Zhani Ciko: Titulli akademik një vlerësim i lartë, njëherësh pjesë e të gjithë artistëve
Kryevepra botërore kanë zbritur këtë sezon në skenën e TKOB, e ndërkohë që të tjera priten të ngjiten në skenën e këtij institucioni kulturor. Ajo që po sjell ky institucion tek publiku shqiptar, i cili sheh në skenën e tij merr emocione nga veprat që mbajnë
firmën e autorëve të njohur botërorë, padyshim që merita i takon dhe drejtuesit të këtij institucioni z. Zhani Ciko. I cilësuar si personalitet i artit dhe kulturës dhe me shumë vlerësime, së fundi atij iu akordua nga Akademia Imperialis, Ylli i Artë Akademik Ndërkombëtar, me regjistrimin në Librin e Artë të Akademikëve të Mëdhenj. Në një intervistë dhënë për gazetën SOT mjeshtri Ciko rrëfen si e priti këtë vlerësim, për të cilin ai pohon se kjo i shkon dhe artistëve të tjerë të cilët kontribuojnë në rrugine artit. Në vijim të kësaj interviste, titullari i TKOB rrëfen dhe për sfidat e tjera të sezonit artistik.
-Së fundi ju u vlerësuat dhe me Yllin e Artë Akademik Ndërkombëtar nga Akademia Imperialis. Si e pritët këtë titull?
Ka disa kohë që mua më erdhi korrespondenca e Akademisë Imperialis nga Italia me anë të së cilës unë u njoha me këshillin drejtues të kësaj akademia për të më akorduar këtë titull, që është një titull mjaft i lartë që ka kjo akademi prestigjioze me një rrugë në kërkimin shkencor, juridik dhe kulturor që në vitin 1705. Sigurisht që unë iu përgjigja këtij vlerësimi, por nga ana tjetër mu duk e drejtë që unë të paraqitja dhe një cv timen. Pas kësaj erdhi dhe titulli nga kjo akademi. Që kur unë pata kontaktin e parë, ku unë u informova se cili ishte statuti i kësaj akademie dhe cilat ishin synimet e saj, mua mu duk i rëndësishëm fakti që përzgjedhja ime e kahershme për të qenë i lidhur përfundimisht me vendin në të gjitha momentet, si në ato të vështira të tranzicionit, si dhe në ato që kisha bërë më parë, kjo tregonte se nuk është e vërtetë që të punosh në Shqipëri je në një ishull që e njohin vetëm shqiptarët. Ky është një konkluzion jo vetëm i imi, por është i vlefshëm për të gjithë kolegët e mi, për bashkëpunëtorët e mi. Gëzohem pa masë që Shqipëria në sajë të hapave të rëndësishëm që ajo po merr për integrimin, tashmë shembuj të tillë tregojnë se në ambientet e elitës evropiane ka filluar të jetë prezente. Ky është një ogur i mirë jo vetëm për mua, por për të gjithë kolegët e mi. Ky ishte impresioni i parë, ndërsa i dyti ishte leximi i motivacionit. Këtu përfshiheshin dy aspekte, ajo e motivacionit profesional dhe e seleksionim, ku u fut dhe kontributi institucional që kam dhënë prej vitesh. E treta ka të bëjë me theksimin human të këtij misioni, që rrezaton puna jonë artistike dhe përkushtimi në sferën e mirëkuptimit njerëzor dhe të atij kontributi për ti bërë arritjet tona, që ato të jenë arritje të një gjuhe muzikore, që mirëkuptohet në të gjithë botën falë dhe artit të muzikës që e ka këtë. Ky vlerësim pati një jehonë dhe në shtyp, dhe kjo më gëzoi. Kam pasur shumë urime, nga njerëz që e duan artin, nga miq dhe kolegë dhe kjo më shton bindjen se mundësia me të cilën punojnë njerëzit tek ne është një mundësi e madhe. Unë kam pasur fatin të realizoj shumë ide dhe të gjitha këto gjejnë dhe miratimin në shumë vlerësime, ashtu siç ishte dhe urdhri i lartë francez Kalorësi i Artit dhe i Letrave, ky vlerësim, etj. Unë them se njerëzit e Shqipërisë po vlerësohen dhe kjo nuk është vetëm për mua personalisht. Nga ana tjetër ky titull akademik, shkon dhe për artistët e operës. Ky nuk është një titull individual, por ai është dhe për TKOB i cili tashmë ka marrë ngjyrën, që unë dhe artistët kemi përjetuar në mendjen dhe zemrat tona.
-Treguat se ky vlerësim i shkon dhe shumë njerëzve të tjerë që kanë qenë së bashku me ju gjatë këtyre viteve. Po familja juaj sa ju ka mbështetur?
