E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-kreu i hipotekës shiti tokën e Shtetit në 2005 me çmimin e 2003



TIRANE - Gazmend Zeneli, ish-kreu i Hipotekës, tashmë i dërguar në gjyq nga Prokuroria e kryeqytetit, akuzohet se ka përdorur në vitin 2005, çmimet e vitit 2003 për shitjen e një trualli shtetëror 6 mijë metër katrorë pranë Qytetit të Nxënësve tek ish-praku i autobusëve në Tiranë. Hetimi i ka nxjerrë se pasi është bërë shitja, Zeneli e ka regjistruar pronën brenda dhjetë ditëve, ndërkohë që në praktika të tjera që janë sekuestruar regjistrimi zgjaste nga një deri në dy muaj. Shitja e pronës është bërë nga Bashkia e Tiranës, e cila i ka kërkuar dy herë mendim këtij për çmimin dhe i ka plotësuar gjithë dokumentet siç duhet. Ka rezultuar nga hetimi se Bashkia i ka bërë një kërkesë të parë, e cila në fakt nuk është gjetur në Hipotekë. Zeneli nuk i ka kthyer përgjigje kësaj kërkese të bërë në vitin 2004. Ndërkohë në vitin 2005, kur i është kërkuar sërish mendim për çmimin, Zeneli i ka kthyer përgjigje për shkresën e parë, pasi ligji thotë se në një vit të caktuar mund të merren për bazë çmimet brenda një 12-mujori kalendarik. Pra, Zeneli i është përgjigjur bashkisë në vitin 2005, për shkresën e dërguar në vitin 2004, duke i dërguar çmimet e referencës së vitit 2003. Shkresa e përgjigjes për bashkinë mungon në Hipotekë, ku është gjetur vetëm kërkesa që ka bërë Bashkia e Tiranës. Në këtë dokument të vitit 2005 thuhet: “Në vijim të kërkesës së bërë në mars 2004 për caktimin e çmimit të truallit, ju përsërisim edhe njëherë kërkesën për çmimin”. Meqë ky dokument është protokolluar dhe se përmban edhe datën e shkresës së parë Prokuroria e ka konsideruar të mirëqenë. Sipas organit të akuzës të kryeqytetit, përderisa shitja ishte shtyrë në vitin 2005 për shkak të mosdhënies mendim nga Zeneli në 2004 për çmimin, hipoteka duhej të kishte zbatuar çmimet e kohës kur është bërë shitja. Kallëzimi për këtë rast është bërë nga një qytetar, i cili ka pretenduar pjesë në pronën e shitur, por duke qenë se pretendimet e tij nuk janë gjetur të bazuara, procedimi është hapur nga Prokuroria kryesisht, pasi nga shqyrtimi i dokumenteve ka dalë se çmimi i caktuar nga Zeneli ka qenë i paligjshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›