E Diel, 1 Nëntor 2026

Zharku ia dorëzoi Thaçit pyetësorin për marrëdhënie tregtare të BE’së

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku ia ka dorëzuar pyetësorin për marrëdhënie tregtare të Bashkimit Evropian, kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi. Ky i fundit ka premtuar që do të angazhohen të gjitha institucionet e vendit në këtë drejtim që Kosova sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian.

MTI-ja, iu ka përgjigjur të gjitha pyetjeve që kanë dalë nga ky pyetësor.

Kryeministri Hashim Thaçi, në takimin e Këshillit Ndërministror për pyetësorin për marrëdhënie tregtare me BE-në, ka thënë se kjo mundësi që iu është dhënë Kosovës nga shtetet e Bashkimit Evropian është unike, por në të njëjtën kohë është përgjegjësi për Kosovën si shtet që të i përgjigjet këtij procesi.

Shef i ekzekutivit të vendit, ka theksuar se kjo kërkon angazhim dhe përkushtim më të madh për Kosovën.

“Integrimi në Bashkimin Evropian ka qenë dhe edhe do të mbetet një sfidë jashtëzakonisht e rëndësishme. Qëllimi i yni natyrisht kërkon përgjegjësi kërkon edhe kohë edhe përkushtim angazhim të gjithanshëm. Në këtë drejtim kemi përkushtimin tonë të plotë por edhe mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe gjithë botës demokratike. Kërkohet angazhim i plotë serioz, profesional i politikës mund të them gjithë kosovare sepse është qëllim i gjithëve i politikës i institucioneve kosovare po ashtu edhe qytetarëve të vendit pa dallim etnie”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Sipas tij drafti i përgjigjeve që janë përgatitur një javë para afatit zyrtar, tregon seriozitetin e qeverisë dhe ministrisë përkatëse.

Thaçi, ka deklaruar se në ditët në vijim kërkohet që punohet vazhdimisht me një angazhim maksimal i gjithë potenciali tjetër shtesë në mënyrë që zyrtarisht të dorëzohet pyetësori, në mënyrën më të plotë më profesionale dhe të mundshme.

Nga ana tjetër ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ka konfirmuar që MTI-ja iu ka përgjigjur të gjitha pyetjeve të këtij pyetësori.

“Ne sot e kemi të gatshëm draftin final për pyetësorin e tregtisë i cili iu është dorëzuar zyrës së kryeministrit dhe kryeministri do të dorëzoj kjo tash është qështje e procedurave. Ne e kemi të kryer ju kemi përgjigjur të gjitha pyetjeve”, ka thënë Zharku.

Sipas tij pyetësori nuk paraqet sfida, por kërkon përgjigje në fushat konkrete. Gjithashtu kërkon përshkrimit të gjendjes reale në ekonomi.

Pyetjet janë të ndara në 8 fusha. Në këtë pyetësor janë 217 pyetje të cilat mund të ndahen në nën pyetje që mund të jen 500 apo 600 pyetje.

Pyetësori është faza e parë për nënshkrimin e një marrëveshje për tregti me Komisionin Evropian.

Këtë pyetësor pritet që në ditët e ardhshme të dorëzoj kryeministri i vendit zyrtarisht zyrtarëve evropian. /kosovapress/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›