E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtroi të pastrehin, pranga ish-zyrtarit të bashkisë

 

ELBASAN - Një ish-zyrtar i Bashkisë së Elbasanit që kryente deri në vitin 2006 detyrën e nëpunësit të zyrës së strehimit u arrestua dje me akuzën e mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës.
Kastriot Muftaraj, 40 vjeç, aktualisht operator në zyrën e Aluizni-t në Qarkun e Elbasanit u ndalua me urdhër të prokurorisë, pasi një shtetas kishte kryer kallëzim në adresë të tij. Ai e akuzonte nëpunësin se në vitin 2006, vit ku Muftaraj punonte në bashki, i kishte marrë 300 mijë lekë në këmbim të dhënies së një apartamenti si i pastrehë. Por edhe pse ai ia kishte dhënë këtë sasi të hollash, zyrtari i bashkisë nuk e kishte mbajtur premtimin për banesën. Pasi kanë ezauruar të gjitha mënyrat për kthimin e shumës nga ana e 42-vjeçarit, qytetari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, i është drejtuar zyrës së krimit ekonomik në drejtorinë e policisë. Ekspertët e krimit ekonomik nisën hetimet pas kallëzimit të kryer dhe brenda një harku kohor të shkurtër bënë të mundur dokumentimin e kësaj vepre dhe arrestimin e 42-vjeçarit, i cili së fundmi ishte punonjës i zyrës së legalizimeve.                                       a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›