E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi i dy të rinjve, arrestohen autorët dhe dy të dyshuar si bashkëpunëtorë



LAÇ - Arrestohen autorët e ekzekutimit të dy të rinjve në qytetin e Mamurrasit. Policia tha se mbrëmjen e djeshme është bërë i mundur ndalimi i Bledar e Diamantin Preçit. Mësohet se dy autorët, të moshës 26 dhe 23 vjeç, janë kushërinj me njëri-tjetrin. Policia bën të ditur se numri i të arrestuarve ka shkuar në katër, pasi bashkë me dy autorët janë ndaluar edhe dy të dyshuar të tjerë, Rudolf Noci dhe Emi Allamani. Për gjetjen e vendndodhjes së tyre ishin vënë në dispozicion 10 mijë dollarë. Burimet e Policisë së Lezhës kanë bërë të ditur se vrasja e dy të rinjve mbrëmjen e dy ditëve më parë në Mamurras ka ndodhur për shkak të një konflikti, në mes të të cilit ishte një vajzë. Burime të Policisë së Lezhës thonë se një prej viktimave ishte shoqëruar për dy ditë me vajzën, e identifikuar nga policia. I fejuari i saj, së bashku me një person të dytë, në shenjë hakmarrjeje qëlluan dhe vranë Ersid Ramën, 23 vjeç dhe Albert Seitin, 24 vjeç. Ky i fundit kishte marrë plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak. Policia identifikoi dhe arrestoi në orët e mbrëmjes dy kushërinjtë, Bledar dhe Diamant Preçi. Mbrëmjen e dy ditëve më parë ishin kalimtarë të rastit ata që panë një automjet me targa italiane, brenda të cilit ndodheshin dy të rinjtë. Drejtoria e Policisë së Lezhës thanë se është lajmëruar 40 minuta pas ngjarjes se persona të paidentifikuar kishin qëlluar me armë zjarri dy të rinjtë. Rreth orës 21:45 dy të rinjtë kishin lënë autostradën dhe kanë qenë në hyrje të qytetit të Mamurrasit, kur janë qëlluar me breshëri automatiku nga dy kushërinjtë. Për pasojë, 23-vjeçari Rama ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa është plagosur shumë rëndë Albert Seiti, i cili po udhëtonte si pasagjer. 24-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Spitalin Ushtarak.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›