Berisha: “Do të ngremë në një nivel të ri luftën kundër krimit dhe bimëve narkotike”
Kryeministri Berisha kërkoi dje, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit Ndërinstitucional, për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, ngritjen në një nivel të ri të luftës kundër krimit dhe trafiqeve. Duke iu referuar vendimit për liberalizimin e vizave, Berisha tha se ky vendim vjen si rezultat i suksesit të reformave, ndaj dhe, sipas tij, është nën përgjegjësinë e qeverisë të vazhdojë pa kompromis luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe kultivimit të bimëve narkotike.
“Por, nga ana tjetër, këtë vendim duhet ta marrim si një përgjegjësi të re dhe më të madhe për ne, për të ngritur në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve. Duhet të jemi realistë, nuk ka ndonjë trafikant që të ketë vuajtur për marrjen e një vize, por tani lëvizja e lirë, pa viza, përbën gjithashtu për ta mundësi më të mëdha të ushtrimit të veprimtarisë së tyre kriminale, por përbën edhe një përgjegjësi shumë më të madhe për ne, në mënyrë që të konsolidojmë fuqishëm luftën kundër krimit të organizuar. Nuk ka dyshim se krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten në mënyrë konstante dy armiqtë më të egër të qytetarëve të lirë shqiptarë, i kërcënojnë, rrënojnë, bllokojnë, pengojnë. Ndaj, ftesa dhe kërkesa ime është që ta marrim këtë vendim si një nxitje dhe inkurajim shumë më të madh për ne, për të përcaktuar objektiva shumë më ambiciozë në luftën kundër krimit të organizuar. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo luftë është iluzion në rast se nuk i shkatërrojmë atij bazën ekonomike. Le ta dënojmë atë me dënimet më të ashpra në gjykata, por, në rast se nuk i kemi shkatërruar bazën ligjore, ai vazhdon të fuqizojë pushtetin e tij dhe vazhdon të zgjerojë pasuritë e tij, vazhdon të udhëheqë me eficiencë të madhe klanin e tij”, - është shprehur Berisha.
Ai kërkoi plotësimin e kuadrit ligjor që lidhet me luftën kundër pastrimit të parave.
“Ne duhet të shqyrtojmë një nga një të gjitha proceset dhe hallkat e kësaj lufte. Ne që miratuam një nga ligjet më të mira në Europë për konfiskimin e aseteve, le të vazhdojmë punën për përmirësimin apo kompletimin e të gjithë kuadrit ligjor, të trajtimit të tyre, të luftës kundër pastrimit të parave. Ne kemi kërkuar që Agjencia të shqyrtojë ligjin, të sjellin gjithçka në përputhje me këtë nivel të ri të luftës kundër krimit të organizuar. Në ligjin e ri që do të hartoni ju duhet të shihni bashkërisht se si të parandaloni defektet e këtij bashkëpunimi, si ta bëni më transparent e më të përgjegjshëm këtë bashkëpunim, se si të trajnoni më mirë trupën e policisë për hetim, si ta bëjmë më të përgjegjshëm prokurorin ndaj procesit hetimit. Por, nga ana tjetër, nuk shoh absolutisht asnjë lloj problematike që ai proces udhëhiqet nga prokurori. Ka edhe modele të tjera, por ky është një ndër modelet jounike në Shqipëri, edhe në vende të tjera, ndaj ta konsolidojmë këtë model dhe të sjellim pa vonesë ligjin në Parlament”, - është shprehur kryeministri.
Ai vuri në dukje se është bërë një punë e madhe për luftën kundër Cannabisit, por kërkoi hartimin e programeve të veçanta për të ndihmuar komunitetet ku mbillej kjo bimë. “Nga një anë, përdorim tolerancë zero ndaj mbjelljes së Cannabisit, nga ana tjetër, ne investojmë fuqishëm në këto komuna e zona, në mënyrë që edhe të valorizojmë pasuritë e tyre, edhe të lehtësojmë jetën e tyre. Ligji që penalizion pushtetarët vendorë për mbjelljen e bimëve narkotike duhet të zbatohet me seriozitetin më të madh. Ata janë zotët e territorit të tyre. Në ligj, në Kushtetutë, ata janë përgjegjës për administrimin e territorit të komunës së tyre. Ata nuk mund të thonë se nuk e dimë se po na mbillet kanabis”, - është shprehur Berisha.
2 Qershor 2010