E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpenzimet qeveritare, kursehen 7 milionë dollarë nga reduktimi i karburantit



Ervin KOÇI

Ministria e Financave ka vendosur që për vitin 2010 tu vërë “gërshërën” të gjitha shpenzimeve qeveritare. Kufizimi do të prek edhe përdorimin e karburantit nga automjetet e administratës, zë për të cilin MF-ja ka vendosur një kufi në çdo institucion. Për sa i përket karburantit që përdorej nga mjetet e transportit të të gjithë administratës, edhe pse mund të dukej si një kosto jo shqetësuese për buxhetin e shtetit, në fakt me këtë zë nga institucionet dhe drejtuesit e tyre abuzohej jo pak. Kështu, për këtë vit MF-ja synon që të kursejë jo pak, por plot 7 milionë dollarë vetëm nga reduktimi i karburantit të tepërt që përdornin automjetet e institucioneve shtetërore. Totali i shpenzimeve të lejuara është deri në 23 milionë dollarë për karburantin, nga 30 milionë që ishte në vitin 2008. Ky vit është marrë si njësi krahasuese nga MF-ja, pasi për vitin 2009 nuk ka një të dhënë të saktë për karburantin e përdorur nga administrata. Sasia presupozohet të ketë qenë shumë herë më e lartë se sa limiti i vendosur në buxhet, për faktin e thjeshtë se viti i kaluar (2009), ishte vit elektoral dhe e gjithë administrata u angazhua edhe me mjetet e saj në fushatë. Pas dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës, ekspertët e Financave hartuan një listë me të gjitha institucionet që prekeshin nga ligji i ri, duke vendosur kufi për shpenzimet, bazuar mbi reduktimin e mjeteve të transportit.

Kursimet
Ligji i ri parashikonte reduktimin e mjeteve të transportit për zyrtarët e lartë, drejtorët dhe deputetët, nisur nga niveli i lartë i shpenzimeve, të cilat preknin 10 për qind të totalit të fondeve korrente. Sipas listës së re, vetëm ministritë që mbulojnë ushtrinë dhe rendin do të kenë më shumë fonde në dispozicion. Kështu, Ministria e Mbrojtjes do të ketë një kufi shpenzimesh prej 700 milionë lekësh, ndërsa Ministria e Brendshme 650 milionë lekësh. Sa u takon tri institucioneve kryesore, Presidencës i janë vënë në dispozicion 13.5 milionë lekë, Kuvendit 12 milionë lekë, ndërsa Kryeministrisë 15 milionë lekë. Duke parë buxhetin e tyre të një viti më parë dhe aktualin, është e pamundur të dilet me një krahasim të plotë, se sa u janë ulur shpenzimet për transportin, por totali sipas Financave është më i ulët se ai i 2008-s. Për këtë vit, MF-ja parashikon rreth 30 miliardë lekë më pak të ardhura, duke i propozuar Kryeministrit që t’i ulë shpenzimet me 40 miliardë, ose të paktën reduktimin ta shtrinte në kohë për tre vitet e ardhshme. Berisha pranoi variantin e shkurtimit me 25 miliardë lekë, ndërsa diferencën do e zbatojë në dy vitet e tjera 2011-2012, në mënyrë që efekti në ekonomi të mos jetë i madh.

Shitja e automjeteve
Sa u takon mjeteve të transportit të dala tepër në inventar nga ligji ri, qeveria ka menduar t’ua shesë me ankand vetë zyrtarëve që i kishin më parë në përdorim. Përveç këtij favorizimi, makinat do t’u shiten përmes një formule që e redukton çmimin deri me 50 për qind. Deri tani nuk ka një shifër të saktë të vlerës së automjeteve dhe deri ku ka ecur zbatimi i ligjit. Aktualisht konfirmohet vetëm institucioni i Kuvendit, i cili pas vlerësimit të automjetit ia ka paraqitur deputetit për ta blerë. Në dokumentin zyrtar që shoqëronte ligjin e ri për makinat e zyrtarëve thuhej se në inventar kemi 374 automjete dhe 280 shoferë, që u shërbejnë ministrive dhe institucioneve qendrore. Kostoja mesatare e këtij shërbimi është 137.710 lekë në muaj. Ndërkohë, për institucionet e varësisë vërehet një numër më i lartë i automjeteve, të rritura çdo vit, ku përmendej shifra 3000 mjete transporti për institucionet e varësisë dhe rajonale, pa përfshirë këtu makinat e Ministrisë së Brendshme (policia) dhe Mbrojtja (ushtria).

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›