E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket në Holandë letër-porosia për Avdyl Loshajn, Gjykata dërgon një tjetër



Thimi Samarxhiu

TIRANË - Ministria e Drejtësisë së Holandës humbet letër-porosinë për Avdyl Loshajn. Me një shkresë drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda, që mban datën 17 shkurt, njofton këtë të fundit se letër-porosia ka mbërritur në zyrat e saj, por ajo ka humbur. Gjatë seancës së djeshme në ngarkim të tre të akuzuarve për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, trupi gjykues ka lexuar dy letrat e mbërritur nga shteti holandez, ku e para mban datë 3 shkurt, me të cilën njoftohet se letër-porosia ende nuk ka mbërritur dhe e dyta që njofton mbërritjen dhe humbjen e saj. Gjykata e Krimeve të Rënda vendos ridërgimin e letër-porosisë.

Letër-porosia
Ishte paraqitur si një ndër provat më të forta që kishte Prokuroria në dorë për të fajësuar Arben Segjinin, Avni Koldashin dhe Ilir Kumbaron për zhdukjen 15 vite më parë të Remzi Hoxhës, por ka ndodhur që ajo të humbas brenda zyrave të Ministrisë së Drejtësisë së Holandës. Bëhet fjalë për letër-porosinë me 38 pyetje, e nisur më datë 06.11.2009 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda drejt Holandës për të marrë në pyetje dëshmitarin kryesor të kësaj ngjarjeje, Avdyl Loshaj.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka bërë të ditur gjatë seancës së djeshme se nga autoritetet holandeze kanë mbërritur dy letra, që mbajnë datat 3 dhe 17 shkurt, të cilat i drejtohen kësaj gjykate. Pas përkthimit të tyre ato i janë servirur ditën e djeshme palëve në proces. Sipas letrës së parë, që mban datë 3 shkurt 2010, bëhet e ditur se ende nuk ka mbërritur në zyrat e këtij institucioni letër-porosia e nisur 3 muaj më parë. Letra e dytë, që u lexua në seancë, mban datën 17 shkurt. Në të thuhet se letër-porosia ka mbërritur në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë dhe është protokolluar e regjistruar në mënyrë zyrtare, më pas është konstatuar zhdukja e saj. Mbërritja e kësaj letër-porosie vërtetohet pas firmës së hedhur nga njëri prej zyrtarëve të këtij institucioni.
Autoritetet holandeze nuk japin asnjë shpjegim se si është e mundur që një dokument i një rëndësie të veçantë të zhduket nga zyrat e Ministrisë së Drejtësisë, kur ajo më parë ishte protokolluar dhe regjistruar sipas të gjitha proceduarve zyrtare. E ndodhur në këtë situatë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka urdhëruar organin e akuzës të rinisë dhe njëherë pyetjet për atë që mendohet se është dëshmitari kryesor i këtij procesi.

Përgjigjja nga Italia
Një fat më të mirë kanë pasur letër-porositë e nisura drejt shtetit italian, ku ditën e djeshme është konfirmuar mbërritja e tyre dhe është gati ekzekutimi i tyre. Bëhet fjalë për dy letër-porosi drejtuar Riza Shehut dhe Eduart Çokut, të dy ish-punonjës të SHIK-ut. Sipas dosjes, dyshohet se këta dy persona mund të kenë qenë pjesë e operacionit ku është rrëmbyer Remzi Hoxha, por priten dëshmitë e tyre për të hedhur dritë mbi këtë fakt. Riza Shehu dhe Eduart Çoku ndodhen prej vitesh në shtetin italian dhe i janë përgjigjur negativisht thirrjes së Drejtësisë shqiptare për t’u paraqitur pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda për të dhënë dëshminë e tyre, duke e detyruar këtë të fundit të nisë drejt shtetit italian dy letër-porositë që pritet të ekzekutohen gjatë ditëve në vazhdim.

Ngjarja
Mbi tre ish-funksionarët e SHIK-ut rëndojnë një sërë akuzash, duke filluar që nga rrëmbimi e torturimit të Ziso Kristopullit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, si dhe akuza e zhdukjes së këtij të fundit. Më datë 21 tetor 1995, biznesmeni shqiptaro-maqedonas është rrëmbyer nga oficer të Shërbimit Informativ dhe që prej asaj kohe nuk ka asnjë të dhënë për të. Sipas dëshmitarëve të thërritur në këtë proces, Remzi Hoxha është parë për të fundit herë në një bazë të SHIK-ut në Vain të Lezhës dhe më pas nuk është gjetur më asnjë gjurmë e tij. Dëshmia e Loshajt është e rëndësishme për faktin se ky i fundit mësohet të ketë qenë bashkë me të në Vain ku dhe e ka parë për të fundit herë.
Nga ana e tyre, tre të pandehurit e këtij procesi gjykohen në gjendje të lirë, por vetëm dy prej tyre ndodhen në Shqipëri, pasi Ilir Kumbaro është fshehur për vite të tëra në Angli, ku ka përdorur dhe një identitet të rremë, i cili është zbuluar vetëm disa kohë më parë. Pas zbulimit të tij, Drejtësia shqiptare ka bërë të gjitha përpjekjet për ekstradimin e tij në vendin tonë, të cilat fillimisht rezultuan të suksesshme, por më pas ishte vendimi i Gjykatës së Lartë shqiptare që i dha lirinë sërish të pandehurit Ilir Kumbaro.

Disa nga pyetjet për Avdyl Loshajn

-Na thoni, dëshmitar, nëse u vutë ose jo në dijeni gjatë ditëve që ishit izoluar nëse ishte mbajtur ose jo ndonjë qëndrim ndaj shtetasit Ziso Kristopulli dhe nëse me këtë person jeni parë apo ballafaquar gjatë kësaj kohe?
-Na thoni, dëshmitar, nëse jeni vënë ose jo në dijeni nëse shtetasi Ziso Kristopulli është marrë dhe izoluar në të njëjtën periudhë që ju ndodhi edhe juve ngjarja e mësipërme? Në rast se po, nga kush e keni mësuar dhe kur e keni mësuar një gjë të tillë?
- Na thoni, dëshmitar, nëse në momentin e hedhjes nga dritarja e godinës ku mbaheshit i izoluar, kanë qenë ose jo persona të pranishëm? Në rast se po, në çfarë rrethanash u ndodhën ata aty, nëse këta persona bënë ose jo ndonjë veprim për të parandaluar apo ndërprerë hedhjen tuaj dhe nëse këta persona janë marrë me ju gjatë kohës që qëndronit i izoluar etj., etj.
- Na thoni, dëshmitar, nëse jeni vënë ose jo në dijeni në momentin që ishit izoluar se edhe shtetasi Remzi Hoxha ishte marrë dhe izoluar? Në rast se po, në çfarë rrethanash jeni vënë në dijeni dhe nga kush jeni vënë konkretisht në dijeni?
- Na thoni, dëshmitar, nëse pas lirimit nga vendi ku mbaheshit i izoluar, është folur ose shkruar në drejtimin tuaj në shtyp apo në media? Në rast se po, kur ka ndodhur një gjë e tillë, nga kush është folur, apo është shkruar dhe nëse ju kujtohet ose jo se çfarë është thënë apo shkruar konkretisht?

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›