“Shifrat nuk janë të sakta, kapacitetet emigruese, në shifra të papërfillshme”

Mashtrimi i sondazheve nga OJQ-të majtiste, reagon studiuesi Artan Hoxha
Në një kohë kur Shqipëria pret të marrë aprovimin e Komisionit Evropian, për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, një organizatë e kontrolluar korrektësisht nga opozita, publikoi, përmes një sondazhi të saj, disa shifra rreth emigracionit të shqiptarëve, duke dhënë një shifër alarmuese prej 38 për qind qytetarësh që mund të emigronin në vendet e “Schengenit”. Lidhur me këtë konstatim aspak të vërtetë, por më shumë të manipuluar për interesa të ngushta të klasës politike, studiuesi Artan Hoxha thotë se potenciali emigrues i shqiptarëve, është vetëm 4.5 për qind.
Një kalkulim i gabuar, por njëherazi edhe i manipuluar që fliste për afro 38 për qind të shqiptarëve që në rast se do të liberalizoheshin vizat do të largoheshin nga Shqipëria për të jetuar në një nga vendet e Bashkimit Europian. Drejtori i Institutit të Studimeve Bashkëkohore Artan Hoxha, pas një ballafaqimi të shifrave të sondazhit dhe kontakteve me zyrën e Gallup Europe, ka arritur në përfundim se në realitet potenciali emigrues i Shqipërisë bazuar dhe në sondazh është shumë më i ulët se ai i bërë publik në muajin shkurt. Hoxha në mënyrë të detajuar sqaron këtë keqkuptim mediatik.
Sipas studiuesit Hoxha duke llogaritur rezultatet e bëra publike nga sondazhi realisht, pritshmëria e potencialit emigrues pas liberalizimit nuk mund t’i kalojë 4.5 për qind dhe as që mund të bëhet fjalë për 38 për qind të shqiptarëve që duan t’i largohen Shqipërisë siç raportonin mediat. Por ky keqkuptim nuk mund të vinte në një moment më të papërshtatshëm se ky, për Shqipërinë.
Në një kohë që vendi ynë pret finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe lëvizjen e qytetarëve shqiptarë pa barriera në zonën “Schengen”, publikimi i këtyre shifrave, mund të ndikojë negativisht në imazhin e vendit në sytë e vendimmarrësve në Komisionin Europian.