E Diel, 1 Nëntor 2026

Telekomunikacioni dhe energjia dy çështje të vështira

Shefi i ekipit të Beogradit në dialogun me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq, tha se është e mundur që Serbia të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE deri në fund të vitit.

"Nëse struktura e tanishme mbetet në pushtet pas zgjedhjeve, ajo do të bëjë ç'është e mundur, në mënyrë që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë marrëveshje", ka thënë Stefanoviq në një intervistë për edicionin e së hënës të shtypit ditor të Beogradit.

Stefanoviq, tha se ai është optimist, por që çështjet e telekomunikacionit dhe energjisë janë ende një problem.

"Ajo do të jetë e vështirë, sepse Beogradi dhe Prishtina kanë pikëpamje diametralisht të kundërta mbi këto dy çështje," tha ai.

Stefanoviq shpjegoi se Beogradi insiston në rregullimin e funksionimit të Telekomit dhe Industrisë Energjisë Elektrike të Serbisë (EPS) në Kosovë, në veri dhe në jug, ndërsa Prishtina nuk e pranon këtë.

"Në çdo variant, qeveria e re do të duhet të vazhdojë bisedimet", ka thënë Stefanoviq.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›