Sigurisht që ky vlerësim i shkon dhe familjes sime. Atyre sakrificave të një njeriu që punon me orë të tëra dhe kur vjen në shtëpi sërish mendon po për punën. Bashkëshortja ime Rudina, e cila qëndron afër meje edhe në punë pikërisht për të mos humbur ato kontaktet e familjes sonë, të ngushtë nga ana numerike por shumë e lidhur me njëri-tjetrin. Sigurisht dhe nënës sime të moshuar, e cila është e aftë që të gjykojë dhe vetë duke ndjekur jetën sociale dhe politike të vendit dhe duke parë shfaqjet, ajo e di se çdo të thotë e tëra kjo dhe pa më pyetur mua. Por mua më duket se pas këtij titulli TKOB dhe AKKVP është rritur në nivelin e vlerësimit ndërkombëtar.
-Gjatë këtij sezoni artistik TKOB prezantoi një kalendar të pasur artistik, e ndërkohë çfarë mund të na thoni për pjesën tjetër. Çfarë pritet që të sjelli para publikut?
Edhe këtë sezon puna do të vijojë për të sjellë para publikut vepra të bukura artistike. Ne na presin disa sfida të reja artistike. Ne kemi së shpejti koncertin kushtuar Nënë Terezës, që do të jetë më datë 26 gusht, ai është koncerti i klimës që duhet të sjelli. Ne po punojmë për këtë pavarësisht nga periudha e pushimeve të artistëve, pasi ne duam të bëjmë diçka shumë serioze. Më pas vjen vepra me të cilën ne do të hapim dhe sezonin artistik, që është opera "Përrallat e Hoffmanit", e kompozitorit gjerman Jacques Offenbach, që është një bashkëpunim shumë i rëndësishëm i operës sonë me artistë francezë, ku në majë të gjithë këtij bashkëpunimi është sopranojna jonë Inva Mula. Kjo do jetë një nga sfidat më të mëdha në karrierën e sopranos Inva Mula, sepse ajo do të interpretojë 3 role njëherësh në këtë premierë, pasi është një opera triptik. Pas kësaj ne do të kemi një projekt të veçantë dhe për Vitin Shopenian, për mbylljen e tij. Do jenë Gerti Vaso dhe Enada Hoxha në rolet e tyre si koreografë dhe kjo është një gjetje origjinale, që ne e kemi bërë dhe më parë në jubileun Mozartian, ai do të jetë një spektakël i bukur. Do të jenë pikërisht këto personazhe që do të sjellin diçka të bukur dhe në botën e koreografisë. Më pas do të kemi një sfidë tjetër të madhe, që do të jetë vënia në skenën e operës së madhe të Verdit Otello. Kjo është një shfaqje e madhe siç është tragjedia e Shekspirit, por nga ana tjetër do të jetë dhe një shfaqje e madhe vokale. Ajo kërkon vokale të bukura dhe me potencë. Sfida jonë është që ne të sjellim Otellon e artistëve që janë pjesë e TKOB. Unë gjatë gjithë këtyre viteve kam kuptuar që filozofia e realizmit është filozofia e përfshirjes e sa më shumë të forcave të brendshme në shfaqjet tona, jo e mbylljes së operës brenda artistëve shqiptarë dhe produksionit shqiptar, përkundrazi e hapjes së tyre në bashkëveprim, duke pasur në qendër disa produksione të rëndësishme. Audicionet tregojnë se kush do të jetë, por po punohet shumë seriozisht dhe do të jetë nga gëzimet e mëdha. Ne duke pasur besim tek puna e madhe që po bëjnë artistët, ne mund ta realizojmë këtë në një nivel ashtu si realizuam një Anna Bolenë. Por do të kemi dhe të tjera aktivitete deri në muajin dhjetor për të mbërritur tek balloja e fundvitit.
-Skena operistike edhe këtë sezon do të presë artistë të njohur shqiptarë, që kanë tashmë një aktivitet në skenat e botës, por çfarë mund të na thoni për të huajt?
Këtë sezon është Inva Mula, para disa kohësh ne patëm një tjetër emër të njohur siç ishte Saimir Pirgu, por do të jenë dhe disa nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore. Ata do të jenë në pranishëm dhe në skenën shqiptare. Këta artistë, të cilët po përpiqen të bëjnë çmos që të afrohen me ardhjen e tyre na kanë dhënë diçka të madhe, pasi ata vijnë të punojnë me bindjen se këtu prodhohet diçka e mirë. Pas çdo vepre apo koncerti shprehjet e tyre ishin shumë komplimentuese dhe ishin fjalët më të mira për atë që ata gjetën tek ne. Ne i mirëpresim dhe artistët shqiptarë dhe që në fillim kemi thënë se opera është shtëpia e madhe e artistëve shqiptarë. Nuk do të jetë vetëm një opera me artistë shqiptarë, por ashtu si operat franceze apo dhe të tjera që janë të të gjithë artistëve dhe ky është tipari më i bukur që ne kemi fituar nga të gjithë këto vite lirie. Duhet të kuptojmë diçka dhe ta përsërisim që mos ta harrojmë, që art