E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dërgohet në gjyq banda e bankomatëve

Prokuroria mbyll hetimet për 15 të akuzuarit se kanë grabitur 300 mijë euro nëpërmjet kartave të kreditit false

TIRANË- Banda e bankomatëve, e arrestuar disa muaj më parë nga policia e kryeqytetit do të përballet me gjykatën në lidhje me krimet që ka kryer. Task Forca e prokurorisë përfundoi fazën hetimore dhe dërgoi dosjen për gjykim ndaj 15 të pandehurve të arrestuar në operacionin e policisë të koduar me emrin “Matrix”. Të gjithë të pandehurit akuzohen për vjedhje me anë të mashtrimit në shuma të mëdha parash; falsifikim të letrave me vlerë me pasojë vjedhjen e tyre dhe moskallëzimin e krimit në bashkëpunim. Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurori Armand Gurakuqi, mësohet se vetëm dy prej 15 të pandehurve nuk kanë pranuar akuzat e vjedhjes me anë të klonimit të kartave të kreditit dhe blerjen e sendeve nëpër qendra tregtare, ndërsa 13 të pandehurit e tjerë kanë pranuar akuzat dhe kanë shprehur pendesën për veprimet e kryera.

Sipas kërkesës për gjykim, të 15 pandehurit gjatë periudhës 30 nëntor 2007- 4 korrik 2008 kanë kryer vjedhjen e rreth 200 mijë eurove kesh me anë të tërheqjeve të parave nga bankomatët (ATM në rrugët e qyteteve të ndryshme) dhe blerjen e sendeve të ndryshme me vlerë që kapin shifrën e rreth 100 mijë eurove. “Të pandehurit funksiononin si një grup i organizuar, ku 20- vjeçari Endrit Gjergjani ishte “koka” e grupit i cili me anë të kompjuterit që ndodhej në një internet kafe në rrugën “Myslim Shyri” kryente blerjen e Nr. serial të kartave të kreditit dhe kodeve PIN dhe me pajisjen e sofistikuar elektronike klononte karta të kreditit të llojit “Mastercard” dhe “Visa”. Më pas këto karta i shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi me qëllim tërheqjen e shumave nga bankomatet (ATM-t) apo blerjen e sendeve të ndryshme me vlerë nëpër qendrat tregtare që ndodhen në Shqipëri, si në qytetin e Tiranës, Vlorës, Fierit dhe Elbasanit”,-thanë burimet e akuzës. Mësohet se nga provat e shumta të mbledhura nga hetuesit e kësaj çështjeje, është bërë e mundur nxjerrja e një përfundimi se me anë të rreth 40 kartave të kreditit të klonuara, të cilat janë sekuestruar, të 15 të pandehurit kanë mundur të vjedhin nga llogaritë e ndryshme bankare shumat prej rreth 300 mijë euro.

Gjithashtu, mësohet se prokurori i çështjes, Gurakuqi, ka bërë veçimin e dosjes për të vazhduar hetimet edhe për grupin e dytë të këtij rrjeti, të cilët vazhdojnë të shijojnë lirinë, duke vjedhur me anë të kartave të klonuara të kreditit shuma të ndryshme parash brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mësohet se kreu i grupit të vjedhjes, Gjergjani, ishte rekrutuar nga disa studentë kosovarë që ndodhen në Shqipëri dhe disa të tjerë që ndodhen për të kryer vetëm aktivitetin kriminal. Sipas akuzës, Gjergjani duke shfrytëzuar llogaritë bankare të shtetasve të huaj, blinte PIN-et dhe numrat serialë të kartave të kreditit të ndryshme nga hakersat rusë dhe kosovarë kundrejt pagesave të ndryshme. Nga hetimet e kryera sipas akuzës, ka rezultuar dhe janë verifikuar pagesat për rusët e kosovarët, që janë kryer nëpërmjet transfertave bankare nga llogaria e njërit nga të pandehurit e kësaj dosje, llogaria e të cilit është shfrytëzuar nga kreu i grupit Gjergjani. Sipas prokurorisë, 15 të pandehurit kanë kryer mbi 400 vjedhje, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj. nëpërmjet të cilave, vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në SHBA, Kanada, Angli.

Të arrestuarit:

1. Endrit Gjergjani ( Laro), 19-vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, student i Juridikut, kreu i organizatës

2. Anil Gjergjani, 47–vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, babai i Endrit Gjergjanit

3. Kreshnik Luka , 23-vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, student në Universitetin e Kamzës

4. Ledjo Doko, 19-vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me arsim të mesëm

5. Enea Çela, 18-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, student, me kombësi e shtetësi shqiptare

6.Besford Puka,27-vjeç,lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të mesëm

7. Seid Mollaj, 23-vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë me profesion inxhinier elektronik, punësuar në sektorin privat

8. Fatmir Borshi , 20-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, rruga “Muhamet Gjollesha”, student në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega anglisht

9. Redi Çekani, 19-vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, student

10. Blerim Abazi, 24-vjeç, lindur dhe banues në fshatin Derven, Krujë, me arsim 8 klase, i papunë

11. Flamur Gashi, 28-vjeç, me arsim 8 –klase, me aktivitet privat, me banim në Derven, Fushë-Krujë

12. Indrit Abazi , 23-vjeç, lindur dhe banues në Derven Fushë-Krujë

13. Alban Bari, 27-vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, student

14. Klodian Terolli, 20-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, student në Universitetin “UFO”

15. Fatmir Kolmarku, 32-vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë

Sendet e sekuestruara:

Pajisje elektronike për klonimin e kartave me shirit manjetik.

Një sasi kartash me shirit manjetik të mbushura.

Kompjuter laptop dhe kompjuterë të zakonshëm gjashtë copë

Dokumente bankare për pajisje me karta krediti.

Automjete prodhim i viteve të fundit pesë copë

Aparate telefoni celulare me karta të kompanive Vodafone dhe AMC, 60 copë

Certifikata të ndryshme

CD, Flesh, në sasira të konsiderueshme.

Disa doza lënde narkotike, hashash dhe heroinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›