E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja e ngërçit - palët të reformojnë Kodin Zgjedhor

Flet ish kreu i KQZ-së Kristaq Kume

Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume është shprehur dje se palët politike mund të arrijnë pajtimin, duke iu futur punës për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, duke konsideruar kështu, uljen në tryezën e kompromisit. Sipas tij, duhet të ndiqen vetëm rrugët ligjore për realizimin e transparencës dhe nga aty palët t’i drejtohen Kuvendit, për të formalizuar në terma ligjore në formën e mendimi të Kodit Zgjedhor. “Zgjidhjen e krizës, unë e shoh jo nëpërmjet zbatimit të këtij kuadri ligjor që ne kemi, pra Kodit Zgjedhor, por përmes ndërhyrjes në Kod. Pastaj nëse dy kahet e politikës shqiptare bien dakord që të ndërhyjnë në Kod, problemi shtrohet te përputhshmëria e vendimit të parlamentit me Kushtetutën. Kompromisi në këtë rast do të ishte që ti jepet e drejta komisionit Ad Hoc të administrojë materialet zgjedhore duke ndryshuar Kodin, në mënyrë që materialet zgjedhore të shikohen para se të shkojnë në arshivën e shtetit. Mazhoranca nuk pranon që të verifikohen materialet zgjedhore, sepse nuk mund të anashkalojë ligjin, i cili parashikon se me përfundimin e procesit, është KQZ që ka detyrën të administrojë materialet zgjedhore”, u shpreh ish kreu i KQZ-së, Kristaq Kume.
Kume vë theksin në depolitizimin e administratës zgjedhore nga nivelet më të ulëta të saj, grupet e numërimit, ose komisionet e qendrave të votimit.
“Ndoshta është koha të diskutojmë për të eksperimentuar në formë-pilot votimin elektronik, meqenëse jemi para zgjedhjeve lokale ku mund të provohet a ka kushte dhe çfarë sjell ky proces”, tha Kume.
Lidhur me hapësirat ligjore që çështja e pretendimeve të Partisë Socialiste t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, Kume thotë se edhe qëndrimi i ndërkombëtarëve është që ngërçit t’i jepet fund sipas rrugëve që ofron ligji dhe kushtetuta. Sipas tij, kërkesat për interpretimin e Gjykatës Kushtetuese dhe opinionin e Komisionit të Venecias janë të barazvlefshme.
“Ndërkombëtarët rekomandojnë që të zgjidhet ngërçi politik me kushtin që të respektohet legjislacioni zgjedhor dhe Kushtetuta e Shqipërisë dhe të sigurohet transparenca maksimale e mundshme e procesit të kaluar zgjedhor. Të dyja këto kërkesa për ta, janë të barasvlershme. Pyetja që mund të shtrohet në këtë rast është nëse kuadri ligjor aktual i ka hapësirat e nevojshme për të realizuar këtë transparencë që kërkohet. Unë mendoj se nuk i ka këto hapësira, sepse po ti kishte, nuk do të kishte probleme. Mjafton që të zbatohet ai kuadër dhe gjithçka realizohet”, deklaroi Kristaq Kume, ish kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Porsa i takon përmirësimeve të Kodit Zgjedhor, Kume thotë se puna duhet të përqendrohet në gjithë aspektet që kanë të bëjnë me administrimin e procesit zgjedhor. Ai përmend gjithashtu edhe çështjen e votimit elektronik, si një mundësi që mund të aplikohet që në zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Nëse duhet të mbajmë këtë administratë zgjedhore të ndërtuar sipas parimit të balancimit dhe përfaqësimit politik, apo të fillojë diskutimi dhe të arrihet deri në zgjidhje që çojnë në ndryshime thelbësore. Pra, të nisë procesi i depolitizimit të administratës zgjedhore nga nivelet më të ulëta të saj: grupet e numërimit ose komisionet e qendrave të votimit, të cilat duhet të ndërtohen mbi bazën e parimit të profesionalizmit dhe jo të parimit të përfaqësimit politik. Mund të shikohet mundësia që procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave të bëhet përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit, pra, nëpërmjet skanimit. Për të mos thënë se ndoshta është koha të diskutojmë për të eksperimentuar në formë pilot votimin elektronik, meqenëse jemi para zgjedhjeve lokale ku mund të provohet a ka kushte dhe çfarë sjell ky proces”, tha më tej, ish kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›