E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtojnë dhe fyejnë policinë, hetohen dy persona



TIRANË-DURRËS – Brenda 24 orëve janë regjistruar 2 raste të kundërshtimit me forcë të uniformave të policisë, që kanë çuar në ndalimin e një personi dhe hetimin në gjendje të lirë të një tjetri. Rasti i parë është shënuar në kryeqytet, ku 22-vjeçari Rades Muça është vënë në pranga pasi ka kundërshtuar dhe fyer një punonjës të Policisë së Qarkullimit. Menjëherë pas njoftimit nga polici, uniforma të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë prangosur të riun, i cili dhe në momentin e arrestimit ka bërë rezistencë duke fyer sërish punonjësit e policisë.
Vetëm pak orë më pas, një rast i ngjashëm është regjistruar në qytetin e Durrësit, ku 26-vjeçari me inicialet A. H., në parkingun e një lokali në qendër të qytetit, ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Patrullës së Policisë, të cilët i kanë bërë thirrje për ta shoqëror në komisariat në lidhje me një konflikt që ky person kishte pasur me një person tjetër. Por A. H. i ka kundërshtuar fort, madje dhe duke i ofenduar ata. Menjëherë ndaj tij nisi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të “kundërshtimit të punonjësit të Policisë”. Por fenomeni i kundërshtimit të forcave të policisë dita-ditës po bëhet më alarmant. Vetëm gjatë vitit 2009, në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar 237 dosje për këtë vepër penale. Ndërkohë që vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 15 çështje për akuzën e “kundërshtimit të forcave të Policisë”.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›