Ekzekutohet i riu pranë sallës së lojërave të fatit
SHKODËR – Sërish atentat me pasojë vdekje, por kësaj radhe krimi ka ndodhur në qytetin verior të Shkodrës. Një adoleshent me inicialet E. T. është ekzekutuar me armë zjarri pranë godinës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ndërsa nuk ka ende të dhëna për autorin e krimit. Grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka marrë në shqyrtim të gjitha elementet e krimit. Deri në orën e vona të mbrëmjes nuk ka dhënë informacione për motivet e vrasjes dhe për autorët. Burimet policore sqarojnë se krimi ka ndodhur pranë një salle lojërash fati, aty ku mendohet të jetë edhe pikënisja që solli vrasjen e 17-vjeçarit, lindur dhe banues në qytetin e Shkodrës. Paraprakisht mendohet se viktima u qëllua nga një bashkëmoshatar i tij, ndërsa ekspertët janë duke vijuar hetimet për të zbuluar rrethanat e plota dhe shkaqet e vërteta që shkaktuan shkëmbimin e zjarrit.
Gjatë dy muajve të fundit është rritur ndjeshëm krimi i vrasjes me armë zjarri. Vrasja e trefishtë në Devoll, dy atentate me armë zjarri në Durrës dhe disa ekzekutime në kryeqytet kanë shtuar statistikat e krimeve me armë zjarri në vendin tonë.
Gërdeci
Ankimohet në Kushtetuese vendimi i Gjykatës së Lartë për Fatmir Mediun
Alketa Hazizaj dhe Roxhers Durdaj nuk e ndalin betejën ligjore me ministrin Mediu
Ankimimi u dorëzua dje nga avokati i të dëmtuarve, Dorjan Matlia
Laureta Rryçi
Të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit nuk e ndalin betejën ligjore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Alketa Hazizaj dhe Roxhers Durdaj kanë vendosur të ankimojnë vendimin e pak ditëve më parë të Gjykatës së Lartë ndaj Mediut. Ankimi u dorëzua dje nga avokati i të dëmtuarve, Dorjan Matlia. Ky i fundit, pas dorëzimit të kërkesës, u shpreh për mediat se familjarët e kanë humbur besimin te Drejtësia shqiptare, por kjo është një procedurë që duhet të ndiqet për të kërkuar më pas të drejtën e tyre në Strasburg. Më tej, mbrojtësi ligjor i dy viktimave të tragjedisë së Gërdecit shpjegoi se vendimi i marrë nga Gjykata e Lartë është i ankimueshëm. Familjarët e viktimave që nuk kanë reshtur së pretenduari për drejtësi, shprehen të revoltuar nga vendimi i 1 marsit i Gjykatës së Lartë. “Nuk ndalemi. Do ta vazhdojmë betejën tonë me Drejtësinë”, - shprehen familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit.
Vendimi
Kolegji penal i Gjykatës së Lartë që drejtohej nga relatori Andi Çeliku vendosi vetëm pak ditë më parë të pushojë çështjen ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili u padit nga dy banorët e Gërdecit, të plagosur rëndë nga shpërthimi i 15 Marsit 2008. Sipas Kolegjit Penal, nuk ka prova që të vërtetojnë fajësinë e Mediut e për pasojë nuk mund të kërkohet heqja e imunitetit. Kështu, Gjykata e Lartë pushon për herë të dytë çështjen ndaj Fatmir Mediut, që është akuzuar si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Herën e parë imuniteti iu kërkua nga Prokuroria dhe të dytën herë nga familjarët e të dëmtuarve nga tragjedia e 15 marsit, që mori 26 jetë njerëzish. Familjarët kanë reaguar ashpër ndaj vendimit. Tani, për ta, beteja e re është ajo me Drejtësinë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arsyetoi se dosja me 400 faqe e dy personave nga Gërdeci që fajësojnë Mediun për dëmin që iu shkaktua nga shpërthimi i 15 marsit nuk ka asnjë provë që e fajëson dhe, si rrjedhim, nuk është me vend kërkesa për heqjen e imunitetit. Kolegji Penal, i përbërë nga Andi Çeliku, relator i çështjes në Gjykatën e Lartë, Ardian Nuni, Irma Bala, Evgjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako vendosën që të hedhin poshtë padinë voluminoze të palës së dëmtuar nga tragjedia e rëndë që mori 26 jetë njerëzish, Roxhers Durda 12 vjeç dhe Alketa Azizaj. Kolegji arsyetoi se në padi nuk kishte asnjë element dhe provë konkrete që fajësonte direkt Fatmir Mediun si përgjegjës për shpërthimin në Gërdec dhe se, si rrjedhim, nuk mund t’i kërkohet Parlamentit heqja e imunitetit. Mediu, që nuk ishte prezent në këtë proces, u përfaqësua nga avokatët e tij, Ardian Visha dhe Petrit Serjani. Visha, në një prononcim për mediat, tha se “me këtë vendim të Gjykatës së Lartë çdo pretendim ndaj Mediut mund të konsiderohet i kotë, pasi çështja është e mbyllur. Mund të ketë sërish kërkesa, por çështja u mbyll”.
Reagimi
Familjarët e viktimave, të pranishëm në proces, u shprehën se ky vendim është i padrejtë dhe se nuk do ta ndalin betejën, që në këtë rast do të jetë me Drejtësinë. Një nga banorët e kësaj zone, Zamira Durda, që humbi djalin 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit, është shprehur pak pas vendimit se “vendimi i Gjykatës së Lartë ishte tërësisht i padrejtë. Por nuk ndalemi, do ta vazhdojmë betejën tonë me Drejtësinë”, - tha Durda. Pak ditë para se të merrej vendimi, familjarët e dëmtuar i patën dorëzuar një dosje voluminoze prej 400 faqesh Gjykatës së Lartë. Sipas tyre, në to gjendeshin prova të mjaftueshme që provonin fajësinë e ministrit për dëmtimin e të miturit Roxhers Durda dhe Alketa Azizaj. Përmbajtja e dosjes u bë e ditur nga përfaqësuesit ligjorë të dy të dëmtuarve rëndë nga shpërthimi tragjik i 15 marsit të vitit 2008. Sipas tyre, në dosje gjenden të gjithë urdhrat, vendimet, deklarimet e ish-ministrit, me të cilat pretendonin të vërtetonin ndaj tij akuzën e “plagosjes së rëndë nga pakujdesia“. Këto në të vërtetë ishin të njëjtat fakte që Prokuroria pati dorëzuar kohë më parë për të vënë në bankën e të pandehurve ish-ministrin.
Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit dhe çmilitarizimit në 15 marsin e vitit 2008 u vranë 26 persona, punëtorë dhe banorë të zonës përreth, mes të cilëve edhe gra e fëmijë. Nga shpërthimet u plagosën apo u lënduan 300 persona të tjerë, ndërsa pati shkatërrime dhe dëmtime të banesave e të bizneseve private në një rreze deri në 5-6 kilometra.
9 Mars 2010