan e tij dhe ka kujtuar se e ka vrarë atë, ai është mbyllur në shtëpinë e tij dhe nuk dorëzohej duke shkaktuar panik. Gruaja e tij është shoqëruar për në spital me urgjencë, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Policia vendase ka thirrur në ndihmë RENEA-n, e cila ka marrë përsipër zgjidhjen e situatës, që tronditi qytetin për disa orë me radhë. RENEA ka rrethuar lagjen, ndërsa negociatorët e saj bënë të mundur ta bindin 80-vjeçarin Karaji, një ish-ushtarak, të dorëzohej pa qenë nevoja e përdorimit të armëve, edhe pse rreziku nga i moshuari ka qenë i lartë.
8 Qershor 2010