Zhduket në Elbasan maqedonasi
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Policia e Elbasanit ka shpallur person të humbur një 42-vjeçar nga Gostivari i Maqedonisë. Makina e tij u gjet e braktisur buzë rrugës nacionale Elbasan-Peqin, duke hedhur dyshime për fatin e udhëtarit me kombësi shqiptare. Sipas banorëve të zonës, mjeti është konstatuar në vendin e quajtur "Ura e Zezë". Ata janë alarmuar teksa kanë vënë re se dyert e makinës tip "Punto" me targë BT416DB ishin të hapura, ndërsa xhami i përparmë i saj i thyer. Pas sinjalizimit të dhënë, policia mbërriti në vend dhe nisi hetimet për të identifikuar të zotin e makinës. Në sajë të verifikimeve të kryera në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, rezultoi se ajo i përkiste shtetasit nga Gostivari, Isak Ademi. Mësohet se 42-vjeçari ishte futur nëpërmjet kësaj pike kufitare më 30 korrik. Një ditë më pas, mjeti i tij u gjet i braktisur. Prej pesë ditësh, Ademi rezulton person i zhdukur, ndërsa policia nuk ka mundur të gjejë asnjë gjurmë të tij. "Mjeti është gjetur i braktisur rreth 24 orë pasi ka kaluar në pikën kufitare të Qafë Thanës, rreth 80 kilometra larg saj", bëri të ditur policia e Elbasanit. Blutë kanë nisur hetimet për gjetjen e pronarit të mjetit, i cili edhe pse kanë kaluar disa ditë ende nuk është bërë i gjallë që të paraqitet në drejtorinë e policisë për të marrë makinën e tij. Sipas policisë, po punohet në disa pista, ku nuk përjashtohet edhe dyshimi që 42-vjeçari të jetë larguar me dëshirën e tij. Gjithashtu, dyshohet edhe ndonjë grabitje e mundshme me dhunë apo ndonjë konflikt që shqiptaro-maqedonasi ndoshta ka pasur në Shqipëri. Ekspertët e hetimit kanë kontrolluar të gjithë zonën ku u gjet mjeti, por nuk ka rezultuar të ketë asnjë gjurmë të 42-vjeçarit nga Gostivari. Ndërkohë policia e Elbasanit konfirmoi se mjeti i braktisur tip "Punto" kishte të thyer xhamin e parë çka hedh dyshime se Ademi mund të jetë grabitur. Në pyetje janë marrë edhe disa banorë të zonës, por dëshmia e tyre nuk ka ndihmuar në zbardhjen e zhdukjes në mënyrë misterioze të maqedonasit. Banorët kanë pohuar se kishin vënë re mjetin me dyer të hapura në rrugë prej disa orësh. Kur ata janë afruar kishin dalluar se makina ishte e braktisur, ndërsa xhami i saj i përparmë ishte i thyer. Duke menduar për ndonjë vrasje të mundshme, ata kanë sinjalizuar menjëherë policinë. Sipas burimeve, kanë nisur hetimet dhe kërkimet, por ende vetëm në zonën e Elbasanit. Nëse nuk do të gjejnë asnjë gjurmë të tij, do të nisin hetimet duke marrë të dhëna edhe nga pala maqedonase për ndonjë konflikt të mundshëm të tij në shtetin fqinj. Mësohet se ende policia e Elbasanit nuk ka kontakte me familjen e 42-vjeçarit për ngjarjen e ndodhur.