E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN i rekomandon qeverisë rritjen e normës së borxhit të jashtëm



Ervin KOÇI

Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon rritjen e normës së borxhit të jashtëm dhe uljen e borxhit të brendshëm. Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i kryesuar nga shefi për Shqipërinë, Gervin Bell, kanë zhvilluar dje pa praninë e medias, një takim me anëtarët e Komisionit të Ekonomisë, ku kanë qenë prezent vetëm deputetët e mazhorancës. Mësohet se në fokus të bisedës, kanë qenë zhvillimet fiskale dhe masat që po merren për ruajtjen e stabilitetit në vend. Një vend të rëndësishëm në këtë takim, ka zënë edhe çështja e borxhit publik. Sipas përfaqësuesve të FMN-së, Shqipëria ka ende hapësira, për të rritur nivelin borxhit të jashtëm, por e kushtëzuar nga mbajtja nën kontroll e borxhit të brendshëm. Sipas institucioneve ndërkombëtare, vitin e kaluar Shqipëria ishte vendi me rritjen ekonomike më të lartë në Europë, e cila përllogaritet në 3 deri në 4 për qind. Por në gjysmën e dytë të vitit dhe dy muajt e parë të 2010-s, si dhe një sërë treguesish zyrtarë dëshmojnë se ekonomia ka hyrë në një fazë të fortë ngadalësimi, e cila po reflektohet me rënie të ndjeshme të konsumit, rrudhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe tkurrje të fortë të investimeve private dhe publike.

Takimi
Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu ka deklaruar pas takimit se, “aty u diskutua për zhvillimet fiskale të vitit që shkoi dhe parashikimet për vitin 2010, për masat që duhen marrë për të mbajtur stabilitetin ekonomik”. Sipas Shehut, FMN-ja rekomandoi rritjen e normës së borxhit të jashtëm dhe uljen e borxhit të brendshëm. “Gerwin Bell ka ripërsëritur qëndrimin e FMN-së se, Shqipëria duhet të ulë sa më shpejt borxhin publik, për të ruajtur treguesit fiskal”,- tha më tej Shehu. FMN-ë ka kërkuar që bankat shqiptare të vazhdojnë të financojnë biznesin. Po sipas deputetit të mazhorancës, FMN ka pranuar se Shqipëria ka pasur rezultate ekonomike më të mira se fqinjët. Në takim mori pjese edhe deputeti i opozitës, ish-ministri i Financave, Arben Malaj. Bisedimet u zhvilluan pa praninë e medias, por mësohet se FMN, së bashku me Ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, do të mbajnë sot paradite një konferencë të përbashkët për shtyp.

Amnistia
Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kundër në parim ndaj nismës së qeverisë për një amnisti fiskale në vend. Sipas përfaqësuesit Gerwin Bell, një politikë e tillë nuk pritet të ketë impakte të qëndrueshme, në mbledhjen e taksave. Duke iu referuar burimeve pjesëmarrës ne ketë mbledhje, FMN-ja është shprehur pro idesë për legalizim të aseteve të padeklaruara, por jo për amnisti të evazionit fiskal. Prej disa javësh biznesi ka bërë një propozim për amnisti, e cila është pranuar në parim nga qeveria, por ende nuk është konkretizuar skema që do të aplikohet. Një tjetër shqetësim i FMN-së ka qenë edhe rritja ekonomike e Shqipërisë, e cila për këtë vit do të jetë e ulët. FMN-ja ka deklaruar se hartimi i buxhetit të shtetit shoqërohet gjithnjë me shifra të larta, të cilat zor se arrihen të zbatohen. Njëkohësisht institucioni i cili mbaroi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare pak ditë para se të zhvilloheshin zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, ka sugjeruar se qeveria duhet të uli më tej shpenzimet operative dhe jo investimet, sikundër ka vepruar, për të konsoliduar buxhetin aktual.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›