Yjet do ta braktisin La Ligën

Marin beson se eksodi i futbollistëve nga Spanja do të vazhdojë sepse, sipas tij, është e pamundur për shumicën e klubeve të mbajnë futbollistë si Radamel Falcao, të kërkuar anembanë Evropës.
“Brenda tri viteve në Spanjë nuk do të luajë asnjë yll përveç atyre në Barcelonë dhe Real Madrid”, deklaroi Marin gjatë një interviste për të përditshmen sportive spanjolle AS.
“Ne duhet të ndryshojmë këtë strukturë në mënyrë që 18 nga 20 klubet në La Liga të mos jetojnë me grimca të bukës. Me ardhjen e investuesve nga Katari, Abu Dhabi dhe Rusia, 10 ose 15 futbollistë, të cilët i takojnë nivelit të lartë e luajnë në këto skuadra tjera, do të kërkojnë të largohen. Ata do të luajnë në Kinë, në Paris Saint-Germain ose Manchester City sepse futbollistët besojnë se karrierat e tyre janë të shkurtra”, shtoi ai duke u ankuar në mënyrën e distribuimit të parave nga shitja e të drejtave televizive ku Barcelona dhe Reali marrin pjesën kryesore.
“Premierliga ka krijuar një imazh, klubet atje përfitojnë tri herë më tepër se spanjollet. Këtu jam i sigurt se Reali dhe Barcelona sërish do të jenë 30 pikë larg pozitës së tretë”, përfundoi ai.