Zhduket ankimimi i familjarëve të viktimave të 21 Janarit. Fëmijët e Veizit: Duam 180 milion lekë dëmshpërblim
(E PERDITESUAR)- Gjykata e Apelit ka shtyrë për më 25 korrik seancën gjyqësore për ngjarjet e 21 janarit.
Vendimi për shtyrjen u bë pas dorëheqjes së gjyqtarit Agron Papajani.
Seanca e parë gjyqësore në Apel për të akuzuarit për vrasjet e demonstruesve në 21 Janar ka zgjatur fare pak, ndërsa në sallë mungonin edhe dy të akuzuarit Agim Llupo dhe Ndrea Prendi.
Ky i fundit kishte paraqitur një deklaratë ku thuhet se do të përfaqësohej nga avokati i tij, Genci Gjokutaj.
Që në fillim të seancës, avokati Gjokutaj kërkoi largimin e dy anëtarëve të trupit gjykues, Agron Papajani dhe Fatos Qato, me arsyetimin se kanë konflikt interesi.
Sipas tij, Papajani nuk mund të gjykojë këtë çështje pasi ka qenë edhe në seancën gjyqësore kur ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, iu dha masa e sigurisë, ndërsa Fatos Qato është bashkëshorti i anëtares së PS-së, Merita Qato.
Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe ish-gardistin Agim Llupo.
Por avokati i familjarëve të viktimave të 21 Janarit, Dorian Matlija deklaroi se në gjykatën e Apelit mungonte dosja e ankimimit të bëra nga familjet e viktimave.
Është diçka që ndodh tmerrësisht shumë rrallë, por ka ndodhur në një çështje me ndjeshmëri kaq të lartë. Besoj se nuk ka ardhur fare në apel dhe është depozituar që në mars kur ka qenë koha për dorëzimin e ankimeve, u shpreh Matlija.
Sipas tij, familjarët e viktimave duhet të merrnin pjesë në seancë pasi kanë të drejtën të pyesin ekspertët dhe dëshmitarët.
Ndërkohë avokatët e Ana dhe Klajdi Veizit, dy fëmijët e Ziver Veizit, protestuesit të vrarë në protestën e dhunshme të 21 janarit, kërkuan 180 milionë lekë dëmshpërblim.
Avokatët Andi Kanani e Dorian Matlija, që mbrojnë çështjen e Ziver Veizit, pretendojnë se fëmijëve të protestuesit të vrarë duhet tu jepet një shumë të hollash si dëmshpërblim pasi tashmë nuk ka kush të kujdeset për to./ep