E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhet e shumta, i jep fund jetës 50-vjeçari



DURRËS - Borxhet e shumta kanë detyruar një 50-vjeçar t’i japë fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se rreth orës 01:00 të dy ditëve më parë, në katin e parë të një pallati në Lagjen Nr. 13, Durrës, është gjetur nga banorët në gjendje kritike për jetën Athanas Prosi, 50 vjeç, banues në Tiranë. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, por gjatë transportit ka gjetur vdekjen. Nga hetimet e policisë rezulton se ai, duke qenë nën efektet e depresionit nervor (pasi ka pasur një sasi lekësh borxh), ka përdorur një sasi helmi fostoksinë duke i dhënë fund jetës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij në Lagjen Nr. 13 në Durrës, është gjetur dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një letër e shkruar me të cilën ai iu drejtohej pjesëtarëve të familjes duke iu kërkuar falje për veprimin që po kryente. Policia tha se, është duke bërë hetime dhe ekzaminime të mëtejshme për saktësimin e shkakut të vdekjes.

I dehur dhe me armë terrorizon gjithë fshatin

LIBRAZHD - Një person i armatosur me një armë zjarri tip “Kallashnikov”, gjatë mesditës së djeshme ka terrorizuar për rreth një orë banorët e lagjes “Qendër” në fshatin Lunik të komunës me të njëjtin emër, 15 km në veri të qytetit të Librazhdit. Xhelil Gjata, 50 vjeç, në gjendje të dehur, shtrëngonte një armë në dorë dhe bërtiste se ndjehej i padobishëm të ushqente me bukë 3 fëmijët e tij të vegjël. Sipas banorëve të kësaj zone, Xhelil Gjata, i moshës rreth 50 vjeç, babai i tre fëmijëve, në gjendje të dehur, për minuta me armën e zjarrit në dorë ushtroi terror ndaj bashkëfshatarëve të tij. Sipas dëshmitarëve, pasi ka qëlluar me armën e zjarrit në ajër duke terrorizuar banorët e lagjes ka deklaruar se do ta përdorë armën ndaj punonjësve dhe drejtuesve të komunës së Lunikut ku ai edhe banon. Sapo ka parë forcat e policisë të mësynin në fshat, 50-vjeçari ka lënë armën dhe ka tentuar të largohej, por është arrestuar më pas nga policia.

Hidhet nga kati i tretë, vdes 30-vjeçarja

Tiranë - Një 30-vjeçare i ka dhënë fund jetës mbrëmjen e djeshme duke u hedhur nga kati i tretë i një pallati në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në një pallat në kryqëzimin e "21 Dhjetorit", ku një grua rreth 30 vjeç, identiteti i së cilës ende nuk bëhet i ditur, është hedhur nga kati i tretë i një pallati. Sipas informacioneve, 30-vjeçarja dyshohet se vuante nga depresioni dhe sipas policisë, ajo nuk kishte rroba veshur në trup. Të pyetur nga policia, banorët e pallatit theksuan se 30-vjeçarja nuk ishte banore e këtij pallati. Gjithashtu ende nuk dihen arsyet që e kanë çuar 30-vjeçaren t'i jepte fund jetës, por policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›